Çfarë fitoi profesorati nga qeverisja e djathtë?
Në dhjetor të vitit 2004, pas një greve të gjatë të punonjësve universitarë, qeveria e atëhershme pranoi të ulej në tryezën e bisedimeve me një përfaqësi të grevistëve. Bisedimet përfunduan me një marrëveshje xhentëlmenësh, në të cilën u morën parasysh pjesa dërrmuese e kërkesave të profesoratit.
Ndër këto kërkesa ishin rishikimi i sistemit të pagave të punonjësve mësimorë e ndihmës dhe rritja e tyre në nivele të pranueshme dhe të krahasueshme me pagat e punonjësve të kualifikuar dhe të pakualifikuar të administratës civile, rivlerësimi i pagesës për njësi mësimore, miratimi i statusit të profesorit dhe i statusit të studentit si dhe rishikimi e rivlerësimi i shumë përbërësve të ngarkesës mësimore të pedagogëve.
Qeveria Nano arriti të zbatonte pikën e parë të marrëveshjes, rritjen e pagave, gjë që jo vetëm stimuloi punën e trupës mësimore dhe ngushtoi hapësirat e korrupsionit, por edhe i bëri tërheqëse universitetet për studentët cilësorë.
Pikat e tjera të marrëveshjes mbetën për t'i zbatuar qeveria e re që erdhi pas zgjedhjeve të korrikut 2005.
Sindikata e Punonjësve Universitarë, që u krijua pas grevës, e nisur nga logjika se ndërrimi i qeverisjes nuk do të thotë kurrsesi braktisje e detyrimeve të shtetit për të zbatuar marrëveshjet e nënshkruara, iu drejtua menjëherë qeverisë së re që erdhi në korrik 2005, me kërkesën për zbatimin e pikave të tjera të marrëveshjes.
Në mungesë të një reagimi ndaj kërkesave të saj, Sindikata gjatë këtyre katër vjetëve i është drejtuar me një mori letrash Ministrisë së Arsimit, Qeverisë dhe Komisionit Kuvendor të Arsimit, duke kërkuar me anë të tyre takime e ballafaqime, por çka arriti ishin vetëm një takim me zëvendësministren Adriana Gjonaj dhe një dëgjesë në Komisionin Kuvendor të Arsimit. Jo vetëm kryeministri, po as ministri i mëparshëm Pollo dhe ministri në detyrë nuk denjuan të uleshin me përfaqësuesit e Sindikatës.
Tani, pas katër vjetësh e gjysmë, në mbyllje të mandatit të kësaj qeverie, është e natyrshme të bëjmë një bilanc, i cili, po e themi paraprakisht, është negativ. Profesorati i universiteteve publike sot është i shpërfillur dhe i denigruar si moralisht, edhe materialisht. Krahasuar me kolegët e tyre të universiteteve private, ai ndodhet në pozita të palakmueshme.
Në planin moral, denigrimi filloi dhe mbaroi me akuzat ndaj profesorëve për korrupsion si prej kryeministrit, edhe prej ministrit të Arsimit. Ky qëndrim, i nyjëtuar herë-herë me tone patologjike, u konkretizua pastaj me kufizimet e moshës për zgjedhjen e drejtuesve, që përjashtuan një pjesë të mirë të profesoratit nga e drejta për të konkurruar dhe për t'u përfaqësuar në organizmat drejtues të fakulteteve dhe të rektoratit.
Si rrjedhim, sot shumë departamente kanë rënë në duar të rinjsh me gradën e doktorit, po pa stazhin dhe përvojën e duhur pedagogjike e shkencore të nevojshme për të drejtuar njësi mësimore-shkencore.
Në këtë mënyrë, posti i përgjegjësit të departamentit, që në gjithë botën mbahet nga profesorët më të kualifikuar, ka përfunduar në një post menaxheri.
Kurse profesorëve më me përvojë u është ngarkuar detyra e gomarit në dasmë: të udhëheqin masterat dhe doktoratat pa asnjë shpërblim, apo në rastin më të mirë, kur kjo është mbi normën mësimore, me rreth 30-50 mijë lekë, ndërkohë që shteti merr pjesën e luanit nga kuota që paguajnë kandidatët.
Masa të tilla, që nuk i kemi jetuar as para viteve '90, kanë sjellë tërheqjen e profesorëve dhe mbylljen e tyre në projektet vetjake.
Sa u përket akuzave për korrupsion, gjatë këtyre katër vjetëve janë proceduar jo më shumë se 10 pedagogë, dmth. më pak se 1% e numrit të përgjithshëm të punonjësve mësimorë universitarë.
Krahasuar me korrupsionin e qeverisë, 3 ministra të së cilës, ose 20% e kabinetit qeveritar, janë në procese gjyqësore apo janë shkarkuar për korrupsion, del se korrupsioni në universitete është 20 herë më i ulët se korrupsioni qeveritar.
Në planin material, diskriminimi i profesoratit është shfaqur në shumë elemente të pagës së tyre. Fillimisht, u hoq paga e trembëdhjetë, një e drejtë e fituar falë trysnisë sindikale. Pastaj, në emër të luftës kundër korrupsionit, u abrogua ligji që lejonte shpërblimin e punonjësve me 10% të të ardhurave të nxjerra nga vetë fakultetet. Kjo ishte thjesht një masë për të fryrë financat e shtetit.
Edhe nëse kishte korrupsion, ky mund të luftohej me masa të tjera, p.sh. duke i derdhur këto të ardhura në fondin e pagave dhe duke i shpërndarë përpjesëtimisht sipas piramidës së pagave, ashtu siç bëjnë shumë universitete në botë.
Sot edhe paga mujore e profesorit është më e ulët se katër vjet më parë. Nëse më parë paga nominale ishte 105 mijë lekë, me një vendim të fundit të qeverisë, ajo ka rënë në 103,5 mijë lekë. Pra, asnjë indeksim për katër vjet, asnjë rritje, në një kohë kur të gjitha pagat e tjera të larta janë rritur herë pas here.
Pra, marrëveshja e arritur në dhjetor 2004 përfundoi në koshin e plehrave. Asgjë, veç premtime të thata, për statusin e studentit. Ngarkesat mësimore janë rritur, duke i detyruar pedagogët të bëjnë 2000 e ca orë punë në vit, njëlloj si punonjësit e administratës.
Madje, në ndonjë universitet puna ka arritur deri aty sa pedagogët të detyrohen të paraqiten çdo ditë në punë dhe të pengohen nga pjesëmarrja në veprimtari shkencore të fushës, gjë që nuk ka ndodhur as në diktaturë.
Për statusin e profesorit qeveria ka marrë së fundmi një vendim që nuk i përgjigjet asaj çka ka kërkuar Sindikata, një vendim që trajton vetëm aspektin e pensionit, po jo elementet e tjera të statusit. Por edhe për sa i përket pensionit, ky vendim është i papranueshëm për Sindikatën dhe do të kontestohet në të ardhmen.
Shkurt, duke mbyllur këtë bilanc negativ pa hyrë në shumë hollësira të tjera, mund të themi se qeveria Berisha mund të cilësohet si një qeveri e dialogut me vetveten, një qeveri që ka vendosur sipas parimit vetë zot e vetë shkop, pa u konsultuar me palët e interesuara, siç ndodh në vendet demokratike.
Është e qartë se profesorët, po edhe gjithë shqiptarët nuk do të donin të kishin edhe katër vjet të tjera një qeveri që nuk ka sjelljet e një qeverie demokratike.
Profesorët duan një qeveri që të dëgjojë fjalën e tyre, pasi janë pjesa më e kualifikuar e shoqërisë, ata duan një qeveri që t'i çojë në normalitet gjërat që deri tani kanë qenë jonormale.
Dhe në fushën e pensioneve, kthim në normalitet do të thotë zbatim i pikës 4 të nenit 32 të ligjit për Sigurimet Shoqërore nr. 7703 të vitit 1993, i cili përcakton se pensioni "do të jetë 75 për qind e pagës neto mesatare të 3 vjetëve rresht të 10 vjetëve të fundit të punës..."
Është jonormale dhe një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, po edhe e ligjit të miratuar po nga kjo shumicë që 18 vjet pas përmbysjes pensionet të jenë në shifra qesharake. Jo vetëm asnjë shtet demokratik, po edhe asnjë diktaturë, e djathtë apo e majtë, nuk ka vënë dorë mbi pensionet.
Regjimi që shkoi, të cilin e anatemojmë rast e pa rast, e vendosi sistemin e pensioneve që në vitin 1945, një vit pas Luftës, kur vendi ishte gërmadhë dhe financat e shtetit ishin bosh, dhe pensionet e asaj kohe për shumicën dërrmuese ishin të mjaftueshme për të përballuar nevojat e jetës.
Me nivele të tilla pensionesh që janë poshtë nivelit minimal të pagës, nuk mund të mëtojmë të integrohemi në Bashkimin Europian, në një kohë kur edhe fqinjët që kanë dalë nga i njëjti sistem, kanë pensione normale, pa folur për Italinë apo Greqinë.
Zbatimi i ligjit për Sigurimet Shoqërore, veç që do ta vinte në vend dinjitetin dhe të drejtën elementare për t'u siguruar në pleqëri të atij që ka paguar sigurimet për këtë 30-50 vjet, por edhe do t'i jepte një mbështetje të gjerë popullore qeverisë që do ta bënte një gjë të tillë. Zbatimi i këtij ligji do t'i jepte fund edhe lobimit të lloj-lloj grupeve për statuse, lobim që do të thotë sigurim i përfitimeve të një grupi në kurriz të shumicës.