E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit në listë të zezë

Ministria e Tregtisë po i mban në një listë të zezë ndërtuesit kosovarë. Janë 99 kompani të ndërtimit, të cilave kjo ministri ua ka marrë licencat, për shkak se nuk kishin inxhinierë të kualifikuar dhe shumë prej tyre punonin me dokumente të falsifikuara. Me një vendim të ri të kësaj ministrie, dy nga këto kompani janë larguar përfundimisht nga lista. Nga Albulena Maloku më 20 gusht 2011 në ora 08:16

Kompanitë kosovare që merren me ndërtimtari nuk do ta kenë luksin e ndërtimit shkel e shko. Operimi i tyre me inxhinierë të pakualifikuar dhe dokumente të falsifikuara, është bërë sebep që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë t’i ketë në shënjestër këto kompani.

Me vendimin e fundit të Departamentit të Ndërtimtarisë, të cilin e ka siguruar Expressi, është rifreskuar dhe plotësuar lista e subjekteve, të cilave muaj më parë ky departament ua kishte marrë licencat. Dy nga këto kompani, tashmë nuk figurojnë më as në listën e të anuluarave. Saktësisht, ato tashmë janë në listën e kompanive të pezulluara.

Ndërkohë, 97 kompanitë e tjera mbeten në listën e zezë të kësaj ministrie, të cilat nuk kanë të drejtë operimi. E ato mund t’iu rikthehen ndërtimeve, vetëm pasi të kenë siguruar inxhinierë të kualifikuar dhe dokumente që vërtetojnë se mund të kryejnë ndërtime në Kosovë.

Vendimet për anulimin e licencave të këtyre ndërtueseve kosovarë, Departamenti i Ndërtimtarisë i bazon në Nenin 21 të Ligjit për ndërtime. Sipas këtij neni, kompanitë e ndërtimit duhet ta kenë të angazhuar inxhinierin profesionist gjatë gjithë kohës së ndërtimit. Ndërkohë, ajo që ka ndodhur me kompanitë në fjalë është se shumica prej tyre kanë paraqitur ndonjë inxhinier vetëm sa për të marrë licencën. Të njëjtit pastaj janë larguar nga këto kompani. Gjithashtu është vërejtur te shumica e kompanive që kanë falsifikuar dokumentet në këmbim të licencës.

Ilir Kryeziu, nga Departamenti i Ndërtimtarisë, tha për Express se vendimin për anulimin e licencave ndërtimore e merr Komisioni për licencim të ndërmarrjeve ndërtimore, komision që është formuar nga MTI’ja. E, kjo ministri, sipas tij, në ndërkohë po bën edhe rifreskimin e listave, për të cilën është marrë edhe vendimi i fundit.

“Me vendimin e 15 gushtit, është bërë rifreskimi i listës së subjekteve, të cilave muaj më parë u ishte anuluar licenca. Pra, dy nga to janë pezulluar”, thotë Kryeziu për Express.

Ky vendim, sipas Kryeziut, merret pasi konstatohet se dokumentet e paraqitura kanë qenë të falsifikuara apo kanë përmbajtur shënime jo të sakta. Arsye tjetër pse kanë ardhur deri te ky vendim, sipas Kryeziut, është edhe ajo se subjekti i licencuar që kryen veprimtari pa drejtues teknik edhe pas afatit shtesë prej 15 ditësh për zëvendësim të tij.

Ai tregon se lista e subjekteve të anuluara në vazhdimësi rifreskohet dhe plotësohet dhe numri i fundit përfundimtar i licencave të anuluara deri më datën 15 gusht të këtij viti, është 97 licenca, si dhe 4 licenca janë pezulluar me kohë te caktuar konform udhëzimit administrativ.

Kryeziu tregon se deri më tash janë lëshuar rreth 1950 licenca.

“Numri i përafërt i licencave të lëshuara nga MTI’ja është rreth 1950, ku ka kompani që posedojnë pesë lloje të licencave”, tregon Kryeziu.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe e Industrisë kanë thënë se kjo po bëhet për krijimin e kritereve më të ashpra për kompanitë që destinim e kanë ndërtimin. Po ashtu, kjo ministri do të krijojë kritere të caktuara, duke e shmangur burokracinë. Madje, shumë shpejt pritet që licencimi të kalojë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndërkohë që nga paslufta kanë qenë po këto kompani që Ministria ua ka anuluar licencat, e që kanë kryer ndërtime në Kosovë. Madje, shumë nga to kanë qenë edhe përfituese të tenderëve publikë. Në Ligjin për ndërtim thuhet se kompania që pajiset me licencë duhet që ndërtimin ta kryejë në përputhje me lejen e ndërtimit dhe miratimin e lokacionit. Gjithashtu, është kompania ndërtuese që me këtë ligj obligohet ta caktojë inxhinierin kryesor të vendndërtimit, në cilësinë e përgjegjësit, i cili e udhëheq ndërtimin apo disa pjesë të ndërtimit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›