E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama përjashton tre deputetë, i vjen plasja që s’i pushkaton dot

17-12-2011 / Gazeta 55

30 vjet pas likuidimit të Mehmet Shehut, Edi Rama përjashton nga partia Kastriot Islamin, pas shpullës detyron me ekzil edhe Rudina Seserin si dhe i bën gati ekzilin Pandeli Majkos. Spastrimi është vetëm në fillim dhe të mirinformuarit flasin për masa të tjera, edhe pse ata shprehin keqardhjen se s’po u jepet mundësia për pushkatime të mirëfillta si dikur

“Ditë e shënuar” do të konsiderohet ajo e djeshmja për historinë e vazhdimësisë së PS-së, vazhdueses së PPSH-së. Kjo ditë do të konsiderohet si “e shënuar”, jo aq pse në ditën përkujtimore të 30-vjetorit të mbledhjes së famshme të Byrosë Politike të PPSH-së, Edi Rama konstituoi Byronë e tij, të re Politike të PS-së. Kjo ditë do të konsiderohet si “e shënuar” për shkak të koincidencës, “përsëritje së historisë”, e cila besohet e është jo krejt rastësore. Pikërisht, në këtë datë përkujtimore, në këtë 30-vjetor, Edi Rama zgjodhi të linçojë tre deputetët të grupit të tij parlamentar, Rudina Seserin, Pandeli Majkon dhe Kastriot Islamin..., bash njësoj sikurse kishte bërë udhëheqësi i tij shpirtëror në vitin 1981, i cili atëherë linçoi Mehmet Shehun & Co.
Pazari dihet...
Të nesërmen e mbledhjes së famshme të Byrosë Politike 30 vjet më parë, u gjet i (vetë)vrarë në dhomën e tij të gjumit Mehmet Shehu.
Përqasja është cinike, por më cinike ishte sjellja e djeshme e Edi Ramës, i cili përveç të tjerave, saktësisht kënaqësisë që ia ka dhënë ecja në gjurmët e udhëheqësit të tij shpirtëror, nuk e ka fshehur se “i ka ardhur plasja”, i cili 30 vjet më vonë, nuk mund ta imitojë në të gjitha detajet Enver Hoxhën..., për sa i përket  fundit të byroistëve 30 vjet më parë.

* * *
Rudina Seseri ishte ylli që më parë perëndoi se sa ndriçoi.
I katapultuar në prag të zgjedhjeve të vitit 2009, falë edhe “përvojës së saj profesionale” në SHBA, ajo u servir mediatikisht, pse jo në mënyrë të dhunshme, si një “gjetje” e Edi Ramës.
Natyrshëm, ajo nuk mund të linte SHBA-të dhe “karrierën e saj profesionale”..., kot..., për një tekë të Edi Ramës. Ndaj edhe ju mundësua dhe ju sigurua një vend në listën e deputetëve të PS-së.
Ngjarjet rrodhën jo sipas pritshmërisë së Edi Ramës.
PS-ja humbi sërish zgjedhjet e radhës të fundqershorit të vitit 2009 dhe Rudina Seseri, nuk ishte asgjë më shumë se sa një deputetet e opozitës.
Por Edi Rama, i cili në natyrën e punës së tij ka ndërsimin e “çerra deputetëve”, për të artikuluar publikisht të gjitha marrëzitë që i shkonin kryesocialistit nëpër mend, Rudina Seseri nuk arriti të nënshtrohej deri në këtë masë.
Jo vetëm kaq, por bojkotet e tejzgjatura të grupit të deputetëve socialistë, kishin për atë edhe një kosto të madhe financiare, e cila gjithnjë e më shumë e çonte drejt “recesionit”.
Në këto kushte, kur edhe Edi Rama kishte nevojë vetëm për vullnetarë që do e lejonin veten të ngujoheshin mes shurrës e qofteve në mes të bulevardit kryesor të kryeqytetit, Rudina Seseri bëri zgjedhjen e saj, distancimin nga Edi Rama.
Kjo sigurisht ishte një shpullë për kryesocialisitin..., i cili dje vendosi tia kthejë yllit Rudina Seseri, duke “i stakuar çelësin” dhe duke e fikur, ende pa ndriçuar.
Për pasojë, nga dje, sipas vendimit të Byrosë Politike të PS-së, Rudina Seseri do të jetë një ish-deputete, “status” të cilin e konfirmoi edhe vetë me letrën e shkruar nga Edi Rama dhe të nënshkruar prej saj për Kryetaren e Kuvendit, ku i kërkonte “vullnetarisht” lënien e mandatit, për shkak të “përkushtimit ndaj karrierës profesionale”...

* * *
Byroja Politike e PS-së “i ka prerë biletën” dje edhe Pandeli Majkos. Deputeti “senator”, i cili e ka nisur karrierën e tij politike, 21 vjet më parë, pikërisht në 8 dhjetorin e vitit 1990, nga dje do të jetë edhe një “ish-deputet”, përveçse edhe një “ish-kryeministër”.
Këtë “nder” i bëri Edi Rama, e cili “e dërgoi me ngritje në detyrë”..., deri në OKB.
E ka pranuar apo jo Pandeli Majko këtë “ngritje në detyrë”, nuk është se ka ndonjë rëndësi të madhe. Më shumë mundësi ka “përzgjedhja” e tij për “tu emëruar” në OKB.
Në këtë pikë, nuk është se dihet e saktë në se kanë qenë apo jo vëllezërit Crespi, që mund tia kenë këshilluar Edi Ramës “ngritjen në detyrë” të Pandeli Majkos. Por, një gjë dihet me siguri... Kjo i ka ardhur për shtat Edi Ramës, i cili “pa e bërë të gjatë” e dërgoi Pandeli Majkon deri në OKB.
Natyrshëm, Edi Rama ka një arsye madhore për ta bërë këtë.
Pandeli Majko, i njohur për rolin dhe kontributin e tij si ish-kryemsitër në kohën e luftës në Kosovë, “i ka bërë hije” Edi Ramës, i cili po lodhet e po sforcohet, duke (keq)përdorur edhe “Kurban”-in, për të përmirësuar imazhin e tij, të rënë përtokë, përballë çështjes kombëtare, në përgjithësi, por edhe përballë Kosovës e kosovarëve në veçanti.
Përpos kësaj, ndërsa Edi Rama ka një antikap të madh qëndrimin e tij kundër Rrugës së Kombit, për kurimin e të cilit (këtij antikapi), ç’nuk po bën, deri edhe me ciu-ciu, përkundrazi, Pandeli Majko e ka një tjetër “bonus” Rrugën e Kombit, për ndërtimin e të cilës ka pasur të paktën një ëndërr...
Për kot dhe të tjera, ku nuk përjashtohet spastrimi i radhëve të PS-së, duke i dërguar themeluesit e saj “me ngritje në detyrë” (sikurse bëri dhe me Ermelinda Meksin), Edi Rama, i cili më lehtë e ka të dalë lakuriq në plazhet e huaja, se sa të rrijë nën hijen e Pandeli Majkos, “i preu biletën” atij dje dhe “e ngriti në detyrë”..., duke e lënë edhe atë, pa mandat deputeti.

* * *  
Kastriot Islami, i përjashtuari “me ceremoni” nga radhët e PS-së dje, për shkak të vendimit politik të Byrosë Politike të kësaj partie, është emri që e bënë më mirë (se edhe Rudina Seseri e Pandeli Majko), koincidencën, “përsëritjen e historisë”, në intervalin e 30 viteve të fundit...
Mehmet Shehu ishte nga Mallakastra.
Kastriot Islami është nga Mallakastra.
Mehmet Shehu ishte kërcënim potencial për Enver Hoxhën.
Kastrito Islami është kërcënim potencial për Edi Ramën.
Mehmet Shehu...
Katstriot Islami...
Etj..., etj...
Por, edhe Edi Rama vetë “nuk i lë gjë mangët” Enver Hoxhës.
Enver Hoxha nuk i duronte dot bashkëpunëtorët e tij.
Edi Rama nuk i duron dot bashkëpunëtorët e tij.
Enver Hoxha “ua tregonte vendin” të konsideruarve si kundërshtarë prej tij.
Edi Rama “ua tregon vendin” të konsideruarve si kundërshtarë prej tij.
Enver Hoxha...
Edi Rama...
Etj..., etj...
Këtë “vazhdimësi” respektoi dje Edi Rama.
Në mbledhjen e Byrosë Politike të PS-së, Edi Rama nuk e pati të vështirë të bindte byroistët e rinj, për të detyruar Kastrito Islamin, që në këmbim të mospranimit për të bërë autokritikë, ti kërkojë atij..., “(vet)vrasjen”..., politike...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›