E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanceri i veshkave, çdo ditë kërkon 50 operacione

19/02/2009  Shtohet numri i të prekurve, kategoria e rriskuar janë moshat 40–60-vjeçare

Dy transplantet e para të veshkave do të bëhen në fund të muajit mars

Mjekët pohojnë të alarmuar se vendi ynë po përballet me një rritje të shpejtë edhe të numrit të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet kanceroze të veshkave, pjesa dërrmuese e të cilëve detyrohen t’u nënshtrohen operacioneve kirurgjike për shkak të komplikacioneve të shumta shëndetësore që paraqesin. Ndërkohë janë të shumtë edhe pacientët që ndodhen në listat e pritjes për të bërë transplantin e veshkës, për shkak se shëndeti i tyre ka arritur në gjendjen më kritike të mundshme. Konkretisht të dhënat tregojnë se shumë prej të sëmurëve me kancer në veshka detyrohen të bëjnë operacion për të mbrojtur jetën e tyre. Përkundrejt kësaj situate vetëm pranë klinikës urologjike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” rezultojnë të bëhen rreth 50 operacione në ditë. Ndërkohë që bëhen rreth 2000 operacione në vit, nga më të thjeshtat deri tek ato më të ndërlikuarat për të gjitha kategoritë e pacientëve që manifestojnë gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të kësaj sëmundjeje. Kategoria më e rriskuar evidentohet të jenë grup-moshat 40-60 vjeç, që vuajnë masivisht nga kanceri në veshka. Por nuk janë të pakta dhe rastet e moshave të reja të paraqitura në gjendje kritike e që kanë dëshmuar domosdoshmërinë e realizimit të ndërhyrjes. Shkaku kryesor i shfaqjes së kësaj sëmundje mbetet faktori gjenetik, por nuk përjashtohen dhe shkaqet e tjera. Megjithatë, edhe pse ka shumë kohë që është trumbetuar me të madhe se kryerja e transplantit të parë do të realizohej që në mbyllje të vitit të shkuar, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Mjekët specialistë të shërbimit të nefrologjisë kanë pohuar se translantet e para, duke u nisur dhe nga ecuria e punimeve në përgatitjen e sallave ku do të kryhet ndërhyrja, do të realizohen vetëm në fund të muajit mars. Në këtë hark kohor do të realizohen edhe dy ndërhyrjet e para në spitalin publik te dy vajza, përkatësisht 20- dhe 21-vjeçare, ku dhuruesit do të jenë prindërit e tyre: nëna dhe babai.

Dy transplantet e para

Pavarësisht se janë tejkaluar të gjitha afatet e premtuara për kryerjen e transplantit të parë të veshkave në spitalin publik, specialistët pohojnë se dy ndërhyrjet e para do të bëhen gjatë muajit mars. Për këtë janë përzgjedhur dy pacientet e para, që do të bëjnë falas transplantin e veshkave, ndërhyrje e cila do të kryhet nga një ekip mjekësh specialistë shqiptarë nën asistencën e atyre italianë. "Klinika urologjike në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë po përgatitet për të bërë ndërhyrjen e parë kirurgjike me dy transplante të veshkave në datat 25 dhe 26 mars. Ekipi i mjekëve shqiptarë, i përbërë prej 6 neurologë, 3 imunologë dhe 5 nefrologë, është gati për realizimin e këtyre ndërhyrjeve, që do të asistohen nga 3 mjekë italianë të klinikës së Barit (Itali)", - ka pohuar gjatë ditës së djeshme kreu i shërbimit të nefrologjisë në QSUT Nestor Thereska. Ndërhyrja do të bëhet te një vajzë 20-vjeçare, e cila ka dhurues babnë e saj, dhe te një tjetër 21-vjeçare, ku dhuruese në këtë rast është nëna.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›