Nora e Budimës

Puna në inksenimin e shfaqjes, që cilësohet goxha e vështirë për realizim, ka filluar para më tepër se dy javëve. Në Teatrin Kombëtar. Regjisori Budima pohon se çdo gjë po shkon sipas ritmit të planifikuar. Sipas tij, nëse çdo gjë shkon siç po duket deri më tani, shikuesit do të kenë rast të shohin një version interesant të shfaqjes në shqip. Kur? Në një ditë të madhe për Kosovën, thotë ai.
Express: Pse pikërisht Henrik Ibsen?
Budima: Nuk e di... Ndoshta, për shkak se Henrik Ibsen është themelues i dramës moderne dhe një nga fenomenet më të rëndësishëm për zhvillimin e vetë dramës botërore. Normalisht, mbase edhe për shkak se, përkundër faktit që ekziston një distancë e madhe kohore, Ibsen vazhdon të mbetet aktual dhe tejet i rëndësishëm edhe sot e kësaj dite.
Express: Për çka konkretisht bëhet fjalë në shfaqje?
Budima: “Nora” është një dramë psikologjike që, në fakt, prezanton procesin e vetëbesimit të kryeprotagonistes (Norës), e cila për shumë vite jeton e martuar me Helmer - e pushtuar nga iluzioni i lumturisë. Mirëpo, të gjitha këto vite “lumturie” rezultojnë të kenë qenë vite përplot gënjeshtra, përfshirë këtu edhe faktin e fshehtë, se Nora kishte falsifikuar nënshkrimin e babait për të marrë të holla hua me qëllim që t’ia shpëtonte jetën burrit të saj. Të vërtetën Helmer e zbulon krejt rastësisht. Dhe, që nga ai moment çdo gjë ndryshon... Por, sigurisht që në mënyrë tipike për dramaturgjinë e Ibsen’it.
Express: Cila është ideja themelore e shfaqjes?
Budima: Ideja themelore ka të bëjë me ilustrimin e tendencës së kryeprotagoniste – pra, të Norës – e cila, para se të shndërrohet në grua dhe bashkëshorte, dëshiron të mbetet femër. Nëpërmjet Norës, në plan të parë të shfaqjes, në fakt, do të vendoset liria e individit, gjegjësisht, e drejta e gjithkujt për të jetuar ashtu siç dëshiron...
Express: Po problematika?
Budima: Problematika e shfaqjes qëndron në atë se, ajo ilustron një sjellje morale-sociale në ditët e sotme. Henrik Ibsen ishte ndër dramaturgët të rrallë që qysh në shekullin e 19’të dinte të ndante shumë me saktësi moralin nga amorali, ose religjionin nga joreligjioni, duke kundërshtuar kështu edhe vetë Shakespeare’in.
Express: Çfarë është teksti dramaturgjik? Cilat janë ndryshimet në të?
Budima: Teksti është adaptuar në pjesën më të madhe të tij. Përzgjedhja, respektivisht seleksionimi i tij ndërlidhet edhe me nivelet emotive. Sepse, nëse në një dramë nuk identifikohemi me autorin, atëherë është fare pak e besueshme që në teatër do të mund të lirohet një energji e madhe, nga e cila mund të realizohet një projekt teatror. Mirëpo, nëse në një tekst dramaturgjik, qoftë edhe vetëm për një moment, gjendet ajo që na shqetëson, atëherë adaptimi i tij sigurisht që merr një prej drejtimeve të duhura. Pra, dua të them se, pavarësisht asaj se a kemi të bëjmë me një dramë origjinale, apo të adaptuar, në të zakonisht duhet të ekzistojë edhe truri i regjisorit. Pavarësisht rrethanave, regjisori duhet të jetë në gjendje që të inskenojë një dramë të tij personale.
Express: Pse po punohet pikërisht në Teatrin Kombëtar?
Budima: Për mua, emri i vendit të punës nuk është shumë me rëndësi. Ajo që ka rëndësi është skena dhe mënyra e organizmit të saj. Gjithashtu, shumë e rëndësishme është edhe se në çfarë mënyre ndërlidhet sektori burokratik me atë teknik. mendoj se edhe në teatrin Kombëtar mund të realizohet një “open theatre”. Tekefundit ishte ky një propozim që erdhi nga vetë kjo shtëpi teatrore.
Express: Raportet me ansamblin aktoresk?
Budima: Me disa kisha rastin që të takohesha edhe më herët, me disa të tjerë për herë të parë u takova në skenë. Për momentin jam shumë i kënaqur me kontributin e të gjithëve. Disiplina, spontaniteti, dhe respekti ndaj njëri-tjetrit paraqesin disa prej aspekteve themelore për sukses në këtë zanat. Deri më tani, duket se ekipi i ka të gjitha.
Express: Kush e interpreton rolin e Norës?
Budima: Teuta Krasniqi, një aktore shumë e talentuar, të cilës i jepet rasti që të realizojë një rol të jashtëzakonshëm. Në këtë mes, nuk duhet të harrohet fakti se teksti është jashtëzakonisht i vështirë, dhe se “Nora” është ndër personazhet e rralla që imponohet, nëpërmjet një zhvillimi të vazhdueshëm emotiv - prej prologut, e deri në epilog.
Express: Kur pritet premiera?
Budima: Në një ditë të madhe për Kosovën, më 12 qershor.