EUROSTAT: Shqipëria, vendi me çmimet më të shtrenjta të ushqimeve
Ervin KOÇI
Kostoja e jetesës në Shqipëri renditet ndër më të lartat në Europë, në një kohë që kostoja e ushqimeve është realisht më e larta po të krahasohet me të ardhurat për frymë. Këtë konkluzion e ka dhënë ditët e fundit Instituti prestigjioz Europian i Statistikave “EUROSTAT”, sipas të cilit Shqipëria është një nga vendet me koston më të lartë të jetesës në rajon. Të dhënat e publikuara nga EUROSTAT, që krahasojnë çmimet në 27 vendet e BE-së dhe 4 vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor, tregojnë se për produktet bazë, shqiptarët paguajnë më shumë se fqinjët me ekonomi të ngjashme edhe pse të ardhurat e tyre janë më të ulëtat në Europë. Sipas EUROSTAT, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë sa 70 për qind e mesatares së vendeve të Bashkimit Europian, në një kohë që ky tregues për Maqedoninë është 52 për qind, për Bullgarinë 67 për qind dhe për Rumaninë dhe Serbinë, respektivisht 65 dhe 69 për qind.
Çmimet e shtrenjta
Shqipëria i ka çmimet më të larta se fqinjët e saj edhe për pijet alkoolike dhe ato joalkoolike. Madje sipas EUROSTAT, shqiptarët i paguajnë këta produkte gati njëlloj sa konsumatorët e Bashkimit Europian, që i kanë të ardhura 4 herë më të larta. Vaji dhe produktet e tjera të ngjashme me të, shiten në tregun shqiptar me një çmim sa 93 për qind e mesatares të Bashkimit Europian, kur konsumatorët e vendeve fqinje paguajnë për këtë produkt dukshëm më pak. E njëjta tendencë është edhe për mishin apo dhe bulmetrat. I vetmi produkt ku Shqipëria ka çmimet më të ulëta se rajoni është duhani, i cili shitet me një çmim sa 30 për qind e mesatares së BE-së. Ndërsa për të gjitha produktet e tjera më të domosdoshme, shqiptarët paguajnë çmime më të larta se sa fqinjët e tyre, edhe pse sipas EUROSTAT i kanë të ardhurat më të ulëtat në rajon vetëm sa 27 për qind e BE-së.
Ushqimet
Ushqimet janë grupi i dytë i mallrave që Shqipëria merr më shumë nga importi me një vlerë prej rreth 670 milionë dollarë. Edhe pse sipas Ministrisë së Bujqësisë, importet e ushqimeve përbëjnë vetëm 30 për qind të konsumit në vend, ekspertët thonë se ato janë faktori kyç që përcakton çmimin në tregun e brendshëm. Kjo pasi prodhimi vendas në pjesën dërrmuese të tij shkon për vet-konsum dhe nuk del fare në treg. Vitet e fundit, çdo rritje e çmimit të ushqimeve në tregjet e huaja është përcjellë menjëherë në tregun e brendshëm, siç tregoi kriza e vitit 2008, por edhe rritja e papritur e drithërave gjatë kësaj vere. Pas krizës së vitit 2008, çmimet e ushqimeve në botë ishin në fillim të këtij viti sipas Bankës Botërore, 25 për qind më të ulëta. Por për të njëjtën periudhë, në tregun e brendshëm, sipas INSTAT-it, ato jo vetëm që nuk kishin rënë, por përkundrazi ishin shtrenjtuar me 16 për qind, duke shtuar dyshimet për një treg i cili në jo pak raste është parë si i kontrolluar nga kompani të caktuara.
BOX////////////////////////////
FAO: Rritja e çmimeve të ushqimit në botë, tronditëse
Rritja e çmimeve të ushqimit në botë kohët e fundit është tronditëse dhe duhet të përbëjë një shqetësim serioz për autoritetet e të gjitha vendeve. Një fakt i tillë është vënë në dukje gjatë një mbledhjeje të posaçme nga FAO, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë. Sipas drejtuesve të saj, çmimet e ushqimeve janë rritur me 5% në dy muajt e fundit dhe kjo është shkaktuar pjesërisht nga ndalimi i eksporteve të grurit nga Rusia. Ndërkaq, indeksi i Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë, FAO, që mbulon 55 mallra ushqimore, rezulton të jetë në nivelin më të lartë këto dy vjet dhe shumë më lart se mesatarja e dekadës së fundit. E megjithatë thuhet se me gjithë çmimet janë të larta, ato sërish janë ende janë larg niveleve që arritën në vitin 2008, si pasojë e krizës.
Euro rritet pas vendimit të BQE-së
Euro është rritur në tregjet e këmbimit pasi Banka Qendrore Evropiane ka konfirmuar se do të vazhdojë të blejë obligacionet e qeverive evropiane. Konfirmimi u bë nga presidenti i BQE-së, Jean Claude Trichet, pavarësisht se ai refuzoi të jepte detaje të mëtejshme mbi këtë vendim. Trichet ka konfirmuar gjithashtu se BQE-ja do të vazhdojë të mbështesë bankat e eurozonës që ndodhen në vështirësi. Euro shkoi mbi 1.3145 dollarë nga kuota më e ulët që kishte regjistruar më parë, 1.3059, ndërkohë që edhe treguesit e aksioneve në bursat evropiane janë rritur.
Shkurt//////////////
Biznesi, vlerësim pozitiv për licencimin
Biznesi në Shqipëri tashmë ka reduktuar ndjeshëm kohën për të marrë një licencë pa leje në Shqipëri. Ky vlerësim është dhënë nga një vrojtim i kryer nga organizatat jofitimprurëse. Këto rezultate u prezantuan dje gjatë një tryeze të rrumbullakët me përfaqësues të komunitetit të biznesit, ku morën pjesë dhe Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Enno Bozdo, si dhe Drejtori për Projektet në Misionin e USAID-it në Shqipëri, Andreë Maybrook. Qendra Kombëtare e Licencimit, e cila varet nga METE u hap në qershor 2009 nga Programi Prag i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë, i administruar nga USAID. Maybrook gjatë fjalës së tij ka deklaruar se, USAID-i është i kënaqur që feston suksesin e reformave për licencimin e biznesit që janë ndërmarrë në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit dhe vlerësimin pozitiv që ka marrë Qendra Kombëtare e Licencimit. "Afatet e zvogëluara kohore për marrjen e licencës nga ana e kërkuesve, tarifat e ulëta dhe procesi transparent, janë përfitime të jashtëzakonshme për komunitetin e biznesit në vend",- tha ai. "Suksesi i modelit të shërbimit me një ndalesë, i cili funksionon në bazë të zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit, ka dhënë një kontribut shumë të vlefshëm në përmirësimin e shërbimeve për bizneset dhe të të gjithë klimës së biznesit në Shqipëri",- tha Zëvendësministri Bozdo. Në pesë muajt e fundit Qendra ka përpunuar mbi 2000 aplikime dhe kërkesa për shërbimet e saj është në rritje. Studimi evidentoi se bizneset shprehen shumë të kënaqur me Qendrën për shërbime të drejta, transparente dhe të efektshme.
“Eagle Mobile” sjell “iPhone 4” për herë të parë në Shqipëri
“Eagle Mobile” që nga dita e premte ofron në dyqanin qendror (në zonën e ish-Bllokut) telefonin celular “iPhone 4”. Të gjithë do të kenë mundësi ta blejnë fjalën e fundit të teknologjisë së komunikimit me një çmim të arsyeshëm së bashku me tarifën “Life+” me kontratë. Mrekullia e kompanisë amerikane “Apple” tashmë ka mbërritur dhe është gati në shërbim të përdoruesve “Eagle”. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i “Eagle” z. Orkunt Yozgat tha se, kjo është një risi e këndshme për të gjithë abonentët “Eagle”, apo ata të cilët do të duan të anëtarësohen në këtë familje të madhe. “Që nga dita e parë kompania jonë ka punuar dhe punon për të sjellë më të mirën dhe më modernen për konsumatorin shqiptar. Të gjithë miqtë e apasionuar pas teknologjisë mund të provojnë magjinë e ‘iPhone 4’, një telefon i zgjuar që po revolucionarizon tregun e telefonisë celulare dhe internetit të lëvizshëm në botë”,- shtoi z. Yozgat. “iPhone 4” është një produkt i kompanisë së mirënjohur “Apple” që ka dalë së fundmi në tregun amerikan dhe evropian dhe po gjen një interes shumë të madh në tregun botëror. Ky “smartphone” është arritja e fundit e aparateve me ekran me prekje dhe ofron opsione mjaft të larmishme për internetin, postën elektronike, fotografinë, videon, ngarkimet dhe shkarkimet e përmasave të mëdha nga interneti me shpejtësi të lartë. Kompania “Eagle Mobile” e fokusuar në nevojat, kërkesat dhe dëshirat e konsumatorit do të jetë gjithnjë në kërkim të teknologjive dhe produkteve më të fundit, që përdoruesit shqiptarë të kenë mundësi të ndjekin çdo risi të teknologjisë në botë.
3 Dhjetor 2010