E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vangjel Tavo padit për shpifje kandidatin e PS-së

Gjirokastër- Nënkryetari i Parlamentit dhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, ka paditur për shpifje kryetarin aktual dhe njëkohësisht kandidatin e Partisë Socialiste për kreun e Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime. Mesditën e së enjtes, deputeti Tavo ka dorëzuar në Prokurorinë e Gjirokastrës padinë për veprën penale “shpifje për shkak të detyrës”, karshi kandidatit Bime. Sipas Tavos, kjo padi ngrihet pasi gjatë kësaj fushate elektorale, Bime ka ngritur akuza se deputetit Tavo i është falur nga shteti, disa ditë para zgjedhjeve të 2009-ës, një sipërfaqe toke prej 14 ha në zonën e Lëkurësit, Sarandë. Vetë Tavo e konsideron këtë akuzë një shpifje, ndërkohë që kërkon dëmshpërblim moral në vlerën e 20 milionë lekëve.

Përplasja

Tavo tha se padia është bërë për shpifje për shkak të detyrës, akuza publike për përfitime dhe cenim të personalitetit të tij. "Sapo regjistrova një çështje penale, në ngarkim të kryebashkiakut në ikje, Bime, për shpifje për shkak të detyrës. Pasi z.Bime ka qarkulluar me një letër të falsifikuar në duar, duke më akuzuar mua për shitje te Berisha, me një vlerë që e nisi me 100 mijë euro dhe tani e ka bërë 280 mijë euro. Regjistrova dhe një çështje civile për të njëjtën gjë, ku i kërkoj zotit Bime një dëmshpërblim prej 200 milionë lekësh, tha deputeti. Zoti Tavo ka kërkuar 200 milionë lekë shpërblim prej Bimes, para që sipas tij do të shkojnë për organizatat bamirëse. Akuza është ngritur pasi dy ditë më parë, në emisionin "Top Story", kryebashkiaku Flamur Bime akuzoi deputetin Tavo.

"Kam një dokument të datës 26 qershor 2009, dy ditë para zgjedhjeve, ku familja Tavo ka përfituar në Lëkurs 14 hektarë tokë, ose ka përfituar 140 mijë metër katror. Nëse ai nuk do të hidhte hapin dhe të kalonte nga ana tjetër, kjo ka qenë një strategji e organizuar shumë më parë", tha Bime gjatë këtij emisioni.

Tavo paralajmëroi se së shpejti do të riçelet çështja në ngarkim të z. Bime, lidhur me shembjen e një pallati në Gjirokastër 3 vjet më parë, ku humbën jetën 3 persona.

Flamur Bime është përfaqësuesi i koalicionit “Aleanca për të ardhmen” dhe rikandidon në postin e kryebashkiakut, ndërsa përballë tij në zgjedhjet e 8 majit është Genci Sinoimeri, i cili përfaqëson “Aleanca për qytetarin”. B.SH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›