Ndeshja Shqipëri – Bjellorusi / Ja rrugët që do bllokohen sot në Tiranë

Policia e Shtetit ka hartuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes Shqipëri-Bjellorusi, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.
Për shkak të aktivitetit sportiv, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes do të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve në disa akse pranë stadiumit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës.
Bllokimet do të prekin Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit, rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Abdyl Frashëri”, si dhe zona të tjera pranë stadiumit. Te sheshi “Willson” do të devijohet lëvizja në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes,
Ndërkohë, Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të vijojnë të jenë të lira për qarkullimin e mjeteve.
Policia njofton gjithashtu se tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve para hyrjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të rrezikshme, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve dhe sendeve të tjera të ndaluara.
Autoritetet u kanë bërë thirrje tifozëve që të paraqiten në hyrjet e stadiumit duke nisur nga ora 18:30, pasi fluksi i lartë mund të shkaktojë vonesa në hyrje.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë aktivitetit janë angazhuar qindra punonjës policie