E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihem pak Roth



Në moshën 76-vjeçare, Philip Roth thotë se e ndjen gjithnjë e më shumë barrën e avancimit të moshës. Në këtë intervistë ai shpjegon marrëdhëniet e tij me të shkruarit. Tregon Amerikën e tij. Dhe ai merr leje (shkëputet) prej alteregos së tij. Romani i fundit i shkrimtarit amerikan, titulluar “Indignation” –“Indinjatë”, i konsideruar nga kritikët amerikanë si një nga më të mirët e tij, i vendosur në kohët e Luftës së Koresë, ka si protagonist të saj një njeri, i cili ra në konflikt dhe i drejtohet lexuesit nga varri i tij

Philip Roth është 76 vjeç - në fakt ka lindur në Newark, të New Jersey, në mars 1933 - dhe ka shkruar për gati 50 vjet. Në librat e tij janë bazuar filma nga më të ndryshmit, si "Human Stain", aktruar nga Nicole Kidman dhe "Elegjia” me Penelope Cruz. Megjithatë, me kalimin e kohës, temat e 23 romaneve dhe tregimeve të panumërta, të shkurtër, kanë ndryshuar. Njëherë e një kohë personazhet e tij viheshin në lëvizje nga një pikëpamje optimiste-satirike e jetës më shumë (enfasi) mbi seksin (thjesht mund të përmendet “Il lamento di Portnoy”-t - “Ankesa e Portnoy-t”). Sot, megjithatë, ato (personazhet e tij) pështjellin dhe përcjellin frikë, keqardhje dhe parandjenja vdekjeje. Romani i fundit i shkrimtarit amerikan, titulluar “Indignation” – “Indinjatë”, i konsideruar nga kritikët amerikanë si një nga më të mirët e tij, i vendosur në kohët e Luftës së Koresë, ka si protagonist të saj një njeri, i cili ra në konflikt dhe i drejtohet lexuesit nga varri i tij.

Z. Roth, ky roman shënon një pikë kthese që pasqyron marrëdhënien tuaj me moshën e vjetër?

-Kam frikë se po, them se po.

Çfarë nënkuptoni me “them”? Kjo nuk ishte një zgjedhje e ndërgjegjshme?

-Le të themi se ato që më udhëheqin janë interesat e mia në lidhje me botën. Kur zgjedh një temë, e bëj në mënyrë të vetëdijshme. Por, sot, unë do të isha i paaftë për të shkruar vetëm rreth të lumturës apo vetëm argëtimit. Pas zgjedhjes sime nuk ka asgjë të ngjashme me ndonjë ideologji; dhe as ndonjë planifikim të punës sime. E përsëris, ajo që shkruaj është gjithnjë spontane dhe vetëm pasqyrim i interesave të mia dhe asgjëje tjetër. Mosha e vjetër po afrohet... nuk po afrohet, ka ardhur. Por kam shumë lexues të rinj.

Libri juaj i fundit kujton atmosferën e kolegjeve të përshkruara në disa novela hansburgiane, për shembull “konfuzionet e të riut Torless” nga Robert Musil. Një djalë ndihet i shtypur, i thyer në shpirtin e tij, në një përpjekje për t’ia nënshtruar shpirtin konformizmit. Drejtori i Kolegjit të përshkruar në libër është mishërim i së keqes, i veshur me qëllime të mira. Ose me fjalë të tjera: ai është mizoria vetë, i maskuar me angazhimin pedagogjik.

-Termi “e keqe” është i tepruar. Gjuha, tingulli i zërit i këtij personazhi është përfaqësues i periudhës së viteve ’50-të, periudha kur zhvillohen ngjarjet. Në atë kohë nuk ishim koshientë sesa represivë ishte realisht shteti. Pastaj erdhën vitet ‘60-të. Historia zhvillohet mes periudhës së qeverive Truman dhe Eisenhower. Ëndrrat e të rinjve ishin të populluara me fitore sportive, nxitëse tifozësh dhe djelmoshat në një Chevrolet ...

Tek djelmoshat është arritur më vonë, pas vrasjes së John F. Kennedy. Atëherë, pse flitet për të tek “Indinjata”?

-Vajza në libër paraprin kohët, është një shpirt i lirë.

Në rastet tipike, protagonistët tuaj janë meshkuj: Nathan Zuckerman, David Kepesh. Njerëzit që janë në një formë, alteregoja juaj...

-Ata të dy janë tani jashtë funksionit. Më është dashur të organizoj më mirë materialet e mia. Zuckerman më ka dhënë mua një perspektivë, duke më ndihmuar për të qartësuar idetë e mia. Kepesh është ai i cili ka kaluar nëpër faza të ndryshme për t’u bërë Kepesh, duke adaptuar tre personalitete të ndryshme, secili prej tyre ka eksperienca të ndryshme seksuale. Zuckerman është më i gjallë dhe në shumë aspekte të tjera, natyrisht.

Zuckerman është një prani, i heshtur, edhe kur ju jeni larg nga tryeza e punës?

-Jo, këto personazhe kanë jetuar gjithmonë vetëm brenda trillimeve. Ato janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën me ngjarjet e romaneve të mia.

Ju shkruani shpejt. Ndërsa për shembull Thomas Pynchon, i cili është gati të botojë romanin e tij të ri, është shumë i ngadalshëm, sepse arrin të ndahet nga personazhet që ai krijon. Kjo i bën ata të jetojnë përsëri në librat e tij me të njëjtët emra?

-Jo, por disa kanë të njëjtën paranojë.

A mendoni se Pynchon është paranojak?

-Jo, aspak. Ai është realist.

Në veprat e tij ai në fakt ka shkruar disa alternativa autobiografike. Pastaj kemi të bëjmë me një temë të vjetër: të jetës në familjen hebraike. Si e shihni ju të ardhmen e hebrenjve amerikanë? Asimilimi? Laicizmi?

-E ardhmja është këtu në Shtetet e Bashkuara: shumica e hebrenjve janë tërësisht laikë (të shekullarizuar).

Edhe ju?

-Unë nuk jam fetar, por jo veçanërisht anti-klerik.

Në vitet '60-të, një rabin nga New York tha për ju : "Kush do t’ia mbyllë gojën atij njeriu?” Ai vdiq pak kohë më parë. Emri i tij ishte Emanuel Rackman. A e ndoqët vazhdimin e karrierës?

-Ah, “ai njeri”, që isha unë, në atë kohë nuk ishte më shumë se 26 vjeç. E tija ishte një goditje shumë e rëndë. Isha i tërbuar nga zemërimi.

Çfarë ideje kishit atëherë për veten, si çifut?

-Para Luftës së Dytë Botërore isha një fëmijë. Në ato kohë çifutët ishin shumë të vetëdijshëm në të qenit të atillë. Ata ishin auto-referenciale, madje edhe të diskriminuar në mënyrë të dhunshme. Në vitet '30-të, anti-semitizmi u aplikua në disa aspekte të autorizuara të caktuara, madje nuk u ndalua dhe as nuk ishte një tabu. Pas Luftës së Dytë Botërore ndryshoi çdo gjë. Universitetet dhe kolegjet që nuk lejonin studentët çifutë para luftës hapën dyert e tyre për këto mendje të rinjsh, jashtëzakonisht të gjallë. Dhe hebrenjtë e rinj e dinin se kishin shumë për të bërë, për të fituar e për të lënë getot dhe për të shkuar të jetonin në rrethinat e qyteteve. Por unë nuk mendoj se “asimilimi” është termi i drejtë për çifutët amerikanë: ai (termi) jep një ide të pasivitetit dhe kërkon një klimë imponuese autoritare për t’u zhvilluar. Ky nuk është rasti i hebrenjve në SHBA, të cilët kanë zgjedhur të bëhen amerikanë (amerikanizuar), gjë që i ka kushtuar investim dhe shumë energji si proces. Tashmë nuk ka asnjë që pyet nëse personi që ka përpara është apo jo me origjinë çifute, dhe askush nuk është i detyruar të ndryshojë mbiemrin e tij. Kjo padyshim është diçka pozitive. Me përjashtimin e ndonjë fatkeqësie të papritur. Anti-semitizmi në Amerikë ka vdekur me të vërtetë.

Ndërsa nuk mund të themi të njëjtën gjë për anti-amerikanizmin rreth botës?

Në Evropë ka qenë gjithmonë një formë anti-amerikanizmi i tipit “lega”: çmenduri, injorancë. Qesharake. Por, pas zhvillimeve të tetë viteve të fundit ka bërë një rrugë të re anti-amerikanizmi i krijuar nga luftënxitës të qeverisë “Bush”, krahinorizmi i tij, injoranca e tij legjendare, lakmia e tij, mungesa e aftësisë për të gjykuar. Roosevelt ka thënë se gjëja e vetme që kishte frikë ishte frika në vetvete. Bushi e bëri frikën bazë, themel të pushtetit të tij, dhe prej këtu është fakti nga vjen forma e re e anti-amerikanizmit. Kur Barack Obama, ende në fushatë, mbajti fjalimin e tij në Berlin, të shumtë qenë ata që erdhën në kohë për të dëgjuar, ndoshta sepse qenë të kënaqur me dikë që ishte në gjendje për të rifituar nderim, respekt për Amerikën.

Do ja dalë mbanë thua?

Pas Thomas Jefferson është ndoshta Presidenti amerikan më inteligjent që ka ekzistuar.

Por çfarë mund të bëjë në situatën e sotme?

Problemet të cilat peshojnë mbi supet e Obamës janë të mëdha.

Mund të thuhet se një formë e veçantë e anti-amerikanizmit është nënkuptuar te juria suedeze në çmimin “Nobel” për letërsinë. Këtë tetor, Horace Engdahl, sekretar i komitetit për çmimin “Nobel”, tha se autorët amerikanë janë të ndikuar shumë nga tendencat e kulturës masive të vendit të tyre, gjë që shkon në dëm të cilësisë së veprave të tyre. Sipas tij, sot qendër e botës letrare është Evropa. Probabiliteti që “Nobeli” t’i jepet ose jo një tjetër shkrimtari amerikan si Pynchon, DeLillo, Auster duket të jetë reduktuar në zero...

-Por jo, nuk mund ta ketë thënë këtë. Ai tha: “Çdokush me një njohuri minimale të botës së letrave nuk mund të injorojë faktin se literatura amerikane që nga viti 1945 ka treguar forcë të jashtëzakonshme dhe në mënyrë të vazhdueshme”. Diçka si kjo mund të ketë thënë.

Një pyetje të fundit, në romanet tuaja, ju keni krijuar një imazh pasqyrë për veten tuaj apo të aspekteve të ndryshme të personalitetit tuaj. Por, nga të gjithë këto personazhe askush nuk ishte me të vërtetë i lumtur. Po ju z. Roth, jeni i lumtur?

-Unë kurrë nuk e pyes veten kush jam ose për atë që jam. Unë jam një shkrimtar që jeton me librat e tij. Procesi i të shkruarit nuk është identik me atë të kërkimit të vetvetes. Të shkruarit është i ngjashëm me një punë, bëhet për të ndërtuar një objekt, përbëhet nga karaktere, ngjarje, fjalë. Unë ia dedikoj të gjithë kohën punës.

Por a jeni i lumtur?

-Nuk e pyes veten asnjëherë.

Pse?

-Sepse nuk më intereson. Unë vetëm pyes veten nëse puna ime ecën përpara. Dhe të shkruaj një libër për mua është të jetoj. Në mëngjes, kur zgjohem, unë dua të shkoj në punë. Periudha më e keqe për mua është gjithmonë intervali midis dy libra. Në atë periudhë unë nuk e di se si t’i kaloj ditët e mia. Shkoj dy ose tri herë në muze të ndryshëm, kjo është e gjitha. E më pas unë nuk e di se si të kaloj kohën. Kam lindur thjesht për të shkruar. Dhe kur unë shkruaj, ndjehem si një makinë me rrota që ecën lirisht në dëborë.

“L’Espresso”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›