TIA regjistron rreth 300 fluturime në ditë, vijojnë investimet dhe zgjerimi i kapaciteteve

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” (TIA) po regjistron rreth 300 fluturime në ditë, duke shënuar një rekord që pasqyron rritjen e vazhdueshme të trafikut ajror dhe zgjerimin e kapaciteteve operacionale.
Sipas TIA-s, pas çdo fluturimi qëndron puna e përditshme e ekipeve në terren, të cilat, edhe gjatë ditëve me temperatura të larta, garantojnë zhvillimin e operimeve në mënyrë të sigurt dhe në kohë.
“300 fluturime çdo ditë. Pas secilit prej tyre qëndrojnë njerëzit tanë. Në ditët me temperatura të larta, ekipet tona në terren punojnë me profesionalizëm dhe përkushtim për të garantuar operime të sigurta dhe në kohë”, thuhet në deklaratën e aeroportit.
Sipas TIA-s, ky rekord përfaqëson një tregues të rëndësishëm të rritjes së kapacitetit dhe efikasitetit të infrastrukturës ajrore në vend.
Rritja e trafikut ajror në Shqipëri po shoqërohet me zgjerimin e rrjetit të destinacioneve, përmirësimin e shërbimeve dhe investime të vazhdueshme në infrastrukturë, duke forcuar rolin e TIA-s si një nyje e rëndësishme e transportit ajror në rajon.
Sektori i transportit ajror në vend vijon të shënojë rritje si në numrin e fluturimeve ashtu edhe të pasagjerëve, ndërsa investimet në aeroport synojnë të rrisin më tej cilësinë e shërbimeve dhe kapacitetet operacionale.
/e.i/a.f/