E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndikimi i kulturës iraniane në Shqipëri

19/02/2009  Në botën e madhe, ku qytetërimet dhe kulturat e ndryshme zënë secila vendin e vet, ekzistojnë edhe dy vende që herë largojnë dhe herë afrojnë me njëri-tjetrin.

Era që fryn nga Lindja ka sjellë shpesh me vete magjinë e Orientit dhe bashkë me të edhe një kulturë të bukur dhe mistike, që ngaherë është bërë bashkudhëtare e kulturës së atij vendi ballkanik që ka ditur t’i mirëpresë me shumë dashamirësi petalet e kulturës orientale.

Shqipëria është një vend evropian, i ndodhur herë-herë midis dy kulturave: Lindjes dhe Perëndimit, por ajo ka mundur që me shumë delikatesë të mund të kombinojë më të mirat e këtyre dy kulturave. Një ndër perlat e Orientit që ka pasur më shumë ndikim në disa aspekte të kulturës sonë, është pa dyshim Irani.

Vendi i bukur i Saadit, Hafezit, Ferdusiut dhe Rumiut solli në trojet arbërore një pjesë të kulturës së tyre të lashtë dhe magjepsëse.

Të dyja vendet mbajnë mbi supe një histori të vyer dhe të lashtë sa vetë bota. Të dy këta popuj të lashtë formuan dhe ruajtën kulturat e tyre shekullore, por pati edhe një periudhë që kulturat dhe marrëdhëniet e tyre u takuan dhe ecën së bashku për një kohë të gjatë. Kjo ishte periudha e Rilindjes shqiptare, kur atdhetarët dhe shkrimtarët tanë të shquar e konsideruan Iranin si një djep kulture dhe frymëzimi.

Letërsia dhe arti iranian u bënë për rilindësit tanë një krua frymëzimi dhe në poezitë e Rumiut apo rrëfenjat e Saadiut ata gjetën një shkollë të vërtetë, ku mësuan të shkruanin aq bukur vargjet e tyre. Një ndër penat shqiptare që u mahnit nga bukuria dhe hijeshia e “luleve” të bukura të poezive iraniane ishte rilindësi ynë i madh Naim Frashëri. Sa herë sjell ndër mend lidhjet e Iranit me Shqipërinë, nuk mund të rri pa përmendur Naimin, i cili librin e tij të parë e shkroi në gjuhën e ëmbël perse: Tajahylat (“Ëndërrimet”), të parat ëndërrime të bardha të poetit tonë të madh.

Nëse do të krahasonim veprën e Naimit me veprat e shkrimtarëve persë, p.sh. me të Hafezit, do të vinim re se misticizmi, ajo që vetëm shpirti i njeriut mund ta ndiejë dhe ta kuptojë, është i pranishëm edhe në poezinë e Naim Frashërit dhe e përshkon atë si me magji, duke treguar aromën që ajo mori nga petalet e bukura të letërsisë perse.

Kështu, Hafezi thotë:

“M’e e errët dita sesa nata, kur nuk shihemi me sy

Po shkrihem, mpakem nga meraku, përvëlohem si qiri...”

Duke lexuar dhe duke u përfshirë nga bukuria e kësaj poezie, të vijnë ndër mend “Fjalët e qiririt”, ku Naimi thotë:

Në mes tuaj kam qëndruar

E jam duke u përvëluar

Që t’u jap pakëz dritë,

Natën t’ua bëj ditë…

Në këtë poezi Naimi e paraqet veten si poet me dhunti hyjnore, por edhe Hafezi e paraqet qiriun si shkrirje e njeriut me Zotin. Zoti është pa dyshim një ndër pikat që e bashkon dhe më shumë poezinë e Naimit me atë iraniane. Naimi ishte ai që shkroi “Qerbelanë”, që çdo bektashi sot e mban si një ndër veprat më të shenjta, si perlë e pashlyer e dalë nga pena e një njeriu të madh. Naimi ishte bektashi dhe, si i tillë, mbase e ndiente veten shumë pranë popullit dhe kulturës iraniane, që ishte i një besimi shiit. Bektashizmi, që me të drejtë sot quhet feja e katërt në Shqipëri, i ka rrënjët nga Irani, është një degëzim i shiizmit. Kjo lidhje edhe për sa i përket anës shpirtërore, besimit ka bërë mbase që popujt tanë të ngjajnë akoma më shumë dhe gjithmonë të kenë prirje për të pasur një miqësi të denjë midis tyre.

Një figurë tjetër e njohur shqiptare që ka treguar një vlerësim të lartë për kulturën iraniane ka qenë shkrimtari, oratori, politikani i shquar Fan S. Noli. Në përkthimet e tij të vyera ai nuk mund të linte pa radhitur edhe vepra të gjuhës perse. Ishte Noli ai që tha se nuk donte të vdiste derisa të mund të mësonte gjuhën e bukur perse dhe të lexonte veprën e Omar Khajamit në persisht. Ai e arriti një gjë të tillë dhe hapi rrugën për gjuhëtarët dhe përkthyesit e tjerë të persishtes, që do të sillnin edhe më shumë petale nga lulja e bukur e Orientit në kulturën tonë.

Por mendohet se dorëshkrimet iraniane të ardhura në Shqipëri janë edhe më të lashta sesa ato të periudhës së Rilindjes. Gazelat e Saadiut mendohet se janë bërë të njohura në Shqipëri që në shekullin XV . Por duke pasur parasysh faktin se në Shqipëri katalogimi i dorëshkrimeve orientale nisi shumë vonë, një pjesë e tyre kanë humbur apo zhdukur nga koha. Sidoqoftë, sot ne jemi bërë me dije se nuk ishin vetëm ata që u morën me art apo me letërsi sjellësit dhe dyzuesit e kulturave shqiptaro-iraniane.

Thonë se e tashmja e një vendi ndikohet shumë nga e shkuara e tij, historia është një lloj parashikimi për të ardhmen. Në të shkuarën e afërt dihet fare mirë se Irani ishte nën sundimin e një shahu që nuk po sillte progres dhe nuk po e ruante siç duhet kulturën aq të vyer të Iranit. Në anën tjetër, ishte Shqipëria që vuante nga izolimi komunist dhe nga marrëzia më e madhe e të gjitha kohëve, ndalimi i fesë. Shekulli i ri që erdhi, solli ndryshime të ndjeshme për të dy vendet, që dikur kishin qenë bashkudhëtarë të mirë dhe kishin gëzuar respekt reciprok. Ky shekull, në të cilin jetojmë edhe sot, ishte lulëzimi i një miqësie të vjetër të nisur që me Naimin apo të sjellë nëpërmjet doktrinave të mistikut persian Ahmet Jasevi, që u bë i njohur nga themeluesi i sektit bektashi Haxhi Bektashi.

Menjëherë pas viteve ’90 u ndie përsëri flladi i freskët dhe mistik i vendeve të Lindjes, por sigurisht që një vend kryesor zuri ai që vinte nga Persia antike, që sot e njohim si Irani modern. Nostalgjia e rilindësve tanë na shkundi nga gjumi letargjik, që na kishte pllakosur dhe na ndezi përsëri përpara një dritë shprese dhe na dha sinjalin se e tashmja po lidhej gjithmonë e më shumë me një kohë të lulëzuar, ku dy vendet tona kishin qenë miq të mirë. Të dyja palët e hodhën në harresë atë periudhë të vështirë historie, ku jo për fajin e tyre, por të ideologjive të zbatuara nga persona të caktuar ishte bërë e mundur që vendet tona me prejardhje antike të mos kishin mundësi të komunikonin. Por megjithëse ka pasur një izolim territorial, kurrë nuk mund të mendojmë se ka pasur edhe një izolim shpirtëror. Ashtu siç ka qenë i lirë për të besuar në fshehtësi, po ashtu shpirti i shumë shqiptarëve ka qenë i lirë për të menduar se diku në botën e madhe ekziston një popull nga i cili nuk kemi pasur kurrë konflikte, por vetëm shkëmbim kulture, vargje të mrekullueshme poetësh dhe rrëfenja që janë përshtatur aq mirë me natyrën e dy vendeve. Ky popull ishte ai iranian, i cili bashkë më traditat e tij të rralla e të bukura kishte qëndruar si një ëndërr e bardhë, dikur e parë nga poeti ynë i madh Naim Frashëri dhe sot shihet akoma edhe më shumë nga brez i ri, i cili duket gjithmonë dhe më i prirur drejt mësimit të një kulture të re, por jo të padëgjuar prej tyre: i kulturës dhe gjuhës perse.

Rrugët e përmirësimit të marrëdhënieve mes Iranit dhe Shqipërisë janë më se të dukshme dhe po ecin me hapa edhe më të shpejtë se në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, ndaj unë do ta quaja jo një përmirësim marrëdhëniesh, por një vazhdim i rrugës së lënë gati përgjysmë nga pengesa e sistemit tonë totalitar. Nuk duhet të gënjehemi nga fakti së krishterimi zë vendin e parë sot në botë, sepse shumë shpejt do të vijë koha që kjo hierarki do të përmbyset dhe, ashtu siç ka thënë dhe studiuesi Samuel Hantington, islamizmi po e përmbys gjithmonë e më shumë këtë hierarki, jo me anë të forcës por sipas një vullneti të lirë të secilit prej nesh, që do të konvertohet në mysliman.

E gjitha kjo ka të bëjë me faktin se ne jemi një vend me shumicë myslimane, jo shumë të dhënë pas fesë, por tolerantë në këtë drejtim, ndaj nuk duhet të ndikohemi kurrë nga argumente boshe, sepse “Islami ka ardhur për reformimin e shoqërisë dhe për edukimin e njerëzve”, - ka thënë dhe Imam Khomeini(r.a).

Duke qenë një vend me shumicë islamike, por pa fe për gati 50 vjet, marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi me Iranin ndër të tjera solli edhe një “gjetje të identitetit” tonë të lënë pas dore. Të gjithë e ndienin veten si të mpirë, të sapodalë nga sistemi komunist, por nuk duhet të harrojmë se me bashkëpunimin dhe mbështetjen, herë-herë dhe shpirtërore, të popullit iranian ne po gjejmë “Zotin” e vetëm dhe të përbashkët për të gjithë njerëzimin, që padrejtësisht dhe fatkeqësisht e kishim humbur.

Sot ne kemi kujtuar “Qerbelanë” dhe lexojmë me kënaqësi dhe pa frikë të gjitha veprat e poetëve persianë. Të dyja vendet tona do të afroheshin edhe më shumë sikur një ditë të mund të lindte dielli në një ambasadë shqiptare në Iran. Duke lënë pas një shpresë të bardhë dhe duke qenë të sigurt se edhe iranianët janë të interesuar për kulturën tonë të bukur, ashtu sikundër edhe ne e vlerësojmë “xhevahirin” e Lindjes.

Bashkëpunimi, njohja dhe lëvizja e lirë nga të dyja palët do të sillte pa dyshim edhe më shumë Naimë të rinj, që do të mund të shkruanin dhe përhapnin gjuhën dhe kulturën e rrallë perse, një gjë e tillë po ndodh dita-ditës dhe ne sot kemi një pjesë të Iranit, që mund ta prekim, ta mësojmë nëpërmjet kolegjit “Saadi” dhe shpresojmë që edhe ne të kemi një Saadi me emër shqiptar në Iran.

Vetëm marrëdhëniet reciproke do të mund të tregonin edhe më mirë mirëkuptimin midis këtyre dy popujve, sepse sikundër ka thënë dhe Saadiu:

“E di ç’është gjuha në goj’ o njeri?

Një kyç për thesarin e çdo mjeshtërie;

Kur dera rri mbyllur, asnjeri s’e di

Je shitës rruazash, a shitës inxhie.”

Sot dyert e të dy shteteve janë të hapura dhe ne e shohim veten në periudhën më të mirë të marrëdhënieve tona, që shpresojmë t’i çojmë akoma më tej dhe t’i ruajmë përjetësisht.

Si pjesë e një trupi mbi dhe njerëzit janë,

Se brumn’ e krijimit të njëjtë e kanë.

(Saadi)

Dhe Hafezi ka thënë: “Mbaj mend”

Sado miq që ke takuar, mbaji mend,

Ato ditë të gëzueshme mbaji mend…

Ne brezi i ri do t’i mbajmë mend fjalët dhe veprat e të gjithë atyre që u ndikuan nga misticizmi i poetëve persianë, sado miq që kemi takuar, do t’i mbajmë mend dhe ditët e gëzueshme ndërmjet dy popujve tanë, do t’i mbajmë mend e do t’i shtojmë edhe më shumë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›