Ndezi zjarr në fshatin Kryekuq dhe flakët dogjën dhjetëra rrënjë ulliri, arrestohet 41-vjeçari

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Një 41-vjeçar është arrestuar nga policia e Divjakës pasi dyshohet se ndezi zjarr në afërsi të rezervuarit të fshatit Kryekuq, dhe si pasojë u dogjën dhjetëra rrënjë ulliri.
Policia njoftoi sot se “si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale të autorëve të rasteve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasin D. T., 41 vjeç, banues në fshatin Kryekuq”.
Sipas policisë “41-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në afërsi të rezervuarit të fshatit ku banonte, për të pastruar një sipërfaqe toke nga barishtet. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 70 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetaseje”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier u bën thirrje të gjithë qytetarëve, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.
/m.q//a.f//r.e/