Ndihem mirë në punën me komunitetin ballkano-egjiptian!
Shkolla “Xhezmi Delli” ndodhet në zonën e Xhamllikut në Tiranë. 41 % e shkollës janë të komunitetit ballkano-egjiptian. Më ka ndodhur me persona, e për fat të keq intelektualë, që pasi u tregoj se cilën shkollë drejtoj, shprehin nënvleftësim. Unë mendoj që këto persona s’janë gjë tjetër, veç dritëshkurtër, me tipare mendjemadhësie, racistë, që e shohin punën e tyre në pikëpamje krejtësisht të ngushta personale. Unë realisht ndihem mjaft mirë në këtë shkollë dhe me bindje mund të them se çdonjëri do ndjehet kështu po të punojë me këtë komunitet, mjafton të dijë ta respektojë atë, të mos qeshë me hallet e tyre, por të jetoj me to. Nëse ndodh kështu, ky komunitet di të vlerësojë shumë dhe të ndihmojë shkollën në të gjitha mënyrat e mundshme. Po e konkretizoj këtë me fakte. Mësuesit e kësaj shkolle (pjesa më e madhe e tyre kanë mbi 20 vjet që punojnë aty) kanë bërë një punë të madhe për të edukuar tek fëmijët e komunitetit tjetër respektin dhe dashurinë ndaj shokëve të komunitetit ballkano-egjiptian. Ketë e kanë filluar me uljen në banka, me përfshirjen e tyre në aktivitete, me krijimin e grupeve për ndihmesë në përparim, me përfshirjen e prindërve të këtij komuniteti në këshillat e prindërve etj. Një pjesë e familjeve të fëmijëve të këtij komuniteti kanë probleme të ndryshme sociale. Si pasojë e këtyre disa fëmijë kanë shfaqur probleme në frekuentim, të cilat kanë ndikuar negativisht në mbarëvajten e tyre në mësime. Mësuesit, përtej detyrës, kanë ndihmuar këto nxënës duke trokitur gati ditëpërditë në shtëpitë e tyre për t’i sjellë në shkollë. Ndihmesa e tyre në këto forma ende vazhdon. Me to shpesh shkoj dhe unë pasi këtë gjë ma imponuan menjëherë mësuesit e mi, jo me fjalë por me punën e tyre. Më imponuan të jem e dashur me fëmijët e këtij komuniteti aq sa ato. T’i përqafoj me gjithë shpirt këta fëmijë. Kurrë nuk thonë u lodhëm, edhe pse një pjesë e tyre kanë edhe moshën që të lodh. Unë teksa i shikoj kaq të përkushtuara për të ndihmuar këtë komunitet ndihem vërtet mirë dhe më shtohet dëshira për punë. E madje s’them kurrë u lodha, kur këtë s’e thonë mësuesit e mi. Që në ditët e para të punës time në këtë shkollë, më ra në sy mirëkuptimi i nxënësve të të dy komuniteteve, teksa i shikoja në oborrin e shkollës në pushimin e gjatë; tek luanin në lagje pas shkolle sërish bashkë; tek propozonin për në Qeverinë e nxënësve edhe nga ky komunitet, pa i referuar mësuesit. Nxënësit e këtij komuniteti përfshihen në aktivitete të ndryshme shkollore, madje ato i marrin me shumë seriozitet ato. Ia vlen të theksohet se nxënësit e kësaj shkolle organizojnë aktivitete shumë të bukura dhe janë të gatshëm për to, mjafton që t’u jepet ideja e të drejtohen nga mësuesit, të cilët edhe këtë gjë e bëjnë shumë mirë. Nuk mund të mohojmë edhe rolin e prindërve në edukimin, tek fëmijët e tyre, të respektit reciprok, pasi po të ishte vetëm roli i shkollës marrëdhëniet midis fëmijëve të të dy komuniteteve nuk do të ishin kaq të mira. Kësisoj këto sjellje të mësuesve, të nxënësve, të prindërve ndaj këtij komuniteti ndikuan pozitivisht në punën time. Tek shohin këto përpjekje të mësuesve dhe komunikimin e tyre me aq ngrohtësi, shpesh duke i përqafuar këto fëmijë, prindëit e këtij komuniteti vlerësojnë shumë ato (mësuesit) deri aty sa thonë: -Si mësueset tona nuk ka! Kjo flet qartë se ky komunitet ka nevojë për mbështetje dhe motivim. Po e gjeti këtë, ai (komuniteti ballkano-egjiptian) di të kryejë të gjitha detyrat: si prind, si qytetar, si fqinj i mirë, etj. Duke përjashtuar rastet me probleme të theksuara sociale, pasi në këto raste vëmendja zbehet edhe në komunitetet e tjera. Nuk ndodh vetëm tek ky komunitet. Por të jemi koshientë, që janë më të theksuara problemet sociale tek ky komunitet. Më duket me shumë vend për ta theksuar se komuniteti ballkano-egjiptian kujdeset dhe e ruan shkollën si asnjë komunitet. Këtë e them pasi për shkollën nuk kujdesen vetëm rojet e shkollës, por edhe komuniteti. Kjo do të thotë që tek ato është edukuar ndjenja, “shkolla është e të gjithëve dhe ajo duhet mbështetur”. Të gjitha këto duhen vlerësuar në këtë shkollë. Përpos vlerësimit të brendshëm shkollës i bëhet edhe një vlerësim i jashtëm vjetor në rang DAR-i, sipas disa kritereve të caktuara. Mirëpo, ndodh që shkolla të mos pozicionohet në një vend të mirë, edhe pse puna e mësuesve është shumë më e madhe se e atyre të shkollave të ashtuquajtura me emër (E them këtë duke u mbështetur në argumentet e sipërpërmendura). Unë mendoj që shkollat me specifika si shkolla jonë duhet të kenë edhe kritere specifike vlerësimi. Nuk flas në drejtim të standardeve të arritjes e pëmbajtjes, por në aspektet e tjera që përfshihen në vlerësimin e punës në tërësi në shkollë. Kjo mendoj, do të motivonte më shumë mësuesit e shkollës sonë të cilët e meritojnë.
Autorja e shkrimit është drejtoreshë e shkollës “Xhezmi Delli”