E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhen ditët e qëndrimit në paraburgim të Prudentinos



VLORË - Gjykata e Vlorës ka vendosur dje të zgjasë edhe me 1 muaj afatin e paraburgimit për bosin e organizatës mafioze italiane “Sacra Corona Unita”. Vendimi u mor gjatë seancës së djeshme, ku edhe pala mbrojtëse ra dakord me këtë masë. Avokati i shtetasit italian të kërkuar nga Drejtësia e vendit fqinj parashtroi kërkesën e tij për të ndërruar trupin gjykues, një skemë kjo për të shtyrë afatet e qëndrimit të klientit të tij në Shqipëri. Por, lëvizja më e fundit e avokatit të Prudentinos do të shqyrtohet nga trupi gjykues ditën e nesërme. Megjithëse Drejtësia italiane pret me ngut ekstradimin e të shumëkërkuarit Prudentino, ende Drejtësia shqiptare nuk e ka thënë fjalën e vet.

Seanca
Albino Prudentino do të qëndrojë të paktën edhe 30 ditë të tjera në qelitë shqiptare. Vendimi është marrë ditën e martë nga Gjykata e Vlorës. Zgjatja e afatit të paraburgimit u motivua nga gjykata me faktin se organi qendror i akuzës në vendin tonë po e heton në Shqipëri Albino Prudentinon për akuzën e pastrimit të parave. Sipas gjykatës, deri në fund të këtij hetimi, 59-vjeçari Prudentino nuk mund të ekstradohet në Itali. Kërkesa për largimin e trupit gjykues nga procesi “Prudentino”, e bërë nga Ferdinand Ndoj, do të shqyrtohet ditën e enjte, në orën 13:30.

Arrestimi
Anëtari i “Sacra Corona Unita” u arrestua më 29 shtator në një nga lokalet në pronësi të tij në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku qëndronte në Shqipëri prej disa kohësh dhe dispononte pasuri të paluajtshme, si: lokale, shtëpi dhe kazino, ndërsa që nga ajo kohë vazhdon të qëndrojë në paraburgim, në pritje të një vendimi. Ai u prangos me urdhër të lëshuar nga Gjykata e Leçes në Itali për akuzat: "bashkëpunim kriminal i tipit mafioz", "trafik droge" dhe "grabitje në rrethana rënduese", vepra të parashikuara nga Kodi Penal italian, të cilat, nëse vërtetohen, e dënojnë Prudentinon me më shumë se 25 vjet burg. I shumëkërkuari nga Drejtësia italiane kishte një kartelë problematike në vendin e tij të lindjes dhe akuzohej për një sërë aktivitetesh ilegale jo vetëm në Itali, por edhe në Greqi. Në Shqipëri Prudentino e zgjeroi aktivitetin e tij në fushën e biznesit, lotarive sportive, komplekseve të shërbimit, si restorante, ndërtim, etj. Ai kishte ndërtuar lidhje të fuqishme me persona me ndikim në politik dhe arrestimi në Vlorë solli akuza të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës për lidhje të personave pranë qeverisë me klanet mafioze italiane.

Aplikimet për pasaporta biometrike, hapen sportele të reja

TIRANË – Në kohën kur janë shtuar aplikimet për pasaporta biometrike, vetëm pak ditë para hapjes së lëvizjes së shqiptarëve në zonën “Shengen”, koncesionari që prodhon dokumentet e reja të identitetit, bashkë me Ministrinë e Brendshme, kanë shtuar numrin e sporteve. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, ka bërë të ditur se janë vënë në punë pika të reja shtesë për aplikim dhe rritjen në dyfish të numrit të pasaportave të prodhuara. Shumë shpejt, edhe emigrantët shqiptarë në vendet fqinje, në Greqi dhe Itali, do të kenë mundësi të pajisen me pasaportë biometrike në vendin ku ata jetojnë, pa qenë të detyruar të kthehen në Shqipëri. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile, për një kohë të shkurtër të gjithë qytetarët shqiptarë do të jenë të pajisur me pasaportat biometrike.

Tritol në makinën e policit tatimor

FIER - Persona ende të paidentifikuar kanë vënë një sasi eksplozivi në makinën e njërit prej punonjësve të Bashkisë së Ballshit. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme, kur inspektori i zyrës së Tatim-Taksave në Bashki, Selfo Serjan, ka konstatuar vendosjen e eksplozivit në pjesën e përparme të autoveturës, nën radiator. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se nuk dihet në se eksplozivi ka lidhje me detyrën funksionale, apo me shkaqe të tjera. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e ngjarjes.

Gjendet pranë Portit trupi i pajetë i një personi të paidentifikuar

DURRËS - Trupi i një personi të pajetë është gjetur në det të hapur, disa milje larg portit të Durrësit, në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Kanë qenë anëtarë e ekuipazhit të një trageti, të cilët kanë gjetur trupin e viktimës. Sipas të dhënave të para, viktima është i moshës rreth 35 vjeç, por nuk dihet ende identiteti. Pritet të nisin hetimet që të zbardhen shkaqet e vdekjes dhe emri i personit që u zbulua i vdekur nga ekuipazhi i tragetit. Policia ka njoftuar komisariatet në rrethe për të ndihmuar në gjetjen e identitetit të viktimës. Është ende shpejt për të dhënë versionin nëse është një krim apo është një mbytje në rrethana aksidentale. Por, nuk përjashtohet as mundësia që viktima të ketë humbur jetën gjatë ditëve kur vendi ishte përfshirë nga moti i keq dhe dallgët e detit kanë qenë shumë të larta.

Arrestohen trafikantët shqiptarë, përdornin gra shtatzëna si korriere

XHENOVA - Policia italiane në qytetin e Xhenovës ka arrestuar 5 trafikantë shqiptarë droge, të cilët përdornin gra shtatzëna si korriere. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave, hetimi ndaj këtij rrjeti trafikantësh ka nisur në vitin 2008. Që atëherë, saktësojnë burimet, janë arrestuar 30 persona në flagrancë, ndërsa 21 të tjerëve u është komunikuar akuza në burg. Gjatë operacionit agjentët e policisë kanë sekuestruar 6 kilogramë kokainë të pastër, 20 mijë euro para të thata dhe 17 dokumente të falsifikuara.

Shqipëri – Kosovë, bashkëpunim kundër korrupsionit

TIRANË – Shqipëria dhe Kosova do të koordinojnë punën në luftën kundër korrupsionit, por edhe trafiqeve, pastrimit të parave etj. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga organi qendror i akuzës, sipas së cilës, dje, prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, Ina Rama, zhvilloi një takim me delegacionin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peçi, bëri një përshkrim të ndërtimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, sfidat me të cilat ndeshet ajo, si dhe shpjegoi se si funksionon Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Më tej z. Peçi theksoi dhe rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit midis institucioneve të drejtësisë të dy vendeve, pasi dhe problematika e çështjeve që ndeshen është e njëjtë, siç janë lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Aktualisht, UNMIK-u dhe EULEX-i kanë hetuar disa raste të korrupsionit në Kosovë, ku disa fije të çojnë edhe në Shqipëri. Aktualisht nuk përjashtohet mundësia që hetimet të përfshijnë edhe biznese apo individë nga Shqipëria, të cilët janë pjesë e skemave korruptive në Kosovë.

8 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›