E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndikimi i ndryshimeve në skemat mbështetëse, në Shkodër më shumë aplikime në skemat e blegtorisë, më pak për bujqësinë

Numri i fermerëve të qarkut të Shkodrës që kanë aplikuar deri tani për të përfituar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për bujqësinë dhe blegtorinë është më i ulët se një vit më parë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, deri tani janë regjistruar rreth 1 100 aplikime më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Drejtues të agjencisë shpjegojnë se kjo rënie lidhet kryesisht me ndryshimet e bëra këtë vit në masat mbështetëse për sektorin e bujqësisë.

Heqja e skemës së naftës me çmim të reduktuar, si edhe vendosja e kriterit për rritjen e sipërfaqes së mbjellë, kanë ndikuar që një pjesë e fermerëve të mos aplikojnë.

“Në vitin e kaluar, për qarkun e Shkodrës kanë aplikuar rreth 3600 fermerë në të gjitha masat. Ndërsa për këtë vit kanë aplikuar rreth 2500 fermerë. Një ndryshim thelbësor që i bëri fermerët të mos aplikojnë në këtë drejtim ishte se vitin e kaluar minimumi ishte 2 dynymë për të përfituar nga mbështetja, ndërsa këtë vit minimumi u bë 3.2 dynymë.”, tha Sherif Brahaj, specialist, AZHBR Shkodër

Ndërkohë, situata paraqitet krejt ndryshe në sektorin e blegtorisë. Lehtësimi i kritereve për përfitimin e mbështetjes financiare, përmes përgjysmimit të numrit minimal të krerëve që duhet të ketë një blegtor, si edhe rritja e masës së financimit për krerë, kanë nxitur interes të lartë për aplikim.

Procesi i aplikimeve, që ishte parashikuar të mbyllej më 26 qershor, është shtyrë deri më 6 korrik, duke u krijuar fermerëve më shumë kohë për të përfituar nga mbështetja financiare e ofruar përmes Skemës Kombëtare

Gazetar: A.Hoti

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›