Ndizet debati për Qipron

Të shqetësuar nga mungesa e përparimit lidhur me çështjen qipriote, zyrtarët e lartë të qeverisë së Turqisë kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur se nëse nuk ka zgjidhje deri më 1 korrik, kur Qiproja do të marrë përsipër presidencën me rotacion të BE-së, Turqia do të pezullojë dialogun deri në presidencën e ardhshme të Bashkimit Europian, në janar të vitit 2013.
"Të gjitha alternativat janë në tryezë për një zgjidhje të çështjes së Qipros. Zgjidhjet, që Turqia do të shqyrtojë, do të përfshijë ribashkimin në kuadër të një marrëveshje që të dy udhëheqësit mund të arrijnë, krijimin e dy shteteve, ose aneksimin e Qipros së Veriut nga ana e Turqisë”, kishte deklaruar ", tha ministri turk i Çështjeve Europiane, Egemen Bagis.
Këto deklarata të ashpra janë të ndërlidhura kryesisht me bllokimin lidhur me marrëdhëniet BE-Turqi, të kushtëzuara nga konflikti i Qipros, argumentojnë ekspertët.
Sipas zëvendësdrejtoreshës së Istituto Affari Internazionali, Nathali Toçi, deklaratat e Bagis të kujtojnë qëndrimin e Turqisë në konfliktin qipriot të viteve 1997-1999, kur u bënë gjithashtu kërcënime të maskuara të aneksimit.
"Nuk është rastësi që kërcënime të tilla po bëhen përsëri tani," tha Toçi. "Në të dyja rastet, marrëdhëniet e Turqisë me BE ishin dhe janë në një pikë halli. Në të kaluarën, për shkak të dushit të ftohtë të marrë nga Turqia në takimin e nivelit të lartë të Luksemburgut në vitin 1997 dhe sot për shkak të zvarritjes së bisedimeve të pranimit", shtoi ajo.
Megjithatë, ekspertët nuk janë të një mendje lidhur me rëndësinë e deklaratës.
Mehmet Hasguler, nga Universiteti Europian i Lefkes, mendon se theksi i fundit i bërë nga Bagis është një kundër-masë e rëndësishme, që tregon se ka një sferë të gjerë alternativash në tryezë për bllokimin e tanishëm lidhur me çështjen e Qipros.
"Kur AKP erdhi në pushtet në Turqi, mori përsipër një rend të ditës të rëndë për Qipron dhe nisi të akuzojë komunitetit turk për të bllokadë”, thotë Hasguler.
Megjithatë, duke qenë një shtet garantues në Qipro sipas Traktatit të Garantëve të vitit 1960, Turqia është përmbajtur nga çdo skenar i aneksimit, tha drejtori i Nismës Kërkimore Qipro 2015 dhe Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare nga Universiteti i Mesdheut Lindor, Ahmet Sozen.
"Bagis rrezikon shkeljen e vetë detyrimeve të traktatit të Turqisë në kuadrin e të drejtës ndërkombëtare, kur ai, si një përfaqësues zyrtar i Turqisë, diskuton modele të zgjidhjeve alternative në Qipro me kaq hollësira, qoftë edhe për arsye taktike", tha Sozen.
Sozeni tha se aneksimit jo vetëm që i mungon baza e të drejtës ndërkombëtare, por gjithashtu mbështetja popullore në mesin e vetë turqve të Qipros.
"Sipas një sondazhi të opinionit publik, që kreu Nisma Qipro 2015 në fund të vitit 2010, 52 për qind e qipriotëve turq e konsideruan modelin e zgjidhjes së 'aneksimit nga Turqia' si 'krejtësisht të papranueshme', me vetëm 23 për qind që e konsideruan këtë alternativë si 'të kënaqshme", theksoi Sozen.
Por, taktike ose jo, të gjitha masat kanë një çmim.
"Natyrisht është e rrezikshme të shfaqësh reagime të tilla të ashpra lidhur me çështjen e Qipros. Por, nëse Turqia është e vendosur të bëjë një aneksim të tillë, mund të pre-supozojmë se Turqia ka marrë një vendim përfundimtar rreth përpjekjes së saj për anëtarësim në BE", theksoi Hasguler. (SETimes)