Ndezën zjarre, arrestohet 26-vjeçari në Maliq, nën hetim i moshuari në Librazhd

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Dy shtetas, të dyshuar për zjarrvënie, janë vënë përpara përgjegjësisë ligjore nga Policia.
Një 26-vjeçar është arrestuar nga Policia e Maliqit pasi dyshohet se ndezi zjarr me qëllim hapjen e kullotave dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj një sipërfaqe toke me bimësi dhe shkurre.
Policia njoftoi sot se është vënë në pranga shtetasi G. A., 26 vjeç, banues në fshatin Pirg.
Sipas Policisë, nga hetimet dyshohet se ky shtetas, më datë 30.07.2025, rreth orës 15:00, ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Arat e Sulës”, mbi fshatin Leminot, me qëllim hapjen e kullotave të reja, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve nga era, është djegur një sipërfaqe toke me bimësi dhe shkurre.
Gjithashtu edhe në Librazhd është vënë në hetim një 76-vjeçar, i cili dyshohet se ndezi zjarr në pyllin e fshatit Xhyrë dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj një sipërfaqe toke me shkurre dhe pemë.
Policia njoftoi sot se “si rezultat i veprimeve hetimore për dokumentimin e rasteve të zjarrvënieve dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin: R. B., 76 vjeç, banues në fshatin Xhyrë”.
Sipas Policisë, nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka ndezur zjarr në pyllin e fshatit Xhyrë dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe pemë.
/m.q/r.e/