E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndjesa e të mëdhenjve përballë vrerit keqdashës

19-06-2011 / Nga Qemal Sakajeva

Është provuar që, të mëdhenjtë bëjnë edhe gabime të thjeshta, madje shumë të rëndomta, por ndjesa e tyre është e kultivuar, tingëllon e besueshme dhe mbetet mbresëlënëse. Por është vërtetuar, gjithashtu, që, gënjeshtrat e të vegjëlve dashakeqë, sajohen në mënyrë fort komplekse dhe, edhe pas zbulimit të rrenave, vreri  i tyre i spërkatur idhton gjithandej, nga që  kanë qenë të qëllimta.
Le të bëhemi më të kthjellët:
Në mesin e viteve ’90, televizioni i madh italian RAI, pati transmetuar një lajm nga përditshmëria e jetës në Shqipëri. Teksti i kronikës qe mbuluar me pamje filmike të nxjerra nga arkivi i tij. Por qe kryer një gabim asisoj që, Televizioni Shqiptar kurrë nuk mund ta bënte, edhe pse profesionalizmi i tij ishte ku e ku më poshtë me kanalin e njohur italian. Lajmi për çështje të ditës nga Shqipëria qe mbuluar nga RAI me figurë nga qendra e Tiranës, me shtatoren gjigande e hijerëndë të Diktatorit ngritur, me pamje filmike të viteve të komunizmit. Menjëherë, ambasadori energjik Paolo Foresti i pati kërkuar takim drejtorit të Televizionit Shqiptar, të cilit i kërkoi ndjesë për atë gabim.
Më 14 -15 qershor 2011, në takimin ndërparlamentar Bashkimi Europian - Shqipëri, përkrah flamurit të BE, kësaj herë ishte vendosur flamuri shqiptar me simbolet e kohës së komunizmit. Protokolli i Parlamentit Europian, në një letër drejtuar ambasadores së Shqipërisë, me një ndjesë shembullore, theksonte ndër të tjera që, “… vendosja e flamurit të gabuar ishte gabimi ynë” dhe siguroi se një gabim i tillë nuk do të përsëritet më.
Këtyre dy rasteve të të huajve ndaj nesh (ka dhe të tjerë) le t’u përqasim vetëm tri raste tonat, drejtuar atyre për ndihmë  në dëmtimin e Shqipërisë, gjatë  betejës së çmendur për pushtet.
Nuk them lajm të ri, veçse kujtojmë diçka që ka mbetur si një përpjekje e shëmtuar e kryer: Humbja e orës së Presidentit Xhorxh Bush, gjatë vizitës së jashtëzakonshme, njerëzore dhe prekëse, me banorë të thjeshtë të një qyteti të vockël udhëkryq si Fushë-Kruja. Edhe pse nga Shtëpia e Bardhë u përgënjeshtrua humbja e orës së Presidentit, pak kush e mban mend lajmin përgënjeshtrues. Ajo që ka mbetur, edhe sot e kësaj dite, është vreri i lajmit dashakeq, për ta sjellë para botës, atë turmë entuziaste, si hajdute fundërrinë ndaj mikut të ftuar në shtëpinë e vet. Nuk ka mendje më të mbrapshtë se sa ajo, që i feksi kjo ide dhe detyroi botimin e lajmit që, siç po  thuhet rëndomë për këso rastesh, bëri xhiron e botës.
Edhe pse qenë plotësuar të gjitha kërkesat e shumta për heqjen e vizave, qytetarët e thjeshtë dhe zyrtarët më të epërm të shtetit, rrinin gjakngrirë deri minutin e fundit, nëse do t’i hiqeshin Shqipërisë vizat me vendet e Bashkimit Europian apo vendimi do të shtyhej për një kohë tjetër më vonë. Në kulmin e tik-takut shungullues, kur dy palët kryesore, qytetarët që meritonin heqjen e vizave ndërsa qeveria meritonte shpërblimin e një punë të shkëlqyer në përmbushje të kushteve të parashtruara nga Bashkimi Europian, u shfaq gjakftohtë pala e  tretë: në emër të Partisë Socialiste, Bashkimi Europian u paralajmërua troç me një gënjeshtër të zezë se, një milion shqiptarë ishin gati të emigronin menjëherë drejt Perëndimit. Vreri i kësaj gënjeshtre ende helmon edhe pse, për gjithë muajt në vëzhgim, raportit i Bashkimit Europian e shquajti Shqipërinë si një vend,  qytetarët e të cilit, i kanë zbatuar rregullat e lëvizjes së lirë dhe se shqiptarët nuk kanë shfaqur prirje për të kërkuar azil në shtetet ku kanë udhëtuar.
Pas komedisë me synime dramatike të Marigosë politike, dërgatës së nxituar socialiste në Kavajë për mosshterpëzim të marrëzisë së ngjizur në Tiranë, dhe veprimit të shpejtë profesional të Ministrisë së Punëve të Brendshme, tullumbacja me avuj helmues e lëshuar përtej Shqipërisë, paskësh mbetur pezull mbi zyrat e shteteve mike, deri dhe në qendër të Parlamentit Europian, dhe te vetë mikja e spikatur e Shqipërisë, eurodeputetja Tanja Fajon, e cila, pas akuzës së rëndë  drejtuar shtetit shqiptar, solli provën se, “Unë, këto që po them, i kam të bazuara në fakte dhe po të doni ju citoj e-mail-in e socialistit Erion Veliaj lidhur me këtë ngjarje, që ka informuar jo vetëm vendet e Bashkimit Europian”.
Këto tri shembuj gënjeshtrash keqdashëse të hatashme, mbeten kulmore për disa arsye:
Sepse kanë synuar Uashingtonin dhe Brukselin.
Sepse kanë buruar nga një guxim i marrë i padëgjuar.
Sepse janë nxitur nga keqdashja cinike: avitju me çdo kusht e sa më shpejt pushtetit, duke dëmtuar pozitën përmes përbaltjes dhe fyerjes së shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Sepse individët që meritojnë ndëshkim për veprime të dënueshme, mbrohen politikisht, mburren politikisht dhe shpërblehen politikisht nga opozita.
Sepse ka vdekur morali kolektiv - gënjehet partiakisht.
Sepse në fjalorin e shqipes së tyre politike nuk është më fjala magjike “më fal”, që fëmijët e mësojnë në kopshte, dhe  të mëdhenjtë i japin ndjesës një fuqi të jashtëzakonshme, duke e shqiptuar kur ata gabojnë. Sqarimin e së vërtetës për eurodeputeten Tanja Fajon, nuk do ta kishte kryer deputetja e djathtë shqiptare, sikur shtatëshja socialiste të ishte ngritur menjëherë dhe të thoshte se ajo ishte një gënjeshtër e zyrës së tyre, se ishte sajuar prej tyre dhe mbahej pezull si gënjeshtër për të mbetur si e tillë nëpër gjithë zyrat  dhe zyrtarët ku ishte shërbyer.
Qëndrimi sy më sy, pa u skuqur e pa u zverdhur, i përballuesve të pashoq të gënjeshtrës me zyrtarët që i kanë gënjyer, bëhet për t’u shpërblyer kur të merret pushteti, dhe nuk ndalen përpara veprimesh, që janë të ndëshkueshme, që nga Tirana deri në Bruksel.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›