Server: Serbia do ketë gjithmonë probleme me SHBA-të, derisa të njohë pavarësinë e Kosovës
“Kosova ka shumë nevojë jo vetëm ndihmën ekonomike, por edhe politike e diplomatike të Shteteve të Bashkuara” tha në intervistën e posaçme për Radio Kosovën, zëvendës shefi i Institutit Amerikan për Paqe, Daniel Server. Ai gjithashtu tha se Serbia do të ketë probleme në raportet e saj me SHBA-të për aq kohë, sa të mos e njohë Kosovën
Zotëri Server, fillimisht, cila vlerësoni se është rëndësia e vizitës së zëvendëspresidentit amerikan Joseph Biden për vendet e Ballkanit në këtë periudhë?
Mendoj se është sinjal në njëfarë mase i vëmendjes së qeverisë amerikane për Ballkanin. Kjo vëmendje nuk është në listën e top prioriteteve, por vizita e zëvendëspresidentit tregon se Shtetet e Bashkuara ende janë të interesuara për Ballkanin.
Prishtina, Beogradi dhe Sarajeva janë zgjedhur për vizitë. A është ky sinjal se këto kryeqendra konsiderohen problem, apo se ato kërkojnë më shumë vëmendje amerikane?
Të dyja njëkohësisht. Ato ende konsiderohen problem dhe për këtë kanë nevojë për vëmendjen amerikane. Problemet kryesore të qarta. Është shpall pavarësia e Kosovës dhe një numër i shteteve e ka pranuar pavarësinë. Por, ende kemi mos njohje nga Serbia dhe në anën tjetër disa pjesë të Kosovës ende janë nën kontrollin e Serbisë. Në Bosnjë ndërkaq, problemi kryesor është uniteti i shtetit dhe aftësia qeverisëse e shtetit. Në Serbi, sipas pikëpamjes sime problemi kryesor është reformimi i shërbimit të sigurisë i cili është i bllokuar.
Liderët në Kosovë e cilësojnë vizitën e zotëri Biden historike. Për çfarë lloji të mbështetjes amerikane ka nevojë Kosova në vitin e dytë të shtetësisë?
Kosova është duke marrë ndihmë amerikane. Mirëpo, edhe më e rëndësishme për të mendoj se është mbështetja politike. Këtu flas në veçanti për asistencën amerikane në drejtim të zgjerimit të njohjeve nga vendet tjera. Pra nuk bëhet fjalë vetëm për ndihmë materiale, por edhe për ndihmë politike dhe diplomatike.
Dhe, çfarë rreth Serbisë. A janë dallimet rreth Kosovës vërtetë problem për raportet SHBA-Serbi?
Serbia do të donte që kjo të mos paraqiste problem. Por, në fakt mendoj se ky është problem për amerikanët dhe për sa kohë që Serbia të mos njohë Kosovën dhe të vazhdojë të provojë të mbajë kontrollin nëpër disa pjesë të Kosovës, kjo do të konsiderohet problem nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si mund të zgjidhet kjo çështje?
Mund të zgjidhet përmes njohjes dhe përmes tërheqjes nga pretendimet territoriale. Por, kjo nuk do të ndodhë shpejtë sepse politikanët në Serbi janë mbyllur brenda pozitave të tyre aktuale. Shpresoj që Biden të ketë bisedë shumë miqësore me ta për këtë çështje dhe t’u thotë ate të vërtetën, që e dimë të gjithë: se Serbia nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian pa e njohur Kosovën.
A janë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian plotësisht të koordinuara rreth rrugës për integrimin euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor?
Në përgjithësi po, megjithatë, mendoj se nevojitet bashkërendim më i hollësishëm për probleme të caktuara, siç është ai i nevojës së reformimit të Kushtetutës së Bosnjës. Po ashtu ka disa probleme tjera, si ai i zgjerimit të regjimit të vizave Shengen për Serbinë, gjë e cila mendoj se do të shkaktojë probleme në Ballkan. Pra, ka çështje për të cilat konsideroj se janë të nevojshme konsultime intensive ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për çështjet që mund të shkaktojnë probleme në Ballkan.
A është Ballkani prioritet në raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian?
Po, mendoj se Ballkani është prioritet në raportet ndërmjet SHBA-ve dhe BE-së. Amerikanët duan që Bashkimi Evropian të mbajë barrën kryesore dhe për këtë arsye unë mendoj se Ballkani është prioritet në këto raporte.
Sipas jush: a mund të konsiderohet Ballkani tani rajon në të cilin tashmë është vendosur paqja e qëndrueshme apo sërish ekziston mundësia e tensioneve?
E dini, kemi kaluar shumë nga problemet në Ballkan, por jo të gjitha. Sidoqoftë, numri i problemeve të mbetura është shumë i vogël. Pavarësia e Kosovës, uniteti i Bosnjës dhe emri i Maqedonisë janë tre, që mund të ngritën në nivel të lartë të vëmendjes politike. Por, për të tretë, më duket mua, ka burime të shumta të adresimit dhe ato duhet të zgjidhen.