Brukseli: Kabineti “Berisha” po regjistron progres në përmbushjen e kushteve që garantojnë heqjen e vizave
Pas takimit me ministrin e jashtëm Lulzim Basha, zv/ministri çek Pojar, vendi i të cilit ka presidencën e BE-së ka deklaruar se Brukseli vlerësonte reformat e qeverisë shqiptare, të cilat po çonin në përmbushjen e kushteve që do të garantojnë heqjen e vizave, sipas projekt-latformës që do miratohet në fillim të muajit qershor
TIRANE - Brukseli ka vlerësuar dje progresin e reformave dhe përmbushjen e kushteve që garantojnë liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë. Këtë vlerësim e ka shprehur në emër të presidencës çeke të BE-së, zëvendësministri ia Jashtëm i Çekisë, Tomas Pojar, gjatë një konference të përbashkët me Ministrin e Jashtëm shqiptar Luzlim Basha, në përfundim të takimit të mbrëmshëm në kuadër të Këshillit të parë të Stabilizim-Asociimit që u zhvillua në Bruksel.
Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, ka hedhur poshtë dje spekulimet e opozitës lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave, duke deklaruar se raporti përfundimtar ende nuk ka përfunduar dhe se nga informacionet publike dhe deklaratat publike të zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian, Shqipëria është në rrugë të mbarë për të përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave në fillimin e vitit të parë të mandatit të dytë të qeverisë së kryesuar nga Sali Berisha.
Kreu i diplomacisë shqiptare Lulzim Basha ka deklaruar dje nga Brukseli se ka marrë mjaft sinjale pozitive për liberalizimin e vizave me fillimin e vitit të ardhshëm.
Gjatë një interviste në linjë telefonike, Basha tha se gjatë gjithë kontakteve me zyrtare të lartë të BE-së u vlerësuan mjaft përpjejet dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në drejtim të përmbushjes së detyrimeve të përcaktuara për lëvizjen pa viza të qytetarëve shqiptarë në Evropë.
“Raporti është në përgatitje e sipër, dhe është produkt i një bashkëpunimi shumë të ngushtë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave. Ky raport padyshim konstaton përparimin e dukshëm që Shqipëria ka bërë në këtë fushë, duke përfshirë këtu dhe pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike dhe karta identiteti, një proces jetik për vendin, dhe ku qeveria shqiptare ka arritur atë që nuk është bërë dot për 18 vjet me radhë, pajisjen e gjithë qytetarëve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike”, tha Ministri Basha.
Disa vende të Unionit me në krye Italinë janë bërë promotorë të përshpejtimit të procesit të liberalizimit të vizave të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor ku përfshihet
edhe Shqipëria. Brukseli disa herë ka këmbëngulur në respektimin e standardeve
dhe testi që pritet është ai i zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare
brenda standardeve ndërkombëtare, një çështje kjo për të cilën mazhoranca
ka shprehur angazhimin e saj maksimal.
Kreu i diplomacisë shqiptare ka kujtuar dhe vlerësimet e ndërkombëtarëve të cilat kanë qene tërësisht pozitive lidhur me progresin që Shqipëria ka bërë, në kuadër të përmbushjes së detyrimeve të cilat përbëjnë kusht për liberalizimin e vizave.
“Dëshiroj të theksoj se të gjithë sinjalet që kanë ardhur deri më sot, dhe publiku shqiptar i di këto sinjale që janë deklarata e Zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian Barrot në Tiranë, apo e Ministrit të Jashtëm italian Frattini po në Tiranë, por edhe në Bruksel dhe në Romë, apo e Ministrit të Jashtëm francez Kushner gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në Francë ku u takua me Presidentin Sarkozi, qartësisht vlerësoi progresin e Shqipërisë, në drejtim të këtyre standardeve”.
Duke kujtuar premtimin e Kryeministrit Berisha se gjatë mandatit të tij të dytë qeverisë shqiptarët do të lëvizin pa viza, Basha tha se “I qëndrojmë asaj që kemi thënë, të cilës i mbetemi, që Kryeministri Berisha në fillim të mandatit të tij të dytë do të bëjë realitet edhe këtë ëndërr, të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, ashtu siç bëmë realitet NATO-n, ashtu siç bëmë realitet atë që bëmë për Bashkimin Evropian”.
Ministri Basha i ka vlerësuar deklaratat e opozitës lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave si tërësisht qesharake.
“Në këtë kuadër i cilësoi këto deklarata tërësisht elektorale dhe qesharake”, tha Ministri Basha.
Ministri Basha tha se progresi i Shqipërisë është tërësisht i dukshëm dhe i pranueshëm ndërkombëtarisht. Shefi i diplomacisë shqiptare ndodhet në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e Stabilizim Asociimit të Bashkimit Evropian me Shqipërinë, një strukturë e re e fituar nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe aplikimit të Shqipërisë për në Bashkimin Evropian.