Olldashi dhe homologu italian, Matteoli, zgjidhin çështjen e autorizimeve të transportit
Ministri italian i Transporteve, z. Altero Matteoli, u angazhua për zgjidhjen e problemit të autorizimeve për transportuesit shqiptarë drejt Italisë, angazhim të cilin e mori gjatë një takimi që zhvilloi me ministrin Olldashi në Napoli. Problemi i autorizimeve të transportuesve shqiptarë drejt Italisë ndeshet çdo fund viti për shkak të numrit të kufizuar të tyre nga pala italiane. Për këtë arsye, ministri Olldashi kërkoi një shtesë të numrit të autorizimeve për shkak të kërkesave gjithnjë e në rritje të transportuesve shqiptarë drejt Italisë. Në të njëjtën ditë, ministri Olldashi zhvilloi një takim dhe me ministrin francez të Transportit, z. Dominique Bussereau, me të cilin diskutoi për vënien në përdorim të kohëmatësit dixhitalë (digital tachograf) për transportuesit shqiptarë. Ministri francez i Transporteve u angazhua të asistojë Shqipërinë në procesin e prodhimit të kartave të kohëmatësit dixhitalë, për ta realizuar atë brenda afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Këto takime u zhvilluan gjatë kohës që ministri Olldashi ishte i pranishëm në konferencën e Rrjetit Pan-Evropian të Transportit (TEN-T Days 2009) të mbajtur në Napoli me pjesëmarrjen e ministrave të Transportit të Bashkimit Evropian dhe vendeve kufitare. Qëllimi i kësaj konference ishte rishikimi dhe prioritizimi i projekteve të korridoreve kryesore evropiane, si dhe zgjidhja e kalimeve kufitare dhe bllokimeve për të gjitha llojet e transportit.