Ndezi zjarr dhe dogji sipërfaqe toke me 600 rrënjë ulliri, arrestohet 24-vjeçari

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Një 24-vjeçar është arrestuar në Dimal pasi ndezi zjarr në fshatin ku banonte dhe si pasojë u dogj një sipërfaqe toke e mbjellë me 600 rrënjë ulliri.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, Stacioni i Policisë Dimal identifikoi dhe arrestoi shtetasin R. H., 24 vjeç, banues në fshatin Krotinë, Dimal.
24-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur disa mbeturina në fshatin Krotinë. Si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me 600 rrënjë ulliri, në pronësi të disa shtetasve të tjerë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon sërish për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.
1 nga 3