E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit për vendimin: Qeveria s’bashkëpunon

Shoqata e Ndërtuesve ka reaguar pas vendimit të qeverisë për pjesëmarrjen e kompanive të ndërtimit në tendera. Sipas kryetarit të Shoqatës, vendimi i dalë nga qeveria ka qenë i ndryshëm nga deklaratat e kryeministrit gjatë mbledhjes. 

TIRANE- Shoqata e Ndërtuesve shpjegon se vendimi i djeshëm për pjesëmarrjen në tendera që ka dalë nga zyrat e qeverisë është i ndryshëm nga deklaratat e kryeministrit Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Kryetari i shoqatës Maksim Muçi sqaron vendimin që sipas tij konsiston në një ndryshim të rregullores së licencimit.

“Vendimi i qeverisë bën një ndryshim në rregulloren e licencimit. Sipas rregullores ekzistuese janë përcaktuar nivelet për të cilat firmat janë licencuar. Ky vendim saktëson se nuk do të procedohet më me këto vlera që janë në licencë, por do të procedohet me 70 për qind të vlerave të tyre. Ne e quajmë pozitiv si rregullim, sepse po të pranojmë vetëm faktin që në kushtet e kësaj krize krijohet një mundësi për të marrë pjesë një numër më i madh firmash”- u shpreh kreu i Shoqatës së Ndërtuesve Muçi.

Ndërtuesit hedhin poshtë edhe deklaratat e kryeministrit Berisha për bashkëpunim me kompanitë e ndërtimit, gjë që sipas tyre nuk ka ndodhur.

“U fol shumë për bashkëpunim midis qeverisë dhe firmave të ndërtimit, do na pëlqente shumë që realiteti të ishte ky, faktikisht deri më sot nuk ka qenë kështu. Nuk kemi gjetur gjithmonë mirëkuptimin dhe kooperimin”-tha Muçi

Shoqata e Ndërtuesve i konsideron të pabaza edhe akuzat e kreut të qeverisë për zvarritje të afateve të punimeve në veprat publike për shkak të mos sigurimit të teknologjisë apo fuqizimit të stafit.

“Që në momentin e marrjes në dorëzim të një ndërtimi të një objekti që nuk mbulohet nga kapacitet që disponon, firma bën çdo përpjekje për ta siguruar këtë teknologji dhe për të shtuar kapacitetin e fuqisë punëtorë, aq më tepoër kur bëhet fjalë për një financim të sigurtë siç është shteti, nuk është ky problem”- tha Muçi. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›