E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndeshja Shqipëri-Portugali, shtypi portugez, lumë kritikash

Nga Altin Latifi
Kombëtarja portugeze dhe trajneri Keiroz kanë qenë në qendër të kritikave të shtypit portugez, që nuk është kënaqur aspak nga paraqitja e skuadrës ndaj Shqipërisë. Të përditshmet më të mëdha të vendit e kanë quajtur të turpshme paraqitjen e skuadrës së tyre, që tashmë rrezikon pjesëmarrjen edhe në Botëror. 

PORTUGALI- Kritikat në shtypin portugez kanë arritur kulmin, pas barazimit që kombëtarja e këtij vendi arriti në shifrat 0-0 ndaj Shqipërisë. Të gjitha të përditshmet, sidomos ato sportive janë hapur me tituj zhgënjyes dhe me sulme që nuk kanë kursyer as futbollistët e as trajnerin Karlos Keiroz. Titulli më domethënës ka qenë i “O Jogos”, e cila në faqen e parë shkruan me të madhe: “Turp!”. Ndërsa “A Bola” hapet me foton e paraardhësit të Keiroz, Luis Felipe Skolari dhe me titullin e madh: “Pra, unë jam një gomar?”, që është si një përgjigje e brazilianit në adresë të kritikave që Keiroz pati lëshuar në të shkuarën. Ish-ndihmësi i Ferguson e kritikonte shpesh Skolarin, por tekniku aktual i Çelsit nuk hasi asnjëherë vështirësi në fazën kualifikuese. Ndërsa “Rekord” shkon në deri në dëshpërim: “Jemi sëmurur nga ky film”, titullon me të madhe ajo. “Pas humbjes me Portugalinë dhe barazimit me Suedinë, ndeshja ndaj Shqipërisë ishte e pamendueshme. Kemi komplikuar shumë shanset për kualifikim në Botëror”, shkruan më tej ajo. Ndërsa Diario de Noticias kritikon edhe futbollistët. “Pa ide dhe shpirt luftarak, Portugalia zbriti dje poshtë në histori për arsye më të këqija”, shkruan ajo. Ndërsa Publiko flet për një performancë horror në Bragë. “Pa vizion, pa dëshirë, pa aftësi. Nuk është shenjë e mirë kur ne duartrokitëm për daljen jashtë të një kundërshtari në pjesën e parë. Nuk është shenjë e mirë që Portugalia për 45 minuta nuk ndërton asnjë sulm nga fillimi në fund”, shkruan kjo e përditshme. Portugalia barazoi 0-0 me Shqipërinë të mërkurën në mbrëmje ne Bragë, duke mbetur në vendin e tretë, me vetëm 5 pikë pas katër ndeshjesh, po aq sa edhe kombëtarja kuqezi. Komente për këtë ndeshje ka patur edhe nga agjenci të ndryshme botërore të lajmeve, që i habit më shumë fakti se Shqipëria luajti në pjesën më të madhe të kohës me 10 futbollistë. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›