E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mafia sllave, ryshfet 150 mije euro shqiptarit që luan të Novara

Ndeshja e Kupës së Italisë mes Kievos dhe Novarës, më 30 nëntor 2010, është një nga më të përfolurat në skandalin e trukimeve që ka përfshirë futbollin italian. Manipulimi i kësaj sfide ka treguar se çfarë ndodhte në të vërtetë në Itali, ku futbollistë shumë të njohur, korruptoheshin nga mafiozë të këtij sporti. Për këtë takim, ka qenë klani sllav i mafias, i kryesuar nga Almir Gegiç, që ka arritur ta trukojë. Në rrëfimin e tij që ndodhet në duart e prokurorëve, ish-futbollisti e Kremonezes Karlo Xhervazoni, tregon se paratë nga ana e Gegiç, iu dorëzuan shqiptarit nga Kosova Rijat Shala, asokohe futbollist i Novarës. Bëhej fjalë për 150 mijë euro, të cilat më pas do të shpërndaheshin për lojtarët e përfshirë në këtë skemë manipulimi, si portieri Fontana apo sulmuesi Nikola Ventola. “Madje, - thuhet në urdhër-arrestin e Prokurorisë, - menjëherë pas kësaj, ata u vunë në kontakt me Xhervazonin, duke i kërkuar që të kishin kontakte të mëtejshme me Gegiç, për trukimin e ndeshjeve të tjera”. Një prej tyre ishte sfida e 2 prillit 2011, mes Novarës e Askolit. Madje, për këtë pati një takim mes mafias sllave dhe lojtarëve në një bar të Novarës. Ndërkohë, ndeshja e Kupës së Italisë mes Kievos dhe Novarës përfundoi me fitoren 3-0 të veronezëve, falë dopietës së Granoçes dhe golit të De Paulës në fund.
Takimi
Për të trukuar ndeshjes mes Kievos dhe Novarës, në hotelin ku qëndronte e grumbulluar Novara, ka shkuar vetë maqedonasi Hristian Ilievski, “kapo” i mafies ballkanase. Takimi është zhvilluar në hotel dhe aty është vendosur për gjithçka. Novara duhet të humbiste thellë dhe në të vërtetë ashtu ndodhi. Më pas, Gegiç ka shkuar t’u japë paratë lojtarëve dhe ia ka dorëzuar ato Rijat Shalës. Ky i fundit më pas i ka ndarë sipas kontributit, pasi një pjesë e futbollistëve nuk pranuan të bëheshin palë. Menjëherë pas kësaj, klubi i Novarës ishte në qendër të trukimit, teksa lojtarët dukeshin përherë dakord.
Shqiptarët
Skandali i basteve i plasur dy ditë më parë ka në qendër të tij edhe disa shqiptarë. Safet Altiç konsiderohet nga organi i akuzës si shqiptar, por ai dyshohet se është shqiptar i Malit të Zi. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kujtim Qoshin, ndërkohë që mbetet anonim Armand Caca i arrestuar pak muaj më parë. Një tjetër emër i lakuar është ai i Rijat Shalës, njeriu që shpërndau lekët për futbollistët e Novarës pas disfatës 3-0 kundër Kievos. Kosovari është pjesë e klubit zvicerian të Luganos, por ende nuk ka luajtur asnjë ndeshje këtë sezon.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›