Përvjetori i humbjes
Sa shpejt kalojnë vitet! Partia Socialiste mbushi 20 vjeç. Urime! Nga ekrani dallova themelues, kontribuues dhe përfitues. Mungonin dhe shumë nga themeluesit e kontribuuesit e vërtetë. Por ky është një detaj i pavlerë për drejtuesit e sotëm të PS. Përvjetori nuk dukej i gëzueshëm për socialistët. Madje, sipas kryetarit, evenimenti përkoi me një orë të vështirë dhe për Shqipërinë! Po përse Shqipëria kalon orë të vështira?! Kryetari pretendon se socialistët i fituan zgjedhjet lokale. Prandaj është e pakuptimtë dhe alogjike që socialistët të kalojnë orë të vështira kur kanë fituar…Përkundrazi, presupozohet se ata duhet ta shijojnë fitoren në të gjitha dimensionet. Me sa kuptohet, orët bëhen të vështira po nuk mbajti Bashkinë kryetari! E çuditshme kjo logjikë. Po pse, nga një individ përcaktohen fatet e Shqipërisë? Në konferencën e shtypit, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, kryetari la të kuptohet se e humbi Bashkinë. Humbës në përvjetorin e 20-të! E dhimbshme dhe dëshpëruese. Në fakt, socialistët kanë me se ngushëllohen. Kryetari mund të humbë Bashkinë, por ai ka ende partinë. Kryetari, siç e deklaron dhe vetë, nuk është politikan, por do të vazhdojë të merret me politikë. Si misionar do të vazhdojë misionin (më 27 korrik 2009, në një shkrim te Panorama, e kam quajtur Mision i dështuar). Ai ka një ëndërr! Dhe ëndrra vazhdon! (për kryeministër). Sipas llogarive të tij, ai kurdoherë është fitues. Por atij ia vjedhin fitoren. Na e vodhën mandatin kanibalët, si në 2009-n, – po thonë tani kryetari dhe mbështetësit. Por mos u mërzitni, o socialistë! Me zgjedhje të parakohshme do të vijmë në pushtet! Edhe po nuk mundëm tia dalim, bëni durim, ja mbërriti 2013-ta! Saliun se voton njeri në 2013-n, – do kumtojë kryetari! Saliun se voton më njeri – do vazhdojë kori i humbësve. Kështu mendonte për Saliun edhe para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, kur kryetari kishte objektiv rrëzimin e Nanos. Fatkeqësisht, prej vitit 2005, kur ai ka marrë drejtimin e PS, atë e shoqërojnë humbjet, e, me sa duket, kjo histori do të vazhdojë gjatë. E bëj këtë parashikim pasi në prononcimin e parë, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, Rama shprehu vendosmërinë për ta çuar deri në fund betejën! Mirëpo betejat e tij kanë rezultuar humbëse. Problemi bëhet paksa më i ndërlikuar tani që kryetari nuk do të jetë më kryetari i Bashkisë. Paskëtaj do të shohim sa përfituesit do të ecin në gjurmët e tij. Më 27 tetor 2009, në një analizë te gazeta Panorama, e titulluar Rënia e Fylarkëve, kam parashikuar se kryetari do ta humbiste Bashkinë në zgjedhjet lokale të 2011-s. Në atë shkrim kam parashikuar se pas kësaj humbjeje do të përfundojë edhe kontrata me fylarkët dhe përfituesit do të largohen paksa prej tij. Në këtë konkluzion më çonte politika e vjetër e Edi Ramës dhe konstatimi se grupet përfituese, lidhjet nuk i kanë pasur me kryetarin e partisë, por me kryetarin e Bashkisë. Të shohim sa do të vërtetohet parashikimi i dytë.
E vërteta mbi krijimin e Partisë Socialiste
Është bërë zakon që në prag përvjetorësh të Partisë Socialiste bëhen komente e jepen intervista mbi faktin se kush është themeluesi dhe protagonistët e saj. Në kulturën moderne perëndimore sundon realizmi. Ngjarjet fiksohen në celuloidin e historisë ashtu si kanë ndodhur. Në historiografinë komuniste ka dominuar subjektivizmi. Madje, për ta shtrembëruar historinë janë retushuar edhe fotografitë e personaliteteve, në mënyrë që ata jo vetëm të mos kujtohen, por mundësisht ti mbulojë pluhuri i harresës. Por, historia ka një karakteristikë të patjetërsueshme. Ajo bëhet dhe vetëm shkruhet, ose rishkruhet kur në mënyrë subjektive i është larguar së vërtetës. Për interesa shkencore dhe politike po punoj për doktoraturën, me tezë studimi: Institucionet politike dhe format e qeverisjes së shtetit shqiptar prej vitit 1912 deri në 1925-n. Në arkiva gjen shumë fakte të panjohura dhe konstaton se shumë ngjarje janë deformuar. Për rrjedhojë, shumë ngjarje historike duhet të rishkruhen. Interesante janë përshkrimet e protagonistëve politikë të kohës. Një i tillë është Sejfi Vllamasi, një personalitet i elitës politike të viteve 20, pak i njohur, për arsye politike, por një narrator i shkëlqyer i historisë politike. Aty gjen vlerësime për elitën politike të atyre viteve me një realizëm të admirueshëm edhe për ato figura politike që ai i konsideron kundërshtarë të tij. Shikoni se si po zhvillohen ngjarjet në PS. Themeluesit janë bërë për ti ftuar. Dhe nga kush ftohen? Nga ata që e godisnin me gurë këtë parti kur themeluesit e krijuan! Asnjë fjalë për kryetarin dhe drejtuesit e kësaj partie në 20 vjet. E çuditshme është me ne shqiptarët. Sa të theksuar e kemi prirjen për të mohuar çdo vlerë të kujtdo që e konsiderojmë kundërshtar. Edi Ramës i është mbushur mendja se historia e kësaj partie fillon nga dita kur atë e bënë kryetar. Njëkohësisht të bën përshtypje edhe kur disa flasin për ngjarje të pajetuara, por të treguara nga të tjerët dhe veten e vendosin në rolin e protagonistit kryesor. Por, më ulëritëse është kur dëgjon disa që nuk e pranonin pluralizmin politik dhe sot recitojnë si baballarët e demokracisë, sikur të ishin Aleksandër Hamilton, Xhon Xhej apo Xhejms Medisonët e SHBA.
Disa ditë para përvjetorit të 20-të të PS po diskutoja me mikun tim, Rapush Meta, i cili drejtonte burimet njerëzore për përgatitjen e Kongresit X. Duke rikujtuar ngjarjet folëm edhe për kolegët tanë: Arqilenë, Hasanin, Andonin, Ollga Naunin, Xhepin, Dhimon etj. (të më falin që nuk po i citoj të gjithë). Historia e Partisë Socialiste nuk mund të kuptohet pa e ditur si janë zhvilluar ngjarjet në fillim të viteve 90, deri në Kongresin X. Përgatitjet e Kongresit u bënë kur kishte rënë Muri i Berlinit dhe në Europën komuniste po ndodhnin përmbysje të mëdha, me ndikim edhe në vendin tonë. Për organizimin e Kongresit u krijuan grupe pune për çështjet filozofike, programore e ekonomike, ku bënin pjesë: Vasillaq Kureta, Artan Fuga, Maqo Lakrori, Moikom Zeqo, Foto Çami, Musa Ulqini, Shaban Sinani, Fatmir Zanaj, Zija Çela, Selaudin Kuça, Shkëlqim Cani, Leontiev Çuçi, Bardhyl Minxhozi, Abdyl Backa, Xhelil Gjoni, Spiro Dede, Nexhmedin Dumani etj. Kongresi ishte një shfaqje e përgatitur deri në detaje minimale. Por ai doli jashtë kornizave për meritën e shumë aktorëve që kërkonin ndryshime më të shpejta politike. Më vjen mirë kur në përvjetorin e 20-të kryetari vlerësoi Dritëroin. Edhe unë do ta veçoja qëndrimin e Dritëro Agollit, i cili nga ngacmimet e disa delegatëve u detyrua të pohojë se kjo parti (Partia e Punës) ishte e destinuar të vdiste pikërisht nga fryma mbytëse që u reflektua edhe ndaj Dritëroit gjatë fjalës së tij. Me vlera ishte edhe diskutimi i intelektualit Moikom Zeqo dhe e ndonjë tjetri. Më duken shumë intriguese citimet e këtyre personaliteteve, sepse edhe sot ata bëjnë në thelb të njëjtat kritika për Partinë Socialiste sikur të ishim në vitin 1991. Tani nuk ka më një Byro Politike që zbatonte vetëm porositë e Ramiz Alisë, por është një Kryesi që, me përjashtime të vogla, i shërben kryetarit. Rrapushi më kujtoi dhe projektin për udhëheqjen ekzekutive që do ti paraqitej forumit. Ramiz Alia mund të ketë menduar edhe për ndonjë kandidat tjetër për kryetar të partisë. Por në qarqet intelektuale më i lakuar ishte Fatos Nano, dhe ai u propozua, pasi kishte shfaqur edhe publikisht nevojën për ndryshime. Nano shihej si një liberal dhe trajtimi si liberal atëherë nuk kishte kuptimin dhe vlerësimin e sotëm. Me qëndrimet e tij ai shkaktonte pakënaqësi te disa drejtues të kohës, veçanërisht kur ai deklaronte te Zëri i Amerikës nevojën për ndryshime, të cilat do të sillnin përmirësime në jetën ekonomike dhe sociale. Nënkryetarët u propozuan duke pasur si synim vlerat e tyre dhe gjithashtu përfaqësimin gjeografik. Kandidatët për në
