E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit: Vonesa në pagesa pengon pjesëmarrjen në tendera

TIRANË - Mosshlyerja në kohë e kompanive ndërtuese që kanë realizuar investimet publike është kthyer në një pengesë seriozë në pjesëmarrjen e tyre në tendera të tjerë. Ndërtuesit penalizohen nga një vendim i qeverisë që ka hyrë në fuqi më datë 6 tetor 2009 sipas të cilit asnjë kompani nuk mund të marrë pjesë në tenderë publike nëse nuk ka përfunduar 70 për qind të volumit të investimit që është duke realizuar.
Për shkak se një pjesë e kompanive kanë mbetur peng i shlyerjes së detyrimeve nga ana e qeverisë nuk i kanë përmbyllur investimet deri në këtë masë, kështu që automatikisht nuk mund të marrin pjesë në tendere të tjerë gjë që rëndon edhe më tej gjëndjen e tyre financiare.
Nëndrejtori i Shoqatës së Ndertuesve, Ilir Hebovija, shprehet se kompanitë janë në pritje të shlyerjes së këstit prej 17 milionë euro të premtuar nga ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, që parashikohet të kryhet së afërmi, ndërsa sipas tij problemi më i madh i mospagesës ka të bëjë me praktikën e mospërfshirjes në tendere të një kompanie nëse nuk ka përmbushur 70 për qind të punimeve të investimit që ka në dorë.
"Jemi në pritje të shlyerjes së këstit të premtuar nga ministri Sokol Olldashi disa ditë më parë. Problemi më i madh qëndron në kushtin që para se të aplikojë për të marrë pjesë në një tendër, kompania duhet të ketë përfunduar 70 për qind të punimeve. Mospagesa në kohë ka shkaktuar vonesa në këtë aspekt", - tha ai.
Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Maksim Muçi, i bëri publikisht thirrje qeverisë javën e shkuar që të paguajë kompanitë të cilat kanë punuar për realizimin e investimeve publike gjatë vitit 2008 dhe gjashtë mujorit të parë 2009-s. Janë rreth 70 milionë euro që qeveria i ka borxh ndërtuesve duke rënduar gjëndjen e tyre financiare në një kohë kur në treg vërehen mungesë likuiditetesh. "Nga ana e institucioneve shtetërore ka një detyrim kontraktual të papaguar që arrin mbi 70 milionë euro, i cili duhet të ishte shlyer deri në fund të muajit maj. Bëhet fjalë për tenderat e bëra në vitin 2008 dhe që kanë vazhduar punimet edhe në vitin 2009 kur u ngarkuan me ritme të larta për fushatën elektorale", - tha Muçi. Sipas tij, borxhi duhet të ishte shlyer deri në fund të muajit maj.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, edhe nëse ndodh që dy kompani marrin pjesë bashkarisht në një tendër duhet që secila prej tyre medoesmos të ketë përfunduar punimet në masën e kërkuar. "Drejtoria e përgjithshme e Rrugëve ndalohet të kualifikojë për punë publike, të prokuruara sipas ligjit të prokurimit publik, operatorët ekonomikë që janë fitues apo kanë në proces në të njëjtën kohë si kontraktorë apo nënkontraktorë një investim sipas një kontratë apo kontratave të lidhura apo në proces për t'u lidhur , sipas ligjit për prokurimin publik, i cili në çastin e hapjes së ofertave nuk i ka përfunduar punimet fizike në masën 70 për qind të vëllimeve të përgjithshme të punës që ai ka marrë përsipër të realizojë në përputhje me kontratën", - citohet në vendim.

****

Rrugët e fushatës, ndërtuesit: Qeveria na ka borxh 70 mln euro

TIRANË- Qeveria është borxhlije ndaj kompanive vendase që janë marrë me ndërtimin e veprave të infrastrukturës gjatë vitit 2008, 2009 dhe në periudhën e fushatës elektorale. Deklarata është bërë publike sot nga shoqata e ndërtuesve, sipas të cilës borxhi që qeveria u ka atyre është më i madh se 70 mijë euro.
"Nga ana e institucioneve shtetërore ka një detyrim kontraktual të papaguar që arrin mbi 70 milionë euro. Bëhet fjalë për tenderët e bëra në vitin 2008 dhe që kanë vazhduar punimet edhe në vitin 2009 kur u ngarkuan me ritme të larta për fushatën elektorale", - ka deklaruar sot Maksim Muci, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve.
Sipas tij, si pasojë e detyrimeve të papaguara, shoqëritë e ndërtimit rrezikojnë falimentimin.
Ai ka theksuar se këto shoqëri po shkojnë drejt falimentimit financiar në kushtet kur shoqëritë kanë marrë kredi me interesa të larta për blerjen e materialeve, pajisjeve dhe makinerive për të përballuar volumin dhe ritmin e lartë të kërkuar për realizimin e objekteve të tenderuara.
Përballë një situate të tillë, shoqata e ndërtuesve ka kërkuar që qeveria të zgjidhë këtë problem.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›