Mungojnë medikamentet, rrezikojnë jetën 17 fëmijë me SIDA
Kryetarja e Shoqatës së Personave me SIDA, bëri apel që të sigurohet medikamenti antiretrovirale për fëmijët
Alarmi
Fëmijët me virusin HIV rrezikojnë seriozisht jetën. Shkak për këtë është bërë mungesa e medikamentit që i kuron ata për t'i mbajtur në jetë sa më gjatë. Alarmin për mungesën e terapisë antiretrovirale e bëri vetë kryetarja e Shoqatës së të Sëmurëve me virusin HIV/AIDS, e cila i bëri kërkesë kreut të qeverisë, Sali Berisha, kryetares së Parlamentit, Jozefina Topallit dhe kreut të Shëndetësisë, Ndoka që të marrin masa të menjëhershme për zgjidhjen e problemit. Sipas saj, mungesat janë krijuar nga neglizhenca e shërbimit të sëmundjeve infektive në Pediatri, në QSUT, i cili nuk ka dërguar në kohë listën e medikamenteve të caktuara por burime pranë Pediatrisë pohojnë se kërkesa është bërë por medikamentet nuk kanë ardhur ende.
Rreziku
Mungesa e medikamenteve antiretrovirale po rrezikon seriozisht jetën e 17 fëmijëve me virusin HIV/AIDS. Neglizhenca e organeve kompetente ka shkaktuar këtë situatë me këtë kategori fëmijësh, të cilët janë të detyruar të vuajnë jo vetëm sëmundjen vdekjeprurëse, e cila po u rëndohet çdo ditë e më shumë për shkak të mungesë së terapisë. Sipas kryetares së Shoqatës së të Sëmurëve me virusin HIV/AIDS, kjo situatë ka nisur që prej 2 muajsh madje fëmijët tashmë janë të detyruar të përtypin medikamentet që shërbejnë për pacientët e rritur, gjë që sipas saj, jo vetëm që është e dëmshme për shëndetin por dëmton rëndë edhe imazhin e vendit para kombeve evropiane. "Një pjesë e tyre është zëvendësuar duke marrë tabletat e të rriturve dhe duke i copëtuar, por kjo është një mënyrë joefektive e zgjidhjes pasi nuk rekomandohet kjo mënyrë për t'i zëvendësuar me ilaçet e të rriturve",- thekson kryetarja e shoqatës, duke shtuar se nëse këto medikamente nuk merren për një kohë të caktuar, virusi krijon rezistencë dhe këto medikamente nëse do të fillojnë përsëri me këtë lloj mënyre, janë të paefektshme për mjekimin e sëmundjes AIDS. Ndërkohë, Kryetarja e Shoqatës së Personave me SIDA pohon se, pas kontakteve me zyrën e UNICE-it që ka siguruar deri tani medikamentet, ato duhej të vinin brenda fillimit të janarit në spital. Sipas saj, pengesë është bërë mos hartimi i listës së barnave nga pavioni i Pediatrisë për sëmundjet infektive. Trajtimi i fëmijëve me SIDA mbulohet nga buxheti i shtetit dhe ai kap shifrën e 15 mijë euro në vit, për një pacient, çka do të thotë se kjo shifër është e papërballueshme për pacientët nëse nuk rimbursohet nga shteti. Të ndodhur përballë kësaj situate fëmijëve fatkeqë të infektuar me sëmundjen e shekullit nuk u mbetet asgjë tjetër, vetëm të luten që shteti t'u sigurojë sa më parë medikamentin antiretroviral, për t'i mbajtur ata në jetë sa më gjatë.
SIDA, rritet numri i fëmijëve të infektuar
Numri i fëmijëve të infektuar nga virusi HIV/AIDS po vjen në rritje, nga viti në vit. Kështu, nëse në vitin 2003 kishte vetëm një fëmijë të infektuar nga virusi HIV, në fund të vitit 2007 numri i tyre arriti në 17, shifër kjo e deklaruar zyrtarisht. Përfaqësuesit e shoqatës shohin me shqetësim rritjen e numrit të fëmijëve nën 18-vjeç me SIDA. Sipas tyre, pjesa një pjesë e madhe e fëmijëve me SIDA është infektuar pikërisht për shkak të pakujdesisë të sistemit shëndetësor gjatë transfuzioneve të gjakut. Ndërsa në rastet e tjera ka qenë nëna ajo që ka kaluar virusin tek fëmija, pasi ka qenë e infektuar gjatë shtatzënisë.