E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihmë e specializuar për personat me aftësi të kufizuar, në Gjirokastër shtohen shërbimet

Në qarkun e Gjirokastrës po zgjerohet mbështetja sociale për personat me aftësi ndryshe. Pranë Zyrës Vendore të Vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar vlerësohen çdo vit rreth 1500 qytetarë, të cilët i nënshtrohen procesit të përcaktimit të aftësisë së kufizuar. Nga këta, 413 janë të verbër, ndërsa 140 rezultojnë tetra apo paraplegjikë. Institucionet bëjnë të ditur se, përveç procedurave të vlerësimit, po shtohen edhe shërbimet mbështetëse në komunitet, me synim rritjen e kujdesit për kategoritë më të ndjeshme.

“Kemi 413 persona të diagnostikuar si të verbër dhe 140 persona tetraparaplegjik. Dua të them që të dy këto kategori kanë dhe shoqëruesin e tyre për shkak edhe të gjendjes shëndetësore të rënduar. Të gjitha komisionimet e tjera për personat me aftësi ndryshe zhvillohen këtu në Gjirokastër dhe në momentin e komisionimit këtyre personave u sugjerohen edhe disa shërbime sociale shtesë” – u shpreh për RTSH, Magdalena Margariti, drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror në Gjirokastër.

Përfituesve u ofrohen shërbime shtesë të specializuara, të lidhura ngushtësisht me gjendjen e tyre shëndetësore dhe nevojat individuale. Mes tyre janë logopedia, fizioterapia, si dhe mbështetja psikosociale etj.

“Një grup i caktuar shkon nëpër banesa e personave me aftësi ndryshe sipas nevojave që ata kanë dhe kohët e fundit janë vendosur staf i specializuar që ofron shërbim si fizioterapi në mënyrë që këto shërbime këta persona t’i marrin pranë komunitetit”

Qëllimi i shtimit të shërbimeve është lehtësimi i jetesës për kategoritë më të pambrojtura të qarkut.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›