E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtohen autostrada, por prishen rrugët e fshatrave

Ndërtohen autostrada, por shkatërrohen rrugët e fshatrave dhe komunave. Kështu ka ndodhur edhe me rrugën që lidh Klubin e Shoferëve në Lushnjë, me Komunën Gradishtë. Asnjë nga institucionet shtetërore nuk mban përgjegjësi. Kontrata nuk zbatohet dhe në vend që të kërkohen masa ndëshkimore për mosrespektim të marrëveshjeve ligjore, i kërkohet komunitetit mirëkuptim, pasi ndërtimi i autostradës është i rëndësishëm. Duket sikur është një aks i vogël, por në të vërtetë është rruga që lidh gjithë pjesën e Lushnjës dhe Fierit me zonën e Divjakës.

Sapo filluan punimet në superstradën Lushnjë-Fier, nisi edhe shkatërrimi i kësaj rruge, pasi kamionët që punonin për të shtruar autostradën, merrnin materiale inerte në Gradishtë.

Që prej dy vjetësh, kryetari i Komunës Gradishtë, Ylli Stambolliu, kërkon në Ministrinë e Transporteve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, në Prefekturën e Fierit, te firma ndërtuese "Maltaura dhe Delma", që të mirëmbahet e të riparohet segmenti rrugor nga ‘Pushimi i Shoferit‘ deri në Gradishtë. Madje, ai ka vënë në dijeni se procesi i marrjes së materialit mbushës për autostradën tashmë ka përfunduar.

Nga ana tjetër ekziston një kontratë e lidhur mes Ministrisë së Transporteve dhe firmës ndërtuese, që të riparohet ky segment rrugor me materiale asfaltike. Deri më sot, asnjë pikë e kësaj marrëveshjeje nuk është respektuar. Për të gjithë, e rëndësishme është që superstrada u asfaltua, paçka se mbetën të izoluar disa fshatra dhe zona turistike të Divjakës, askujt nuk i bie ndërmend.

Vetë kryetari i Komunës Gradishtë sqaron për "Fiks Fare" se "mbetja e kësaj rruge në këtë gjendje duhet kërkuar gjetkë, sepse kjo rrugë, me status ka kaluar aks nacional që prej vitit 2005". "Më 16 mars 2007 i kam dërguar shkresë Ministrisë së Transporteve, e cila më ka kthyer një përgjigje, sipas të cilës, firma ndërtuese, në bazë të një marrëveshjeje do të ndërhynte në rrugë dhe do ta kthente atë në gjendjen e mëparshme nëpërmjet një shtrese asfalti. Por deri më sot nuk është ndërhyrë", thotë kryekomunari.

Ndërkohë, drejtuesit e automjeteve ankohen për amortizimin e rrugës. "Nuk mund të qarkullojmë lirisht, sepse na pengon. Ka qenë një nga rrugët më të mira dhe është bërë një nga më të këqijat në Lushnjë", thonë shoferët.

Që prej janarit të vitit 2006, kjo rrugë është nxjerrë nga inventari dhe mirëmbajtja e Drejtorisë së Rrugëve të Qarkut Fier, pasi ky aks ka kaluar për t‘u trajtuar si rrugë nacionale dhe gjatë kësaj periudhe, në këtë rrugë nuk ka pasur asnjë lloj investimi për ta mirëmbajtur.

Drejtoria

"Gjendja e rrugës, e përkeqësuar"

Në një shkresë që i ka dërguar drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve Komunës së Gradishtës, shpjegohet se është konstatuar që gjendja e rrugës është përkeqësuar. Gjithashtu, në këtë shkresë sqarohet se me firmën zbatuese të punimeve të autostradës Lushnjë-Fier është rënë dakord që segmenti rrugor të mirëmbahet me materialin e Gradishtës, ku është marrë edhe materiali për mbushjen e trupit të autostradës. Edhe pse firma nuk ka zbatuar kontratën, drejtoresha e Rrugëve kërkon mirëkuptim nga komuniteti për prishjen e aksit rrugor. Në letrën zyrtare që ajo i ka dërguar komunës dhe Ministrisë së Transporteve, u kërkon mirëkuptim, duke pasur parasysh rëndësinë që ka ndërtimi i rrugës Lushnjë-Fier.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›