E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhja historike: Ndarja e Serbisë

Nga Halil Matoshi

Nëse krerët e Serbisë, Tadiq e Daçiq, ofrojnë zgjidhje territoriale, madje duke e pranuar Shqipërinë e Madhe për arritjen e pajtimit historik me shqiptarët, si kamuflim për zhbërjen e Kosovës historike, kosovarët duhet tu ofrojnë atyre sa të duan histori dhe sa të duan zgjidhje territoriale dhe historike. Nëse Serbia dëshiron ndarje, OK, Kosova dëshiron ta ndajë Serbinë…

A e di sot dikush në Beograd, në Tiranë ose në Prishtinë (veçanërisht brezi i patriotëve të rinj që shqyejnë flamuj kosovarë me skalp) pse në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore ekzistojnë fshatra me këso emërtimesh dhe pse kosovarët kryesisht mbajnë këta mbiemra: Balltiqi, Banjska, Bajçinca, Bajçinovci, Banja, Babatica, Bajra, Batusha, Bellanica, Beselica, Bërbatoci, Bellopoja, Belegu, Bubavci, Bllaca, Borovci, Bojniku, Bogujevci, Breznica, Brajshori, Bullatovci, Buqinca, Bublica, Byqmeti, Bugunuvci; Cernoverni, Dedinca, Dediqi, Dushullovci, Dobratiqi, Dobrasheva, Dobërdolli, Dragidella, Dragusha, Draganci, Drevinja, Drenova, Drenovci, Dubrava, Dubova, Dukati, Gajtani, Gërguri, Gojnoci, Gollaku, Govori, Graboci, Gërbaci, Gubetini, Gurguroci, Gjelekari, Gjaka, Gjushinca, Gjurkoci, Gjurgjeci, Huruglica, Igrishta, Ivanja, Jashanica, Kamenica, Kacabaqi, Kapiti, Klaiqi, Klisurica, Konjufca, Koprani, Konxheli, Kodra, Konjuhi, Kremenata, Krivaqa, Krushevica, Kutllovci, Kozmaqi, Koznica, Kastrati, Lebana, Leci, Leposhtica, Lepenica, Lipovica, Lusha, Llapashtica, Llozana, Llugiqi, Llumnica, Magashi, Makoci, Maqedonci, Maqestena, Magjera, Matarova, Merqezi, Merovci, Megjuana, Mehanja, Medveci, Mikullovci, Miroci, Novosella, Orana, Obërtinca, Ostrogllava, Paqarada, Pasjaqa, Pallata, Petrovci, Përvetica, Pllana, Pllashniku, Popovci, Popova, Prebeza, Prekedini, Prevallci, Prekopuca, Prekorogja, Prekashtica, Qyqalla, Radeci, Radovci, Rafuna, Rakovica, Rashica, Restelica, Raqa, Ramabaja, Ramnishta, Raputoci, Ramadeni, Reçica, Retkoceri, Rudari, Rukoci, Ruboci, Selishta, Sekiraqa, Sllamniku, Sllatina, Siarina, Slishani, Slivova, Simnica, Skovërqa, Statovci, Stublla, Starobanja, Sfirca, Sfarqa, Sagonjeva, Spanca, Shahiqi, Shillova, Shulemaja, Taliroci, Tërstena,Tërnava, Tërpeza, Tërmkolli, Tërbunja, Toqani, Tovërlani, Topanica, Tmava, Tupalla, Vërbica, Vërbovci, Vrella, Vllasa, Vishesella, Vllahinja, Visoka, Vërshevci, Vranoci, Zagragja, Zebica, Zhegrova e shumë të tjera, mbi 500 fshatra etnike shqiptare???

Përgjigjja është e thjeshtë.

Sepse Serbia dhe Mali i Zi, sidomos nga vitet e krizës lindore (1875) dhe lufta ruso-turke (1876 1878) kanë pushtuar Sanxhakun e Nishit, duke përndjekur të gjithë shqiptarët, madje pa i lejuar të marrin bagëti, veshmbathje dhe ushqime.

Në arnautlluk bënin pjesë edhe Toplica, Kurshumlia, Vraja, Masurica, Leskoci, Prokupla, Bujanoci, Medvexha etj.

Sipas regjistrimit turk të popullsisë, në Kazanën e Leskocit jetonin 24.000 shqiptarë, në Kurshumli 29.000; në Prokuple 15.000; në Vrajë 25.000, pra rreth 93.000 shqiptarë. Kurse, sipas regjistrimit të parë serb, më 1879 kishin mbetur në tërë këtë rajon vetëm 6.000 shqiptarë.

Ndjekjen e dhunshme të rreth 30.000 shqiptarëve vetëm nga Toplica e pranon edhe historiografi nacionalist serb Jovan Cvijiq.

Sipas Jovan Ristiqit në Historinë diplomatike të Serbisë, libri II. (1898) pas depërtimit të ushtrisë serbe në rajon, në Arnautlluk kishte mbetur ushqim dhe bagëti si plaçkë, që ishte e mirëseardhur për ushtrinë tonë. (Shih për këtë: Petrit Imami, Srbi i Albanci kroz vekova)

Dhe si kundërpërgjigje projektit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Serbia ka vazhduar spastrimin etnik të këtyre krahinave kosovare deri në vitet 1912-13 dhe më pas, kur edhe aneksoi tërë Kosovën (me viset e sotshme nën Maqedoni dhe ato nën Malin e Zi).

Pastaj, Serbia mbretërore (SKS) e pastaj edhe ajo federale komuniste, e deri te Serbia fashiste e Millosheviqit, duke e përdorur dendur Mitin e Kosovës si djep të Serbisë dhe serbizimit, në emër të këtij miti të rremë, u ka shkaktuar fqinjëve të vet shumë gjak e vuajtje, deri në përmasa gjenocidale.

E në këtë kontekst, më së shumti dhembje i ka shkaktuar fqinjit të parë, Kosovës.

Njëqind vjet është djegur toka e Kosovës dhe njerëzit e saj, në emër të mitit historik për Kosovën si djep i Serbisë, e tashti, Boris Tadiqi i ka hyrë misionit historik ta rrënojë këtë mit, i cili, siç vlerësuan ai dhe shkrimtari Svetislav Basara, jo vetëm që qenkësh i rremë, por edhe i banalizuar si instrument në duart e politikës ditore dhe po e penguaka Serbinë në shtigjet prosperuese dhe integruese.

Dhe Tadiq fillimisht shfaqet i gatshëm të ndajë djepin e serbizimit (krahinën jugore serbe) hiç me pak se me Shqipërinë (duke vëzhguar se në Tiranë ekzistojnë qarqe që po ashtu e trajtojnë Kosovën si krahinë të Shqipërisë), për ta arritur pajtimin historik mes dy kombeve.

Natyrisht në dëm të të tretit.

Synimi i tij është i qartë si kristali: Fshirja e Kosovës edhe si nocion gjeografik dhe entitet juridik nga harta gjeopolitike e Europës, por edhe nga kujtesa historike.

Dhe kur lidershipi kosovar nuk e hëngri dot karremin e tij, ai u rishfaq sërish në rolin e kadiut otoman, duke akuzuar Prishtinën zyrtare se qëllimi i saj i fundit na qenkësh krijimi i Shqipërisë së Madhe!?

Në rrethana të reja, kur lidershipi serb, i interesuar për europeanizim dhe bashkëngjitje bllokut (BE-së), është në sprovë të kërkojë zgjidhje të reja, për të arritur pajtim me fqinjët e saj, posaçërisht me shqiptarët, e kjo sprovë duket se e ka rikthyer për një shekull prapa në histori. Në vend se në Ballkanin Perëndimor të iniciohet demokratizimi dhe shtendosja mes grupeve etnike, përmes deetnizimit të shteteve aktuale, si dhe tregje të lira e integrime, Serbia po i prin betejës për ripërkufizim etnik, duke kërkuar etnicizim të mëtejmë të shteteve, e këtë karrem etnonacionalist duket se po e hanë edhe disa shqiptarë, qoftë në Prishtinë apo Tiranë.

E, në këtë intencë serbe ka shumë teori lojërash dhe kurthe e hile historike, në të cilat shqiptarët e Kosovës besohet se nuk do të bien, sepse ende imperializmi serb e sheh Republikën e Shqipërisë si fqinjin e parë, dhe kërkon tia shtrijë dorën e pajtimit (pa marrë parasysh se si do të cilësohej, Shqipëri e Madhe, natyrale apo etnike) e assesi Republikën e Kosovës, si faktor të së drejtës ndërkombëtare, posaçërisht pas verdiktit të GjND-së.

Dhe që këtu nis rizgjimi i historisë, e cila as dje nuk ofroi zgjidhje të konfliktit historik dhe nuk do të ofrojë as sot dhe as kurrë. Pos fatkeqësive për popujt e Ballkanit.

Demokracia dhe politika integruese nuk kërkon asnjë zgjidhje historike, por ligjore.

Sepse, nëse Serbia kërkon ta ringjallë historinë si levë mbi të cilën mund të arrihet pajtim historik me shqiptarët, atëherë kosovarët e kanë një letër të fortë historike në duar për të arritur këtë ndarje dhe pajtim historik. Pra, nëse zgjidhja qenka në histori, atëherë kjo çon në ndarjen e Serbisë mes serbëve dhe kosovarëve. Sepse Serbia i ka pushtuar më 1912-13 dhe e ka kryer spastrimin etnik të gjysmës së territorit që administrohej nga Vilajeti i Kosovës, Sanxhakun e Nishit (Toplicën), që llogaritet të përfshijë rreth 10 mijë kilometra katrorë.

Kështu flet historia…

Mirëpo nëse historia është një ankth nga i cili njerëzimi do që të zgjohet (James Joyce) atëherë ti kthehemi realitetit.

Integrimeve euroatlantike si interesa vitale kombëtare të Serbisë dhe Kosovës dhe pajtimit mes dy shteteve.

A ka gjasë?

Nëse Serbia e Tadiqit investon në ridefinimin e kufijve etnikë dhe luan me letrën etnike, atëherë vërtet Serbia që nuk është aspak monolite etnikisht bëhet e ndashme leht

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›