Ndezën zjarre në Kavajë, Lazarat e Lushnje, 1 i arrestuar dhe 2 nën hetim

Një person u prangos dhe dy të tjerë u vunë nën hetim nga Policia, pasi u faktua se, janë autorët e zjarrvënieve në Kavajë, Lazarat dhe Lushnje.
Sipas policisë, njëri prej tyre u arrestua në flagrancë, pasi zjarri që ai ndezi rrezikoi banesat, ndërsa 2 të tjerët u proceduan në gjendje të lirë.
Si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën sipërfaqe të mëdha toke, në Kavajë, në Lazarat dhe në Lushnjë.
Në pranga ra një 65-vjeçar nga Rrogozhina, ndërsa u proceduan shtetasit me iniciale: P.K 58-vjeç dhe V.B 43-vjeçare, të cilët në Lazarat dhe Lushnje ndezën zjarre që më pas dolën jashtë kontrollit duke djegur sipërfaqe toke me mbetje gruri dhe tokë me bimësi.
Policia thekson, se do të vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të kapur dhe vënë përpara përgjegjësisë penale të gjithë ata shtetas që ndezin zjarre, si në tokat e tyre, ashtu edhe në sipërfaqet pyjore apo në kullota.
Gazetare: Flutura Tota
/RTSH/