E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndjesi e lartë e krijuesit për krijuesin

Parafjalë për librin "Demaçi, vepra letrare", të A. Konushevcit


Vështrimi kritik, "Demaçi, vepra letrare", është prezantimi dinjitoz i krijuesit A. Konushevci për krijimtarinë letrare të Demaçit. Është një libër panoramik, ku spikat ndjesia e lartë e krijuesit për krijuesin dhe, me këtë rast, një përpjekje për të ndriçuar pjesët e dukshme dhe të padukshme të krijimtarisë letrare të Demaçit, me një shtrirje kohore thuajse 50-vjeçare.


Kjo krijimtari është ndjekur në të gjithë rrjedhën e vet, duke i dhënë mundësinë Konushevcit të hetojë çka është më e qenësishme te kjo vepër, të dallojë dhe të përcjellë për lexuesin atë çka është më pikante te një krijimtari shumëvëllimshme. Vështrimet e thukëta dhe serioze mbi pjesën më të rëndësishme të veprës letrare të Demaçit ("Gjarpërinjtë e gjakut", "Kur zoti harron",


"Libër për Vet mohimin", "Tung, vargu im", "Heli e Mimoza", "Dashuria kuantike e Filanit", etj.), hapin një hapësirë këndvështrimi për lexuesin që ta njohë më mirë veprën e Demaçit; ndërkaq, bibliografia shumë e pasur është njëfarë plotësimi mbi opsionet e Konushevcit rreth kësaj vepre si një tanësi me gjithë larminë e vet të dukshme dhe si e tillë ajo ka se çfarë t'i ofrojë lexuesit.


I parë më në brendësi, libri i Konushevcit është një profil për njeriun që kërkoi liri dhe integritet, që njëkohësisht e prezantoi vetveten si njeriu i sakrificës, si njeri i një morali të lartë, dhe që, në njëfarë forme, Konushevci e jep këtë profil qoftë edhe në katër vargje:
Pikat AD


I forcojnë eshtrat
Dhe e rritin mallin
Të kesh Nënë


Konushevci jep një mënyrë se si mund të rroket një vepër si ajo e Demaçit, e cila të jep mundësi interpretimi për shkak të kumteve që përcjell, të formës artistike, të mënyrës së ndërtimit të personazheve dhe kodit të tyre të veçantë të komunikimit me lexuesin, dhe ç'është e rëndësishme, një vepër që ofron një rrëfim të pasur me begatinë e gjuhës shqipe.


Po përmendim këtu vetëm mënyrën si e sheh Konushevci romanin "Gjarpërinjtë e gjakut", duke vërejtë veçantinë e procedimeve stilistike ("Një nga procedimet stilistike, i cili e romanizon më së shumti këtë vepër, është pa mëdyshje përshkrimi, qoftë i mjedisit të fshatit, qoftë i heronjve dhe i veprimeve të tyre, duke dalë autori një narrator i gjithëdijshëm në pajtim me poetikën e romanit realist, nga e cila e ka përvetësuar këtë teknologji të shkrimit letrar").


Apo një vepër tjetër si "Dashuria kuantike e Filanit", ku e saktëson se në ç'hulli është kjo lloj proze, si dhe e sheh në afri me një roman tjetër të shkruar më parë, gjë që dëshmon për atë lidhje organike ndërmjet veprave të veçanta me veprën e plotë të autorit ("Romani më i ri i Demaçit, "Dashuria kuantike e Filanit", është njëmend një prozë autobiografike me elemente të shumta dokumentare, kurse, në shumë pika, sidomos në punë të meditimit transhendental, ai afrohet me romanin e tij të mëparshëm, "Heli dhe Mimoza").


Konushevci nuk e kornizon mendimin e vet kritik si një mendim përfundimtar, por lë shteg të çeltë, se njëkohësisht gjithë kjo vepër letrare mund të shihet nga shumë anë, se mund të ketë mënyra të ndryshme interpretimi, duke lënë të nënkuptohet me modestinë e krijuesit serioz se, ky libër, për veprën letrare të Demaçit është vetëm një formë interpretimi e saj.


Ajo çka e dallon këtë lloj shkrimtarie kritike (vështrim a panoramë kritike) të A. Konushevcit, është njohja dhe ndjekja hap pas hapi e krijimtarisë së Demaçit (sa mund të thuhet se Demaçi shndërrohet në personazh letrar të studimit të Konushevcit), kultura e lartë e të shkruarit dhe ç'është e dukshme, dashuria me të cilën është shkruar studimi.
Ia vlen të besosh se vepra të tilla përcjellin një respekt të krijuesit për krijuesin, një ftesë që të respektohen vlerat, qoftë edhe në një kohë të trazuar.


Si i tillë, ky libër vjen si një vëllim që u ka munguar letrave shqipe, por që, njëkohësisht, merr rëndësi se vjen me një pamje autoriale, për shkak se autori i saj (A. Konushevci), është studiues me emër dhe me predispozitën të paraqesë vetëm vepra serioze, çka e dëshmon edhe në këtë vepër të tij më të re.


Problemi me Pazarin e Korçës. Specialistë të Institutit të Monumenteve inspektojnë punimet në objekt: Gjendja nuk është e rëndë

IMK përgënjeshtron akuzat
Pak ditë pas akuzave të specialistëve për prishjen e Pazarit të Korçës, Instituti i Monumenteve të Kulturës dërgoi një ekip specialistësh për të konstatuar se çfarë po ndodh realisht.
Inspektimi njëditor i tre specialistëve të Institutit të Monumenteve është përpiluar në një raport jo më i gjatë se një faqe.


Në raportin, të cilin na e bëri të ditur Besim Lila, nëndrejtori i IMK-së, thuhet se gjendja e objektit të inspektuar nuk është aq e rëndë sa e kanë paraqitur specialistë të monumenteve dhe arkitektët, Artan Shkreli dhe Maks Velo. Aty shpjegohet se punimet për restaurimin e një blloku ndërtesash të Pazarit të Korçës po vijojnë në mënyrë normale.


Deri tani, sipas këtij raporti, janë realizuar rreth 30-40% e gjithë punimeve. Janë suvatuar fasadat dhe janë restauruar disa korniza dritaresh. I vetmi problem që këta specialistë evidentojnë janë ulluqet e çative. Ato që janë vendosur janë prej materiali plastik dhe duhet të zëvendësohen me ulluqe të tjera, të cilat duhet të jenë më material xingatoje.


Akuzat se restaurimin e këtij pazari e ka marrë në dorë një firmë e palicencuar për të kryer restaurime të specializuara, kanë marrë një përgjigje dyradhëshe. Specialistët shkruajnë se "subjekti që po kryen punime është prokuruar brenda ligjit".

Sa për akuzën e arkitektit Velo, ajo është e vërtetë. Firma që po kryen restaurimin është një firmë ndërtimi e palicencuar për punime të tilla, por veprimtaria e saj në këtë rast është e ligjshme, pasi punimet po ndiqen nga një person i licencuar për restaurimin e monumenteve.

Sa për akuzën e arkitektit Velo, ajo është e vërtetë. Firma që po kryen restaurimin është një firmë ndërtimi e palicencuar për punime të tilla, por veprimtaria e saj në këtë rast është e ligjshme, pasi punimet po ndiqen nga një person i licencuar për restaurimin e monumenteve.

Ju nuk e keni parë Pierre-Yves Plat-in në koncert

"Klasike apo jazz? Pierre-Yves Plat-it i rrinë ngushtë etiketat. Ai zotëron artin e të ekzekutuarit me një ndjeshmëri të madhe muzikore dhe me një virtuozitet të habitshëm veprat e mëdha klasike për piano, duke bërë që Chopin të rezonojë në ragtime ose Bach në salsa...


Improvizimet e tij entuziazmojnë publikun, i joshur nga surprizat dhe fantazia e spektaklit. Bach, Chopin, Beethoven dhe të tjerë dialogojnë me epokën tonë nëpërmjet gishtërinjve të virtuozit të ri, me guxim dhe ndjenjë.


Një pianist që duhet njohur dhe duhet ndjekur!" Ky është me pak fjalë, sipas kritikut Claude Bolling, pianisti Pierre-Yves Plat, që spektatori në Tiranë mund ta ndjekë më 30 maj, në orën 19.00, në Akademinë e Arteve.


Bach, Chopin me vals, etyd, nokturn, fantazi, Beethoven me "Sonatën e hënës" dhe sonatën nr. 8 "Patetika", Rachmaninov me prelud dhe Brahms me "Valle hungareze nr. 5".
Ky është programi i së shtunës që do të ekzekutojë Yves Plat-i.


I lindur më 1980-ën, Pierre-Yves Plat-i nisi të studiojë piano klasike në moshën pesë vjeç me Marie-Claude Legrand. Personaliteti i tij dhe prirjet e tij të brendshme të ritmit e çojnë spontanisht drejt boogie-t, ragtime-t dhe më pas drejt improvizimit që ai mësoi pranë mjeshtërve Edouard Ferlet dhe Fabrice Eulry.


Pierre-Yves Plat-i, aktualisht vazhdon një karrierë solistike dhe koncertet e tij shndërrohen në një spektakël të vërtetë. Ai zbavitet vërtet shumë kur interpreton nga Chopin-i tek Ray Charles.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›