Ndikim i parregullt tek funksionarët e drejtësisë, SPAK njofton arrestimin e prokurorit Aurel Zarka

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot lidhur me arrestimin e drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka.
SPAK thekson se janë krijuar dyshime të arsyeshme se personat nën hetim A.V., R.Ç., E.D. dhe A.Z, në bashkëpunim dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njoftoi sot se, mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka regjistruar një procedim penal, për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.
Nga burimet e provave të mbledhura gjatë hetimeve paraprake të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se personat nën hetim A.V., R.Ç., E.D. dhe A.Z, në bashkëpunim dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe kanë pranuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të funksionarëve të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.
Konkretisht, veprimet e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, të korrupsionit aktiv të funksionarëve të drejtësisë dhe korrupsionit pasiv të funksionarëve të drejtësisë janë kryer në lidhje me procedimin penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Procedimin penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, kryer në bashkëpunim, duke përfshirë seancën gjyqësore të rivlersimit/zëvendësimit të masave të sigurimit të datës 17.01.2020 të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, fazën e hetimeve paraprake, fazën e caktimit të gjyqtarit të seancës paraprake dhe zhvillimin e seancës paraprake në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë.
Ekzekutimin e disa kërkesave për ndihmë juridike të dërguara nga autoritetet belge të drejtësisë, konkretisht nga gjyqtari i hetimeve paraprake pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Bruksel, Belgjikë, ndaj procedimit penal në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi, etj, të ekzekutuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, si dhe nga Prokuroria e Posaçme.
Procedimin pasuror të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për pasuritë në zotërim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri;
Procedimi pasuror të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për pasuritë në zotërim të shtetasit Suel Cela alias Marius Lulaj.
Çështjen penale në ngarkim të shtetases Xh. M., e akuzuar për veprën penale “Vjedhja” e mbetur në tentativë, të gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë;
Mosfillimin e procedimit penal për referimin penal, të dërguar nga Komisariati i Policisë Himarë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë;
Çështjen penale në ngarkim të shtetasve Altin Veizaj etj, të akuzuar për veprën penale “Kultivimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, të gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur caktimin ndaj personit nën hetim R.Ç., (në cilësinë e avokatit), të masës së sigurimit “arrest në burg”, caktimin ndaj personit nën hetim A.V. të masës së sigurimit “arrest në burg”, caktimin ndaj personit nën hetim A.Z. (në cilësinë e prokurorit) të masës së sigurimit “arrest në burg”, caktimin ndaj personave nën hetim E.D., (në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore në kohën e kryerjes së veprave penale), të masës së sigurimit “arrest në burg”.
Shërbimet e policisë gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në datën 29 korrik kanë ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg” për personin nën hetim A.Z teksa vijojnë kërkimet për ekzekutimin e masave të sigurimit për personat e tjerë nën hetim.
Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal.
SPAK falënderon për ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre me Prokurorinë e Posaçme gjatë hetimeve të këtij procedimi penal, Europol, Eurojust, autoritetet franceze të drejtësisë, autoritetet belge të drejtësisë, si dhe Drejtorinë e Policisë së Shtetit në fazën e ekzekutimit të masave të sigurimit.