Ndërtuan pa leje në Golem, kapen në flagrancë 3 persona

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Policia e Durrësit njofton se ka goditur një rast të ndërtimit pa leje në zonën e Kavajës. Sipas njoftimit të Policisë, tre persona janë arrestuar, pasi u kapën në flagrancë duke kryer punime për ndërtimin e paligjshëm të një moli, në plazhin e Golemit.
“Si rezultat i kontrolleve që po kryhen 24/7, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat urbane dhe në ato bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, të mbështetura nga informacionet e inteligjencës policore, evidentuan 1 rast të kësaj paligjshmërie, në Golem.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan shtetasit: F. A., 54 vjeç, banues në Shijak, i proceduar penalisht më parë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, G. L., 48 vjeç, banues në fshatin Rrashbull, Durrës, dhe A. Gj., 35 vjeç, banues në Golem.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë duke kryer punime, pa lejen e organeve kompetente, për ndërtimin e një moli afër stacionit të plazhit në pronësi të shtetasit F. A”, bën të ditur Policia.
Policia e Durrësit garanton se vijojnë kontrollet dhe verifikimet për të konstatuar dhe goditur raste të tjera të ndërtimeve të paligjshme, si dhe të krimeve të tjera kundër mjedisit.
1 nga 3/a.f/r.e/