Ndihma juridike falas, gjatë vitit 2024 përfituan 278 persona nga qarku i Korçës

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ 278 persona nga qarku i Korçës kanë marrë ndihmë juridike falas gjatë vitit të kaluar. Kjo ndihmë ofrohet nga Qendra e Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore, që ndodhet në qytetin e Korçës.
Kryesisht këtë ndihmë kanë të drejtë ta përfitojnë personat në pamundësi ekonomike, viktimat e dhunës në familje, fëmijët e mitur, personat me aftësi të kufizuara, si dhe disa kategori të tjera në nevojë.
“Kemi këshillimin, informacionin ligjor apo edhe aplikimin që bëhet nëpërmjet e-Albania, që qytetarët nuk mundet t’i bëjnë vetë. Kemi përfaqësimin në gjykatë me një avokat, që ne ua caktojmë përmes Ministrisë së Drejtësisë. Çështjet për avokat kanë qenë më tepër për zgjidhje martese, kujdestari, pjesëtim pasurie, ndërsa për parësoret kanë qenë më tepër për këshillim ligjor, për problematika të ndryshme, veçanërisht pronat”, tregon juristja Marinela Nasi për RTSH.
Qytetarët të cilët plotësojnë kriteret mund të përfitojnë ndihmë juridike parësore ose dytësore.
“Kam ardhur se kam nevojë për një avokat falas. Vetë nuk e paguaj dot, sepse s’kam. Jam vetëm me një karrocë që dal shes”, thotë një qytetare.
Kjo zyrë, që varet nga Ministria e Drejtësisë, është çelur në dhjetor të vitit 2022.
Nga viti në vit është rritur interesimi i qytetarëve për të përfituar ndihmë juridike falas.
/r.e/a.f/