Ndizet Flaka e pavarësisë në Kalanë e Ndroqit
Vatra kulturore Ndroq organizoi aktivitetin Flaka që bashkon historinë”. Kjo flakë u ndez në orën 21.00 në Kalanë e Ndroqit për të kaluar më pas në shenjë simbolike në kalatë të tjera historike si në Prezë, Krujë, Dajt, Petrele, Kepi i Rodonit, Durrës, Vilbashtovë etj, si për të sjellë edhe një herë në vëmendje formimin e shtetit shqiptar të palëkundur si vetë këto kala.
Historia e lashtë e mureve të kalave të kësaj zone ka ardhur ndryshe në një spektakël madhështor edhe me mbështetjen e bashkive Tiranë- Durrës- Krujë- Kavajë- Fushë Krujë si dhe të komunave të kryeqytetit dhe Durrësit. Historia e 13 kalave të Qarkut Tiranë dhe Durrës është shfaqur përpara qindra të pranishmeve, por edhe të ftuarve të shumtë. Por si vetë ky aktivitet madhështor nuk mund të mungonin pikërisht ata që janë pjesë e këtij shteti, ata që dikur kanë dhënë kontributin e tyre për këtë shtet të Ballkanit. Pikërisht në kalanë shekullore të Ndroqit nuk mund të mungonin personalitete të njohura të politikës, artit dhe kulturës.
Gjithashtu pjesëmarrës kanë qenë edhe ambasadori i OSBE në Tiranë, Eugen Volfarth si dhe ambasadori italian Masimo Gaiani, të cilët kanë përshëndetur këtë eveniment historik të qarkut Tiranë dhe Durrës. Përveç prezantimit të kalave, i cili erdhi më së miri si një promovim turistik për Shqipërinë, nuk kanë munguar këngët dhe vallet folklorike të zonës së Tiranës dhe Durrësit, interpretuar nga ansamblet përkatëse të këtyre qyteteve duke shpalosur edh enjë herë vlerat e këtyre kërcimeve.
Gjatë fjalës së tij z. Ylli Ndroqi, presidenti i nderit i Vatrës Kulturore Ndroq, u shpreh se ky aktivitet përkon me 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë vit historik dhe jubilar për vendin tonë, sot në promovojmë së bashku lashtësinë dhe bukuritë e Tiranës dhe Durrësit, ku 13 kalatë e këtij qarku janë vlera e vërtetë e jo vetëm e qarkut Tiranë dhe Durrës, por e të gjithë Shqipërisë, tha Ndroqi.
Z. Ndroqi ka nisur një projekt, i cili do të vendoset në jetë së shpejti për të treguar edhe një herë dhe për të nxjerrë në pah të gjitha vlerat historike të kalasë së Ndroqit të cilat fatkeqësisht janë të mbuluara nga pluhuri i harresës. Ky projekt konsiston në rindërtimin e kësaj kalaje shekullore duke e kthyer atë në një qendër turistike të promovimit të vlerave të lashtësisë së kësaj kalaje të ndërthurur me ide të reja dhe pse jo tek tuk edhe moderne.
