Ndeshjet më të bukura të evropianëve

Euro 2012 po afron, por prapa krahëve gjenden plot 52 vjet me ndeshje, që kanë bërë të përjetohen emocione të mëdha. Janë shumë ndeshje që tashmë kanë hyrë në histori të këtij kompeticionit, por në vazhdim do të njiheni me dhjetë ndeshjet për mbamendje të evropianëve të kaluar. Kush i ka parë, i kujton më mirë, ndërsa ata që nuk i kanë parë, e kanë rastin t’i shijojnë përmes fjalëve.
10) Holanda – Republika Çeke 2:3 (2004)
Nuk ndodh çdo ditë që ta shkrish disavantazhin prej 2:0 dhe ta fitosh një ndeshje me 3:2. Kjo ka ndodhur më 19 qershor 2004 në Municipal di Aveiro, në Portugali, kur Holanda e Dick Advocaatit nuk ia doli ta ruajë avantazhin për të humbur në fund nga çekët e selektorit Karel Brückner. Çekia, e cila nga ‘Euro 96’ ishte njëra prej skuadrave më të rrezikshme të kontinentit, e riktheu lojën dhe u kualifikua në çerekfinale.
Bouma me kokë dhe Van Nistelrooy (nga pozita jashtë loje) e kaluan ekipin ‘Oranje’ në avantazh pas vetëm 19 minutash. Por, Koller shënoi për 2:1 dhe Baros i barazoi shifrat në minutën e 70-të. Golin vendimtar e realizoi Smicer, që u shërbye nga Poborski. Një rikthim sensacional.
9) Jugosllavia – Gjermania Perëndimore 2:4 (1976)
A është e mundur të hysh në lojë vetëm 11 minuta pa përfunduar ndeshja dhe të shënosh tri gola? Përgjigja është po, edhe pse për ta arritur një gjë të tillë nevojitet edhe loja shtesë. Kjo ka ndodhur më 17 qershor të vitit 1976 kur Helmut Schon, selektor i Gjermanisë Perëndimore, kampione e botës më 1974, e bëri njërin prej zëvendësimeve që kanë mbetur në histori të këtij evenimenti. Në minutën e 79-të të gjysmëfinales ndaj Jugosllavisë, kur ishte në disavantazh prej 2:1, ai vendosi ta heqë nga loja Herbert Wimmerin për ta inkuadruar debutuesin Dieter Müller. 22 vjeçari hyri në lojë dhe pas tre minutash e realizoi golin e barazimit, e cila e çoi takimin në vazhdime. Në minutat 115 e 119 arrijnë dy gola të tjerë të Mullerit, që i dërguan gjermanët në finale. Më pas pësuan humbje pas penalltive nga Çekosllovakia, por falë një goli tjetër të shënuar në këtë duel, Muller u bë golashënuesi i turneut. Kur jemi te ky i fundit, më 17 gusht 1977 shënoi 6 gola në ndeshjen Koln-Werder Bremen (7:2), edhe pse kjo është një histori tjetër.
8) Jugosllavia – Spanja 3:4 (2000)
Njëri prej rikthimeve më të jashtëzakonshme në histori të futbollit: Spanja e Jose Antonio Camachos e arriti një kualifikim të jashtëzakonshëm në fazën eliminuese direkte, duke e bërë të vitin një ndeshje që dukej e humbur.
Spanjës i nevojitej fitorja për ta kaluar turnin, por përpara kishe ushtrinë e Vujadin Boskovit, e cila mund të llogariste në një Savo Milosevicnë formë të shkëlqyer. Sulmuesi i Lazios e zhbllokoi rezultatin për gjysmë ore, ndërsa Alfonso Perez i barazoi shifrat para përfundimit të pjesës së parë. Govedarica, ish futbollist i Lecces, shënoi për 2:1, por një minutë më vonë arriti barazimi i Munitis.
Përfundoi kështu? As që bëhet fjalë. Jugosllavia mbeti me një lojtar më pak (u skuq Jokanovic), por Komljenović ua këputi këmbët Iberikëve, duke shënuar për 3:2. Por, mrekullia ndodhi në lojën shtesë: Gaizka Mendieta barazoi pas një goli të shënuar nga penalltia, kurse Alfonso Pérez ishte hero i spanjollëve, duke realizuar për 4:3. Përkundër humbjes, edhe serbët e kaluan turnin.
7) Danimarka – Gjermania 2:0 (1992)
Shumëkush Danimarkën e vitit 1992 e konsideronte si paraardhësi i Greqisë së vitit 2004. Një skuadër që në fazën finale të Evropianit as që është dashur të merrte pjesë (mori pjesë në vend të Jugosllavisë së diskualifikuar), por arriti deri në fund, duke e kompletuar misionin ndaj një Gjermanie super-favorite pasi fitoi 2:0.
Danezët e Richard Møller-Nielsen e kishin mundur Holandën në gjysmëfinale pas ekzekutimit të penalltive, kurse gjermanët e Berti Vogtsit ishin më të mirë se Suedia (3:2). Në finale, Jensen i kaloi skandinavët në epërsi në minutën e 18-të, kurse më pas Schmeichel u përkujdes për ta blinduar portën daneze dhe në minutën e 79-të Vilfort mbylli gjithçka me golin e dytë.
6) Franca – Jugosllavia 4:5 (1960)
Kjo është njëra prej ndeshjeve me më së shumti gola të shënuar në fazën finale të Evropianit. Shumë pak njerëz atëherë mendonin se në Parkun e Princëve të Parisit, në ndeshjen debutuese të inaugurimit të turneut, mund ta shihnin njërën prej ndeshjeve më të jashtëzakonshme të 52 vjet historisë së këtij kompeticioni.
Galic i kaloi jugosllavët në epërsi, kurse Vincent barazoi në minutën e 12-të. Asgjë nuk ndodhi më pas deri në minutën e 43-të, kur Franca shënoi me Heutte. Në pjesën e dytë arritën gjashtë gola të tjerë, të gjithë në harkun e 24 minutave. Francezët shkuan në 3:1 me Wisnieskin. Pastaj Zanetic e ngushtoi rezultatin, por Heutte shënoi sërish për 4:2. Për katër minuta, Jugosllavia e Ljubomir Lovricit e mori lojën në dorë falë Knez e Jerkovic, që shënuan tri golat e fitores. Në këtë ndeshje nuk vlejti thënia e moçme: dita e mirë shihet në mëngjes.
5) Franca – Portugalia 3:2 (1984)
Janë shumë njerëz që e krahasojnë këtë lojë me të famshmen Italia – Gjermania Perëndimore në Botërorin 1970. Në njërën prej gjysmëfinaleve më të famshme të të gjitha kohëve, Franca demonstroi se është superfuqi botërore e futbollit.
Transalpinët kaluan në avantazh falë golit të Jean-François Domergue në mes të pjesës së parë, por në pjesën e dytë shifrat i barazoi Rui Jordão. Loja shkoi në vazhdime dhe këtu me të vërtetë ndodhi gjithçka. Ishte sërish Rui Jordão që i kaloi portugezët në epërsi në minutën e 98-të për 2:1.
S’duhet harruar se Franca e kishte në ekip një njeri që quhej Platini, i cili në minutën e 114-të e shërbeu Domerguen, që shënoi për 3:3 dhe në fund ia solli fitoren francezëve. Një dhuratë e bukur për ditëlindjen e shokut të skuadrës, Tigana, i cili në atë ditë i mbushte 29 vjet.
4) Portugalia – Greqia 0:1 (2004)
Ndoshta nuk ishte ndeshja më e bukur, por është e sigurt se kjo lojë ka bërë të flitet për një kohë të gjatë. Askush nuk kishte pritur se Greqia do të ishte kampione e ‘Euro 2004’. Madje, edhe kuota 150, e vendosur nga bastoret, tregonte qartë për mundësitë që kishin grekët.
Por, ky ekip e shkroi historinë e Evropianit duke e regjistruar suksesin e njërës prej kombëtareve më të mbyllura të të gjitha kohëve, ajo e udhëhequr nga gjermani Otto Rehhagel.
Fitorja ndaj Portugalisë ishte kryevepra e fundit e një muaji të mrekullueshëm të Helenëve, që ishin të aftë ta eliminonin në çerekfinale Francën, kampione në fuqi dhe Republikën e Çekisë në gjysmëfinale.
Qysh në ndeshjen e parë, në fazën e grupeve, Karagounis me shokë i kishin mundur portugezët. Rezultati 2:1 në Do Dragao u transformua në 1:0 në finalen e Da Luz, kur një gol i Angelos Charisteas, i shënuar në minutën e 57-të, e tronditi Portugalinë e yjeve Figo, Deco, Rui Costa e Cristiano Ronaldo, duke e bërë të qajë të gjithë kombin.
Nuk mjafton vetëm kjo. Drejtuesit e kontingjentit grek para ndeshjes me Francën veç e kishin lëshuar hotelin dhe i kishin rezervuar biletat për t’u rikthyer në atdhe...
3) Franca – Italia 2:1 (2000)
Franca dhe Italia, përkundër faktit se kanë histori të gjatë në këtë sport, ishin takuar në finale të Evropianit për herë të parë në vitin 2000.
Do të takoheshin kampionët e botës kundër Azzurrëve të Dino Zoffit ose më mirë të themi, njëra prej ekipeve italiane më pak spektakolare në histori, e cila luante me një formacion defanziv 5-3-2. Të dyja skuadrat luftuan me dhëmbë për ta rrëmbyer finalen. Franca e eliminoi Spanjën dhe Portugalinë me rezultat identik 2:1, kurse Italia ishte më e mirë se Rumania, ndërsa në gjysmëfinale u desh t’i falënderohej ‘Shën Toldos’ ndaj Holandës. Në Rotterdam, Azzurrët e zhbllokuan rezultatin me Delvecchin, por më pas menduan vetëm për mbrojtje. Dukej se puna ishte kryer, por në minutën e 94-t Wiltord e gjeti golin e barazimit, i cili u pasua me një super gol të Trezeguet në minutën e 103-të në lojën shtesë. Ky ishte një gol i artë që e vendosi fituesin e Evropianit. Po atë vit, Trezeguet zbarkoi në Itali në fanellën e Juventusit.
2) Anglia – Gjermania 1:1 (1996)
Anglia – Gjermania është njëra prej ‘klasikeve’ të futbollit botëror. Nëse përballja në mes këtyre dy kombëtareve historike ndodh në gjysmëfinale të një Evropiani, të organizuar nga anglezët, atëherë gara transformohet menjëherë në një episod epik.
Formacioni vendës, i udhëhequr nga Terry Venables, hyri në lojë me eufori me qëllim që ta zhbllokojë rezultatin menjëherë. Rezultatin 1:0 e regjistroi Shearer, vetëm pas tre minutash. Mirëpo, Kuntz e barazoi rezultatin në minutën e 16-të, pasi e kaloi Pearcen.
Ndeshja u bë taktike dhe e papërshkrueshme, ndërsa më pas u desh të vendoste loja shtesë. Anglezët patën një ‘mal’ me raste, duke u nisur nga shtylla e Andertonit pas asistimit të McManananit dhe mundësitë e lëshuara nga Gascoigne e Shearer. Por, goli nuk arriti kurrë dhe ekipet shkuan në penallti.
Goditja e Southgate u ndal nga portieri i njohur Kopke, derisa Andreas Möller e mposhti Seamanin dhe Gjermania shkoi në finale. Më pas, gjermanët e fituan edhe titullin, pasi e mundën Republikën e Çekisë falë dy golave të zëvendësuesit Oliver Bierhoff.
1) Holanda – Bashkimi Sovjetik 2:0 (1988)
Dyshja Gullit-Van Basten arriti ta bëjë Holandën e madhe, e cila në vitet 1974 e 1978 nuk kishte arritur të triumfonte. ‘Oranje’ në aktin final do të takoheshin me Bashkimin Sovjetik, i cili i kishte mundur ‘Tulipanët’ në fazën e grupeve falë golit të Vasyl Rats. Por, kjo do të ishte një ndeshje totalisht ndryshe. Në minutën e 32-të, Gullit e plasoi topin në rrjet pas asistimit të Van Basten. Ky i fundit, legjendë e vërtetë e futbollit, në minutën e 54-t e shënoi njërin prej golave më të bukur në histori të futbollit, duke gjuajtur pothuajse nga vija fundore. Topi i goditur nga ish ‘Topi i Artë’ e kaloi portierin kundërshtar Rinat Dasayev dhe përfundoi në rrjet. Këtë gol e duartrokitën të gjithë, madje edhe gjermanët, tashmë të eliminuar.