Ndërtuesit, ultimatum qeverisë: “Na likuido borxhin deri në qershor”
Ervin KOÇI
Komuniteti i ndërtuesve këtë herë duket se e ka seriozisht...! Pas mbledhjes së djeshme të aktivit të Shoqatës, ndërtuesit i kanë dhënë një ultimatum të qartë qeverisë duke i caktuar një afat për shlyerjen e të gjithë borxheve të prapambetura. Bëhet fjalë për një borxh që kap vlerën e 10 miliardë lekëve, të cilin shteti në financimin e punimeve të kryera ua ka shoqërive të ndërtimit në objekte publike. Shoqata e Ndërtuesve paralajmëroi dje se ndërtuesit po falimentojnë për shkak të borxhit që qeveria nuk ia ka shlyer ende shoqatës. Drejtori i Shoqatës, Maksim Muçi tha se shlyerja nuk parashikohet as në buxhetin për vitin 2011. “Qeveria s’ka fonde për të larë borxhet, ndërkohë që ndërtuesit janë duke falimentuar”,- deklaroi Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Muçi. Sipas ndërtuesve, ku borxh po bllokon financimin dhe ecurinë e mëtejshme të punimeve. Ndërtuesit kërkojnë që ky borxh të likuidohet deri në fund të qershorit të viti të ardhshëm ose në të kundërt paralajmërojnë bllokim të rrugëve me anë të mjeteve të ndërtimit. Sipas Muçit, “shoqëritë e ndërtimit janë duke falimentuar për faktin se, shumë projekte janë financuar me kredi bankare”. Sektori i ndërtimit që prej disa kohësh ka qenë në vështirësi kjo edhe si rezultat i krizës ekonomike botërore.
Ultimatumi
Shoqata e Ndërtuesve deklaron se nëse qeveria nuk ju kthen borxhet atëherë ata do të protestojnë duke bllokuar rrugët ku po punojnë të cilat i kanë ndërtuar me fondet e tyre. “Në kërkojmë që qeveria të parashikojë likuidimin e borxheve brenda datës 30 qershor 2011, në të kundërt do të përballet me sanksionet tona”,- deklaroi Muçi. Sipas deklaratave të ministrit të Financave, Ridvan Bode, qeveria iu ka ndërtuesve vetëm 7 miliardë lekë borxhe për ndërtimin e objekteve publike. Nga krahu tjetër edhe ministri i Transporteve, pak kohë më parë ka deklaruar se ka filluar shlyerja e borxheve për ndërtuesit. Por vetë ndërtuesit thonë se qeveria për 1 vit u ka shlyer atyre rreth 20 për qind të borxhit total, dhe nuk u ka përcaktuar asnjë afat se kur do të shlyhet e gjithë vlera e borxhit ndaj kompanive ndërtuese në vend. Sipas Shoqatës së Ndërtuesve, zgjidhja mund të jepet nëpërmjet bankave. “Ne kemi marrë kredi për ndërtimet, qeveria të negociojë me bankat dhe ta zgjidhë këtë çështje”,- tha Muçi. Ndërtuesit njëkohësisht kërkojnë që t'i jepet fund praktikave, ku tenderi hapet me një milion lekë dhe më pas është vetë kompania, e cila detyrohet të gjejë fondet për të vijuar punimet. Ky fakt i ka venë në vështirësi marrëdhëniet mes kompanive të ndërtimit dhe bankave që i kanë kredituar. Në rast se qeveria do të vijojë të qëndrojë indiferente dhe vetëm do të premtojë për zgjidhje të situatës, ndërtuesit kërcënojnë se do të pezullojnë punën.
Buxheti
Miratimi në parim i buxhetit 2011 dhe mosparashikimi i kthimit të borxheve, si dhe mosangazhimi i kompanive të ndërtimit në projektet publike për vitin që vjen, solli reagimin e menjëhershëm të Shoqatës së Ndërtuesve Shqiptarë. Këta të fundit thonë se në këtë buxhet nuk janë parashikuar fonde për shlyerjen e detyrimeve që qeveria u ka ndërtuesve për realizimin e projekteve objekteve publike.“Ky borxh, e kalon vlerën e 10 miliardë lekëve dhe po vazhdon me objektet e kontraktuara nga viti 2010”,- tha kryetari i shoqatës, Maksim Muci.
BOX///////////////////////////////
Olldashi: “Autostrada në të gjitha akset kombëtare”
Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, ka zhvilluar ditët e fundit inspektime në disa prej akseve në ndërtim në jug të vendit. Një takim me qytetarët e Gramshit, ai i ka siguruar ata se nuk do te këtë asnjë devijim të autostradës Tiranë-Elbasan për të shmangur këtë qytet. Kreu i Transporteve tha se ndërtimi i kësaj autostrade dhe disa segmenteve të tjera në këtë zonë, do të shkurtojë kohën e udhëtimit nga Gramshi në kryeqytet me 50 minuta. Gjatë takimit, Olldashi, ka akuzuar opozitën duke deklaruar se “ndërsa qeveria ndërton rrugë për Shqipërinë, deputetët e opozitës ndërtojnë pallatet e tyre”.
Shkurt//////////////////////////////////
Nuk mjaftojnë fondet, SHISH kërkon 109 milionë lekë, shtesë buxheti
Akordimi i fondeve në sasi të pamjaftueshme për vitin e ardhshëm, në buxhetin e shtetit, ka bërë që shumë institucione shtetërore të bëjnë kërkesë për shtesë fondesh. Rreth 109 milionë lekë është shtesa buxhetore që Shërbimi Informativ Shtetëror i ka kërkuar qeverisë shqiptare për vitin 2011. Ndonëse kërkesa e kreut të këtij institucioni, Bahri Shaqiri, u bë javën e kaluar me dyer të mbyllura në kuvend, ka qenë Komisioni Parlamentar i Sigurisë, ai i cili ka zbardhur këtë shifër. Miratimi ose jo, i saj do të vendoset nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave. Një tjetër kërkesë ka ardhur nga Ministria e Brendshme e cila kërkon rialokimin e 282 milionë lekëve për uniformat e policëve.
“Kodra e Diellit”, një javë me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë
Ankesat e qytetarëve për mungesën e energjisë kanë vijuar disa ditë resht në një pjesë të Tiranës. Bëhet fjalë për zonën e quajtur “Kodra e Diellit” në Tiranë, ku qytetarët vuajnë prej ditësh mungesën e energjisë elektrike dhe askush nuk ka marrë përgjegjësinë për riparimin e këtij probleme ose të interesohet për të zgjidhur situatën. Qytetarët shprehen se janë të rregullt në pagesën e faturave, ndërkohë që kjo situatë ka rreth 6 muaj që përsëritet. Pavarësisht ankesave të qytetarëve, problemi ka vijuar duke u përsëritur edhe dje, në një kohë që kompania që merret me këtë çështje, ka bërë vetëm disa ndërhyrje të pjesshme por ma e zgjidhur ende problemin e disa mijëra banorëve.
1 Dhjetor 2010