Ndërtohet muzeu i diktaturës, s'ka objekte
SHKODËR- Bashkia e Shkodrës u bën thirrje familjeve që janë persekutuar nga diktatura komuniste të ndihmojnë në pasurimin e Muzeut të Vuajtjeve të Diktaturës Komuniste. Tashmë që ndërtimi fizik i muzeumit ka përfunduar, ka dalë në plan të parë sistemimi i tij dhe pasqyrimi i sa më shumë fakteve dhe dokumenteve që vërtetojnë tmerrin e kaluar në kohën e diktaturës, por për të arritur këtë qëllim duhet që të ketë edhe objekte dhe dokumente nga familjet që janë prekur direkt nga diktatura. Nisur nga ky fakt Bashkia e Shkodrës ka dalë me një thirrje publike. Drejtues të kulturës thonë se: "Ky muzeum ndër të tjera do të ketë edhe stenda ku do të ekspozohen objekte apo dokumente të ndryshme që flasin për periudhën e torturës dhe të dhunës ndaj individit. Të gjitha ato familje dhe individë që ruajnë objekte të kësaj natyre dhe kanë dëshirë që të kontribuojnë në pasurimin e këtij muzeu, janë të lutur të kontaktojnë me ne në Bashki, ose tek numrat e telefonit, Drejtoria e Kulturës 0666003143 dhe Drejtoria e Turizmit 066 6003104." Jo rastësisht është vendosur që muzeumi që dëshmon krimet e komunizmit të ndërtohet në Shkodër.
Qyteti i Shkodrës konsiderohet si më i prekuri nga diktatura. Pas 1944-rës në qytet numëroheshin 13 burgje të regjimit komunist, 601 të pushkatuar, 136 të vdekur në burgje, 2846 të burgosur politikë dhe 1924 të internuar politikë. Muzeumi është ndërtuar në ish-godinën e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, aty ku gjatë viteve të diktaturës janë burgosur e torturuar figura të njohura intelektuale të qytetit verior e më gjerë, në nderim të shtresës që e vuajti më shumë atë regjim. Për ndërtimin e këtij muzeu është vënë në dispozicion një fond prej 53 milionë lekësh, të akorduara nga Ministria e Kulturës, si dhe Bashkia e Shkodrës. Muzeu ka një galeri hyrëse prej betoni, rreth 50 metra të gjatë, prej së cilës mbërrin tek zona e ishburgut, me 40 birucat e tmerrshme që dikur shërbenin për izolimin e të burgosurve. Pjesë e muzeut janë edhe mjedise të tjera të jashtme, sikurse oborri i ajrimit, anekse të tjera plotësuese, si dhe pajisje, shkrime dhe të dhëna origjinale të asaj kohe, të cituara nga të burgosurit politikë.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)