E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekrutimet, të shfuqizohen kontratat e punonjësve

19/02/2009  Komisioni i Shërbimit Civili paraqet në Kuvend raportin vjetor të veprimtarisë

Ulet numri i ankesave të nëpunësve. Apeli pranon 91 % të vendimeve të KSHC-së

Komisioni i Shërbimit Civil në raportin njëvjeçar të prezantuar në Kuvend raporton si shqetësim, i cili nuk ka ndryshuar në këto vitet e fundit, atë të rekrutimit në shërbimin civil jashtë përcaktimeve ligjore. Nga institucionet e kontrolluara Ministria e Turizmit paraqitet më problematike, së cilës, ashtu si dhe institucioneve të tjera, komisioni i sugjeron shfuqizimin e kontratave dhe të akteve të emërimit. Mosekzekutimi i vendimeve të KSHC-së është një tjetër problem i prezantuar në këtë raport, ku kryetarja Mimoza Hyseni përmend Ministrinë e Drejtësisë. Probleme paraqiten edhe për sa i takon llojit të ankesave të nëpunësve civilë, të cilat janë më të ulëta se numri i paraqitur pranë këtij institucioni gjatë vitit 2007 dhe 2006. Në vitin 2007 u regjistruan 380 ankesa dhe 353 prej tyre u zgjidhën me vendime. Për vitin 2008 u paraqitën dhe u regjistruan 139 ankesa, nga të cilat u përfunduan me vendime 190 çështje (61 ankesa u mbartën nga 2007-a dhe 7 ankesa u mbartën për 2009-n).

Vendimet e Apelit

Ndaj vendimeve të KSHC-së nga institucionet është ngritur padi në Gjykatën e Apelit, e cila ka shqyrtuar 67 ankesa dhe ka lënë në fuqi 91 % të vendimeve të KSHC-së. Gjatë vitit 2008 është treguar një kujdes edhe për ekzekutimin e vendimeve, duke përdorur të gjitha mjetet e mundshme që ka KSHC-ja, sikurse janë paralajmërimet dhe hapja e padive gjyqësore. Nisur nga mënyra se si kanë vepruar palët në këtë proces për të realizuar të drejtat e tyre ligjore pas dhënies së një vendimi në favor të ankuesit, rastet janë dy: vendimet janë ankimuar në Gjykatën e Apelit nga institucionet, për pasojë zbatimi i tyre ka hyrë në rrugën gjyqësore; dhe vendime për të cilat institucionet nuk janë ankuar në gjykatë sipas afateve ligjore dhe nuk janë zbatuar. Për zbatimin e vendimeve që kanë marrë formë të prerë pas ankimit në gjykatë, ka hyrë në veprim përmbaruesi gjyqësor, i cili ka ekzekutuar 24 vendime të KSHC-së. Mbetet problem zbatimi i vendimeve të komisionit kur institucionet nuk janë ankuar në gjykatë pas përfundimit të afatit ligjor. Ministria e Drejtësisë nuk ka zbatuar 2 vendime të KSHC-së.

Rekrutimet

Rekrutimi në shërbimin civil në kundërshtim me ligjin përmes kontratave apo akteve të emërimit, ashtu si dhe një vit më parë, vazhdon të jetë problem. Nëpërmjet emërimeve me kontratë janë plotësuar në administratën qendrore të kontrolluara 46 pozicione pune, nga të cilat 6 në Ministrinë e Punës, 3 në të Mjedisit dhe 36 raste në Ministrinë e Turizmit. Për këto DAP-i ka miratuar kërkesën vetëm për 8 raste të Ministrisë së Turizmit dhe për 28 të tjerat e ka gjetur të pajustifikuar.

Në pushtetin vendor: në Bashkinë Durrës nga 169 pozicione 93 prej tyre janë plotësuar përmes kontratave; në këshillin e Qarkut Durrës nga 39 pozicione, 26 prej tyre janë plotësuar me kontratë; në Bashkinë Shkodër nga 109-61 pozicione janë plotësuar me kontratë; në Këshillin e Qarkut Shkodër nga 35 pozicione, 28 prej tyre janë plotësuar me kontratë. Edhe në njësitë bashkiak të Tiranës nr. 5, 10 dhe 11 pothuaj 100 % e punonjësve që mbajnë pozicione në shërbimin civil janë emëruar përmes kontratave, kjo e pambështetur në ligj. “Të gjithë institucionet që kanë kryer emërime jashtë përcaktimeve ligjore të marrin masa për shfuqizimin e kontratave dhe të akteve të emërimit”, - rekomandon KSHC-ja.

Lloji i ankesave

KSHC ka marrë në shqyrtim gjatë vitit 2008 81 ankesa me objekt shfuqizimin e masës disiplinore, nga të cilat 34 janë pranuar, 6 janë pranuar pjesërisht, 6 pushuar dhe 35 janë rrëzuar. Nga të gjitha masat disiplinore 45 prej tyre janë “largim nga shërbimi civil”. Rastet e përdorimit të kësaj mase disiplinore krahasuar me 2006-n (344 raste) dhe 2007-n (118 raste) kanë ardhur duke rënë. Në total masat disiplinore më të lehta janë zbatuar në 36 raste.

Lirim nga detyra

Komisioni në vitin 2008 ka shqyrtuar 43 ankesa me objekt lirimin nga detyra për shkak të deklarimit të tepërt të vendit të punës si rrjedhojë e ristrukturimit të institucionit. Nga këto 22 janë të mbartura nga 2007-a. Edhe për këtë kategori ankesat nga viti në vit kanë një rënie. Ndërsa më 2006-n u trajtuar 197 ankesa të tilla, më 2007-n u trajtuan 132 ankesa. Nga shqyrtimi i 43 kërkesave në 16 prej tyre është vendosur pranimi i kërkesës.

Vendimet e KSHC-së

Për vitin 2008 numri i ankesave të zgjidhura nga komisioni është 193; numri i ankesave për të cilat komisioni ka vendosur pranimin e ankimit - 69; numri i ratave për të cilat komisioni ka vendosur ndryshimin e aktit dhe pranimin e pjesshëm të ankimit - 10; numri i rasteve për të cilat komisioni ka vendosur rrëzimin e ankimit - 75; pushimi i shqyrtimit - 28; të pezulluara - 10; dërguar për shqyrtim gjykatës për shkak të mosformimit të kuorumit - 1.

Ankesat

Ankesat e paraqitura nga nëpunës civilë të administratës qendrore (rreth 78) përbëjnë numrin më të madh të ankesave të trajtuara dhe të shqyrtuara nga KSHC-ja për vitin 2008. Ndërkohë nga nëpunës të administratës vendore u paraqitën 44 ankesa; nga nëpunës të institucioneve të pavarura 12 ankesa; 14 ankesa nga nëpunës të institucioneve që rregullohen me ligj të posaçëm. Gjithashtu nga nëpunës të administratës tatimore janë paraqitur 37 ankesa, një numër shumë i vogël krahasuar me 150 ankesa që u paraqitën në vitin 2007 dhe 8 ankesa nga nëpunës jashtë shërbimit civil.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›