Ndihmat e botës shkuan për prishjen e strukturës etnike të Shkupit

Kanë nisur aktivitetet të shumta me rastin e 50 vjetorit të tërmetit katastrofal në Shkup. Në një debat, të organizuar nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, u shpalosën dokumente nga arkivi i shtetit që dëshmojnë se deri në vitin 1963 Shkupi ka qenë me numër më të madh të shqiptarëve. Qerim Lita, drejtori i Arkivit Shtetëror tha se në vitin 1945 në Shkup kishte 47 për qind popullatë shqiptare, krahasuar me etnitë e tjera që jetonin në këtë qytet.
“Fillimisht desha të theksoj se Shkupi me rrethinë në vitin 1945 numëronte saktësisht 145 260 banorë, ndërsa qyteti, këto janë burime arkivore, 67 743 banorë. Numri më i madh i këtyre banorëve ishin shqiptarë, ku sipas statistikave diku popullsia shqiptare, në krahasim me popullsitë e shumta tjera të Shkupit, përbënte diku 47 për qind në vitin 1945”, tha Lita, raporton Alsat-M.
Historiani Nebi Dervishi, duke u bazuar në dokumentet e arkivuara historike, tha se autoritetet maqedonase kanë përdorur tragjedinë e Shkupit për të pastruar Shkupin nga shqiptarët.
“Deri në viti 1963 Shkupi ka qenë me numrin më të madh të shqiptarëve në të gjitha trevat shqiptare. Pas tërmetit të 26 korrikut, ndihma që Maqedonisë iu ofrua nga bota e civilizuar, qarqet sllavo-maqedonase i shfrytëzuan për pastrimin e qytetit nga shqiptarët dhe zëvendësimin e tyre me popullatë sllave. Pra, pas tërmetit të 26 korrikut intensifikohen masat për ndryshimin e strukturës së popullsisë, sidomos pas largimit të shqiptarëve në tokën e premtuar në Anadolli, kurse paralelisht me këtë filloi migrimi masiv i maqedonasve në Shkup. Për këtë flasin dokumentet zyrtare të kohës që ruhen në Arkivin Shtetëror të Maqedonisë”, tha ai.
Ndërkohë, kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski paralajmëroi aktivitete të ndryshme me rastin e 50 vjetorit të tërmetit. Ai tha se në këtë përvjetor pritet të marrin pjesë kryetar të Tiranës, Sofjes, Dresdenit dhe të tjera, ndërkohë që do të hapet edhe një ekspozitë, do të dhurohet gjak, si dhe si dhe do të organizohen evenimente të ndryshme kulturore.
Edhe presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov iu bashkëngjit aktiviteteve për shënimin e 50 vjetorit të tërmetit katastrofal, me ç’rast vizitoi Observatorin sizmologjik./Indeksonline/