Ndihmat “humanitare” ruse për vëllezërit serbë ne veri të Kosovës
Se strukturat ilegale kriminale serbe në veri, janë të dirigjuara nga Beogradi dhe Moska, e shpërfaqi prania në këtë pjesë të Kosovës e ambasadorit rusë në Serbi, Aleksandër Konuzin, i cili vëllezërve serbë iu solli 280 tona me ndihma humanitare. Këto mauna nga ministria e Rusisë për situata të jashtëzakonshme, janë ndaluar nga policia e EULEX-it dhe organet tona të shtetit të cilët po kërkojnë që të respektohen pikat doganore të Kosovës si në çdo rast tjetër që është edhe shumë normale. Ky ndalim sikur i ka befasuar rusët të cilët kanë menduar së në Kosovë do të futen sikur në bahçe të babës, duke e konsideruar Kosovën si pjesë të Serbisë. Ambasadori rus në NATO, Dimitrij Rogozin me rastin e ndalimit të konvojit të këtij shteti në kufij me Kosovën, dha deklarata më shumë se skandaloze. Ai tha për një televizion rus se “nuk do të bisedojnë me organet e shtetit të Kosovës duke thënë, se nuk i pranojmë ato. Nuk e njohim pushtetin e Prishtinës, ne do të bisedojmë me përfaqësuesit e NATO-s dhe BE-së”, dhe ofendime të tjera në adresë të shtetit të Kosovë dhe të policisë së EULEX-it. Deklaratat e pareshtura të Sergej Lavrovit, Ivica Daqiqit, kryepopit Irinej … se edhe me luftë duhet të mbrohet veriu i Kosovës me shumicë serbe dhe prania e mercenarëve rusë dhe e shërbimeve të ndryshme sekrete serbe në maskaradën me barrikada, dhe së fundi këto ndihma humanitare janë tregues së gjithçka ne veri është planifikuar mirë nga qarqet zyrtare shoviniste në Rusi dhe Serbi për ndarje të Kosovës. Këta janë skenarë të errët nga shekulli i kaluar, për gllabërimin e tokave shqiptare në hapësirat ende të trazuara ballkanike. Ballkani për shumë vjet më radhë është duke u trazuar nga ultranacionalistët e tërbuar serbë. Ndihmat humanitare për serbët në veri , kanë krejt karakter politik të Rusisë së Putinit, i cili doli fitues në zgjedhjet e sapo përfunduara nacionale me vota të vjedhura. Rusia është jetikisht e interesuar ta fusë ndikimin e saj në Ballkan të cilin e kishte dikur. Nuk ka kurrfarë krize humanitare në veri të Kosovës, siq e thanë këtë gjë në një konferencë të përbashkët për media sekretarja e shtetit të Amerikës, Hillari Klinton dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga gjatë një vizite në Amerikë. Këto ndihma dhe prania e Kozinit në veri të Kosovës kanë për qëllim yshtjen e strukturave kriminale serbe që me barrikada ta mbajnë vendin të destabilizuar dhe eventualisht ta fusin Kosovën në bisedime krejt politike me palën serbe. Kriminelët serbë ne veri me barrikadat e tyre mesjetare, e kanë për qëllim edhe spastrimin etnik të shqiptarëve të paktë në veri, duke iu shkëputur atyre kështu çdo ndihmë nga Prishtina. Nëse nevojitet ndihma humanitare për dikënd, ajo është e nevojshme për shqiptarët. Konvoj rusë me ndihma humanitare ka për qëllim që sërish serbët para syve të botës demokratike të paraqitën si viktima të shqiptarëve në vendin e tyre. Këtë lojë të ndytë serbët e luajtën shumë herë deri me tash, dhe fatkeqësisht shumë herë edhe iu piu ujë kjo lojë para bashkësisë ndërkombëtare. Por, kësaj radhe me logjikën mesjetare serbe patën rastin të njihen edhe strukturat ushtarake dhe civile në Kosovë. Ata u binden për së afërmi për tërbimin shovinist serb, për shfrenimin e tyre, për lojërat e tyre të ulëta. Shumë pjesëtarë të strukturës ushtarake të KFOR-it nga këta kriminelë serbë edhe morën lëndime të lehta dhe të rënda. Nga këta kriminelë ordiner u vra edhe polici Enver Zymberi. Nga këto struktura ilegale kriminale për shumë vjet më radhë patëm shpërthime me bomba në vendbanime të ndryshme të Kosovës. Përkundër të gjithë kësaj çka përjetuan dhe po përjetojnë struktura e KFOR-it dhe ajo e EULEX-it, po të mos ishte zonja e hekurt Angela Merkel, Serbia më siguri do ta fitonte edhe statusin e kandidates për në BE. Lëndimi i ushtarëve gjermanë dhe atyre austriakë në përballje me serbët e rebeluar, por edhe faktorët e tjerë kanë bërë që zonja Merkel të ngul këmbë që së paku statusi i kandidatit ti shtyhet Serbisë deri në muajin mars të vitit 2012. Bisedimet e deritashme zor së do të sjellin ndonjë rezultat. Vështirë të besohet në palën zyrtare serbe së marrëveshjet e arritura se ato edhe do të realizohen. Ato janë nënshkruar nga Serbia sa për sy e faqe.
Edhe përkundër trysnisë së faktorit ndërkombëtar për vazhdimin e bisedimeve me palën serbe, pala e Kosovës do të duhet ta ndryshoj krejtësisht agjendën e dialogut të ardhshëm. Flitet së në vitin 2012 pala shqiptare do të përballet me kompromise edhe më të dhembshme se deri me tani, veçmas nëse në agjendë do të jetë veriu i vendit. Deri me tani opinioni i gjerë u përball me disa deklarata të pamatura mirë të zyrtarëve më të lartë të Kosovës kur bëhet fjalë për këtë çështje. Në asnjë moment në bisedimet eventuale me Serbinë, rreth veriut nuk duhet lëshuar pe, që serbëve ne veri t’u takojë diç më shumë seç parashihet me planin e Ahtisaarit. Gjithçka tashmë është shpërfaqur haptazi nga Serbia. Lejimi i lojës ruso-serbe në dëm të interesave të shqiptarëve edhe pas zyrtarizmit të Kosovës ishte dashur të marrë fund. Rusia e neokomunistit Putin ishte dashur t’i mbajë duart sa më larg Kosovës. Mëtimi rus për kthimin e ndikimit në Ballkan, nuk do ta lejojnë forcat demokratike në botë, në krye me Amerikën mike. Prania e ambasadorit rusë në veri të vendit me ndihmat “humanitare” të dedikuara minoritetit serbë në Kosovë, është ogur i keq për paqen në Ballkanin Perëndimor…