E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shevës si bën përshtypje turpërimi

Ndoshta Milani është mësuar me përballje të mëdha dhe nënvlerëson impenjimet “e vogla”. Ndoshta, skuadra e privuar nga disa prej yjeve që luanin në eliminatoret e Botërorit 2010, vuajti mungesën e kontingjentit të plotë në Shqipëri.

Megjithatë, në sfidën e vlefshme për trofeun “Taçi Oil”, të fituar 2-1 nga Tirana në “Qemal Stafa”, kuqezinjtë kanë regjistruar humbjen e radhës në miqësore: e gjashta në tetë takime të luajtura prej verës. Një sinjal jo alarmues, por që, gjithsesi, duhet të fusë në mendime protagonistët.

Megjithatë, kjo duket se nuk ka ndodhur. Njëri prej yjeve të pranishëm në kryeqytet, i pritur me shumë ovacione nga tifozët, Andrij Shevçenko, tregon se “turpërimi” nuk i ka bërë aspak përshtypje.

I ardhur në aeroportin “Nënë Tereza” me çarter nga grumbullimi me Kombëtaren ukrainase, sulmuesi shfaqet i pa shqetësuar.

Madje, ai përpiqet të nxjerrë vlera pozitive nga testi shqiptar (duke anashkaluar rezultatin), pavarësisht se në fushë ishte lojtari që zhgënjeu më shumë.

“Ata gjuajtën vetëm dy herë në portë... Në pjesën e dytë, ishim vendosur shumë mirë në fushë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, deklaroi Sheva, disa orë pas largimit nga Shqipëria.

“Po rritemi si skuadër, por edhe individualisht”. Më tej, sulmuesi u përqendrua te gjendja e tij fizike, duke u shfaqur i kënaqur: “Edhe pse vetëm një ditë më parë kisha luajtur me Kombëtaren, u ndjeva mirë. Forma ime fizike po rritet dita-ditës. Kombinimet me Ronaldinjon ishin mjaft të mira, e vutë re sa bukur luanim përkrah njëri-tjetrit?...”.

Reagimet

Të këtij mendimi nuk janë fansat e Milanit. Humbja në Tiranë është kritikuar së tepërmi, e në qendër të sulmeve ka qenë pikërisht Shevçenko, lojtari që, pavarësisht se ishte inekzistent në fushën e lojës, guxon të shumëzojë gjithçka me zero.

Komenti i tifozit me nofkën “sdop” për fjalët e ukrainasit ishte: “‘Ata gjuajtën vetëm dy herë...’... dhe pësuam dy gola!!! Faleminderit shumë!!! Me këtë portier që kemi është normale...”. Më tej, bien në sy komentet e “gibo venesian” nga Milano dhe “HBK” nga  Areco. I pari shkruante “... je gjithmonë e më shumë një ZERO FUTBOLLISTIKE dhe KOMIK... A mund të më shpjegoni sa është mosha mesatare te ju lojtarët e Milanit? 35 apo 5 vjeç?”.

Ndërsa i dyti shkonte edhe më tej: “Kthehu në Londër... Nuk të duam në skuadër!!! Po të isha Ançeloti do të ‘gozhdoja’ përgjithmonë në tribunë!!!”. Reagime për humbjen kanë ardhur edhe nga mediat italiane. “Gazzetta dello Sport” shkruante në faqen e parë: “Milani humbet në Tiranë, por rikthehet Nesta”.

Më të ashpra “Tutto Sport”, që theksonte lajmin e keq për tifozët “Milan: Ko në Shqipëri, Inzagi dëmtohet”, ndërsa “Tutto Napoli” citonte: “Milani turpërohet në Shqipëri, mposhtet nga Tirana”.
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›