Ndëshkimi
Kemi ardhë në metrat e fundit të fushatës. Pyetja që më ka ngacmuar më shumë gjatë gjithë kësaj kohe asht se për çfarë i duhet Sali Berishës pushteti më tej?
Në Shqipëri votojnë për herë të parë qytetarë që, kur kanë lindë, të parën gjë që kanë pa në TV ka qenë surrati i Sali Berishës, gjëja që kanë pa më shumë herë në TV, ka qenë po surrati i Sali Berishës, emri që kanë ndigjuar më shumë ka qenë emri i Sali Berishës, zhurma që i ka shoqëruar më shumë gjatë gjithë jetës së tyre ka qenë "Sali Berisha", në pushtet apo në opozitë, frika që i ka kapluar më shumë ka qenë, po ashtu, "Sali Berisha".
Njeriu për të cilin po folim, i ka bërë të gjitha gjërat që mund të bëjë një politikan: i ka shërbyer qorrazi një sistemi eksperimental diktature, për 25 vjet rresht, ka përfituar bajagi prej këtij sistemi, falë edhe vullnetit të tij intelektual
(më besoni, nuk dua t'i mohoj asnjë meritë patriotit tim, Sali Berisha), ka shfrytëzuar një moment kthese gjithëkontinentale, në fund të një procesi të zhvilluar në një vend të fundit, për t'i mbajtë qytetarët e Shqipërisë peng të instinkteve të tij, dëshirave të tij, vullneteve rreth tij, njësoj si dikur ish-Mbreti e më vonë diktatori absolut, periudhat e të cilëve, kemi thanë me qindra herë se i përkasin vetëm historisë.
Sali Berisha asht ngjitë në pushtet, mbasi ka sharë të parë e të mbramë, asht rrëzuar bashkë me shtetin prej kartoni që ndërtoi, duke e lënë vendin në anarki të plotë.
Mbas 8 vjetësh opozite të zhurmshme asht ngjitë prapë, falë dy faktorëve: së pari, ka arritë me mbajtë nën kontroll opozitën më të madhe në vend dhe, së dyti, ka shfrytëzue paaftësinë e kundërshtarëve politikë në zgjedhjen e taktikës elektorale.
Shqipëria asht sot vend i NATO-s dhe pothuajse kandidat për në BE. Pasojë e politikanëve të dobët e të korruptuar, ky vend ka humbë shumë kohë në procesin e përfshirjes në BE.
Asht e çuditshme se pikërisht këta politikanë, kur vjen çasti i vonuar për të hedhë noj hap, që i intereson Perëndimit, jo vetëm që s'kërkojnë falje, por rrahin gjoksin e bërtasin për lavdinë e tyre.
Europa e Bashkuar nuk ka sot asnjë politikan që e ka udhëheqë vendin e vet që prej fillimit të viteve '90-të. Aq më pak politikan që asht rrëzu një herë me votë nga populli i vet.
Sali Berisha ka "meritë" personale në ruajtjen e pozicionit të njeriut në krye të opozitës. Në një sistem demokratik, kushdo që e ruan këtë pozicion, edhe beterr qoftë, asht potencialisht personi që mund të bëjë rrotacionin.
Këmbëngulja e këtij njeriu me u ngjitë prapë në pushtet, asht për t'u marrë si shembull i vullnetit njerëzor, drejt së pamundurës. Sali Berisha pati fat të madh më 2005-ën, kur e majta u nda më dysh, e ashtu e ndame miratoi një sistem zgjedhor me një raund.
E dimë të gjithë atë shprehjen "paç fatin e putanës". Për ata që merren me politikë duhet me ju thanë "paç fatin e Sali Berishës"! E majta mori disa dhjetëramijëra vota më shumë dhe nuk arriti me dalë fituese.
Kur Sali Berisha, bëri të pamundurën realitet, pra, rierdhi në pushtet, asnjë prej udhëheqësve botërorë të kohës së tij, përjashtuar diktatorët e disa vendeve afrikane ose aziatike, nuk ishte aktiv.
Në asnjë prej vendeve të Europës Perëndimore nuk kishte në krye udhëheqës të fillimviteve '90-të. Ky fakt tregonte standardin e shoqërisë shqiptare, e cila nuk ishte në gjendje të gjeneronte breza të rinj udhëheqësish, duke treguar se ishte e rikapur prej diktatorësh.
Europa e pas vitit 1990 nuk ka ricikluar asnjë politikan sa Sali Berishën. Ai asht sot i vetmi ish-komunist në krye të një vendi të NATO-s dhe aplikanti për kandidat në BE. Udhëheqësit e kohës së Sali Berishës ose kanë vdekë fizikisht, ose politikisht. Po mirë, aspirojmë ne me hy në Europë apo jo?
Sali Berisha u bë edhe një herë nuse e nuk diti me nusërue. Dy kohët e qeverisjes së Sali Berishës ngjajnë si dy shina paralele. Salihi i Parë erdhi në pushtet në emër të luftës kundër komunizmit, por demonstroi veset, autoritetin, e veprimet e një komunisti të përkryer, duke u hequr qytetarëve deri edhe të drejtën e votës së lirë. (Mjafton me kujtue vitin 1996).
Salihi i Dytë erdhi në pushtet në emër të luftës kundër korrupsionit, por demonstroi sjelljen e një kryetari të një familjeje të korruptuar që kontrollon në mënyrë të paligjshme, deri edhe vrastare, të gjitha pasuritë e qytetarëve shqiptarë.
Në qeverisjen e dytë, Sali Berisha bëri shumë punë në terren (u betova se nuk do t'i humbas asnjë meritë të tij), bëri një reformë fiskale, ndërtoi rrugë, ujësjellësa, shtoi rrogat, etj., por...por...krijoi pasiguri, siç di vetëm ai, për jetën e qytetarëve.
Sali Berisha shkeli Kushtetutën më shumë se 10 herë; mori në qeveri kundërshtarë politikë, e i bëri të tijtë (njësoj si dikur Kryeministri paraardhës), njerëz të cilët më parë i kishte akuzuar për korrupsion; u dorëzua përpara presionesh politike që vinin nga lëvizjet fluide në Parlament, duke lënë zonë të lirë për korrupsion; vuri nën presion organet kushtetuese për t'i kontrolluar; largoi nga puna mijëra profesionistë, kundërshtarë politikë; përqendroi kapitalin në një oligarki të drejtuar prej tij nëpërmjet privatizimeve strategjike; la hapësira për rritje çmimesh të mallrave bazë ushqimore etj.
Pasojë e gjithë këtyre ishte rritja e varfërisë dhe polarizimi i skajshëm i shoqërisë shqiptare, brenda një kohe shumë të shkurtër. Më në fund Sali Berisha u kap me presh në dorë, në trafikun ndërkombëtar të armëve.
Ai i shpalli luftë kujtdo (edhe drejtësisë) që do të thoshte "Sala lakuriq".
Po të bësh një krahasim të thjeshtë, kupton se modeli qeverisës i Salës është i njëjtë me modelin e të kënduarit të Çiljetës.
I keni parë nëpër tribuna tek këndojnë së bashku "Shqipëria po ndr(y)ishon"? Sala dhe Çili janë përfaqësuesit e një agresioni psikologjik që politika dhe arti mediokër, jashtë çdo standardi, mund t'i bëjnë një shoqërie moderne.
Pushteti politik i Salës, i cili mund të qeverisë në çdo lloj mënyre, përveçse demokratike, ashtu si "pushteti" artistik i Çilit, që mund të këndojë me gjithçka tjetër, përveçse me zë, e plot të tjera si këto, janë modele të përçmueshme që duhen ndëshkuar nga shoqëria shqiptare, i pari me votë të lirë, ndërsa i dyti me konkurrencë vlerash.
Qytetarët shqiptarë, para se të shkojnë në kutitë e votimit, duhet të pyesin veten se kush është më e rëndësishme: shteti ligjor apo një rrugë fshati? Siguria e jetës apo lyerja e një shkolle? Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik apo bum-bumet e përkohshëm? Fundmuaji i tyre apo fundjavët e bosëve mafiozë me pushtet politik?
Sali Berisha pritet me u ndëshku në mënyrë përfundimtare nga qytetaria shqiptare. Modeli i Shqipërisë folklorike po shkon drejt fundit të pakthyeshëm.