E Shtunë, 31 Tetor 2026

Glover: Partitë të mos vënë interesat partiake mbi zgjedhjet

Shefja e Misionit të ODIHR-it flet për situatën parazgjedhore dhe ndryshimet nga viti 1996


TIRANË- Shefja e Misionit të OSBE-ODIHR-it në Tiranë, ambasadorja britanike, Audrey Glover, shpreson që ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, kësaj here partitë kryesore politike të mos vënë interesat afatshkurtra partiake mbi stabilitetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor.


Duke e cilësuar procesin e pajisjes së kartave, si çështjen më të debatueshme, Glover shtoi se duhen bërë të gjitha përpjekjet, që zgjedhësit me të drejtë vote, por pa dokumentet e duhura të identifikimit, të pajisen me karta identiteti, në mënyrë që të kenë mundësinë të votojnë me 28 qershor


Pas tri javësh qëndrimi në Shqipëri, çfarë mendoni për situatën ekzistuese parazgjedhore?


Është tepër herët që të nxjerrim përfundime për situatën parazgjedhore. Ne e kuptojmë që në këto zgjedhje ka çështje, të cilat kanë hapur shumë polemika, e në veçanti çështja e identifikimit të zgjedhësve dhe kartave të identitetit, ose letërnjoftimeve elektronike.

Po i ndjekim nga afër zhvillimet. Po bëhen përgatitjet për zgjedhjet dhe fushata duket të ketë filluar, edhe pse periudha e fushatës zyrtare fillon vetëm me 28 maj.


Megjithëse fushata zgjedhore nuk është hapur zyrtarisht, udhëheqësit politikë e kanë nisur fushatën. Si ju duket gjuha e përdorur prej tyre? A është më e pjekur klasa politike nga përvoja juaj e fundit në 1996-ën?


Nuk jam e sigurt nëse mund të bëj ndonjë koment për klasën politike shqiptare në tërësi. Por, në lidhje me kuadrin e përgjithshëm zgjedhor, ne kemi vënë re që nga viti 1996 ka pasur ecuri që është arritur hap pas hapi. OSBE/ODIHR-i mund ta bëjë këtë koment, pasi ka një pozicion unik, duke qenë se i ka vëzhguar pothuajse të gjitha zgjedhjet në Shqipëri, që nga viti 1996.

Raportet e saj për Shqipërinë e pasqyrojnë shumë qarte këtë ecuri. Në veçanti, është përmirësuar Kodi Zgjedhor dhe procesi i regjistrimit të zgjedhësve. Të dyja raportet e fundit të OSBE/ODIHR-it, ai për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 dhe raporti për zgjedhjet vendore të vitit 2007, deklarojnë se zgjedhjet kishin përmbushur pjesërisht angazhimet e OSBE-së dhe kishin plotësuar kushtet për garë konkurruese.


Nga ana tjetër, gjatë të dyja këtyre zgjedhjeve, OSBE/ODIHR-i kritikoi rolin e partive kryesore politike, pasi ato vunë interesat afatshkurtra partiake mbi stabilitetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor. Shpresoj që nuk do të ketë një përsëritje të këtij fenomeni në zgjedhjet e sivjetme, siç edhe shpresojmë që arritjet e deritanishme të konsolidohen më tej më 28 qershor.


A mendoni se është normale që, pas 19 vjetësh tranzicion, asnjë qeveri nuk ka bërë të mundur pajisjen e plotë të gjithë qytetarëve me karta identiteti?


Prodhimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit filloi 6 muaj përpara zgjedhjeve, ndërkohë që ishte premtuar që ky proces do të fillonte në 6 muajt e parë të kësaj qeverisjeje. Ju po e ndiqni ecurinë në qendrat e aplikimit? A ka probleme?


Duhen bërë të gjitha përpjekjet që zgjedhësit me të drejtë vote, por pa dokumentet e duhura të identifikimit, të pajisen me karta identiteti, në mënyrë që të kenë mundësinë të votojnë më 28 qershor.


Kjo është një përgjegjësi e qeverisë në mënyrë të veçantë, por si me të gjitha politikat që kanë të bëjnë me qytetarët, procesi i aplikimit dhe shpërndarjes së kartave te identitetit duhet të ketë mbështetjen e qytetarëve dhe partive politike. Vëzhguesit tanë afatgjatë po e ndjekin procesin në rajone dhe një nga analistët tanë të zgjedhjeve ka detyrë të veçantë analizimin e regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve.


Konkluzionet në lidhje me këtë çështje do të përfshihen në raportet tona të ndërmjetme, si edhe në deklaratën e konkluzioneve paraprake që do të nxjerrim ditën pas zgjedhjeve.


Ç'pasoja mund të ketë për Shqipërinë në sytë e ndërkombëtarëve, nëse në këto zgjedhje shënohen incidente?


Si gjithmonë, OSBE/ODIHR-i do të publikojë një deklarate të konkluzioneve paraprake ditën pas zgjedhjeve, por edhe një raport përfundimtar pas përfundimit të procesit, duke përfshirë në të shumë plane, madje edhe ankime të ndryshme që mund të jenë bërë deri atëherë. Ne të gjithë e dimë që këto zgjedhje janë të rëndësishme për Shqipërinë dhe për integrimin e saj të mëtejshëm në strukturat europiane.


Ne, po ashtu, e dimë që raporti ynë do të ketë një rol të rëndësishëm për politikën shqiptare dhe të ardhmen e Shqipërisë. I sigurojmë të gjitha palët e interesuara në këtë proces që ODIHR-i do ta bëjë punën e tij me paanshmëri të plotë. Paanshmëria e ODIHR-it është një nga arsyet se pse është vlerësuar aq shumë puna jonë në të gjithë rajonin e OSBE-së për kaq shumë vjet.


Çfarë ndodhi në Shqipëri në '96-ën dhe cili ishte roli juaj në këtë situatë? Si do ta përshkruanit marrëdhënien tuaj me udhëheqësit politikë të asaj kohe?


Unë isha shefja e Misionit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 1996-ës. Për ne është e rëndësishme të mos mendojmë për të kaluarën. 1996-a ka 13 vjet që ka kaluar, por të shohim zgjedhjet e vitit 2009.


Arsyeja pse jemi këtu është që të kryejmë misionin tonë në mënyrë të paanshme dhe pa paramendime. Vitet e fundit, OSBE/ODIHR-i ka pasur marrëdhënie shumë të mira me të gjitha palët e përfshira në zgjedhje.


Përse këmbëngulët të takonit Kryeministrin Berisha dhe ministrin e Jashtëm Lulzim Basha? A keni takuar figura të qeverisë që nga koha e mbërritjes suaj këtu?


Për një shef të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it është e zakonshme që të takojë përfaqësues të lartë të qeverisë në vendin pritës. Zakonisht, kreu i misionit vëzhgues takohet dhe me partitë politike kryesore. Unë jam takuar me KQZ-në, me zëvendësministrin Poni, si dhe me një sërë partish politike. Anëtarë të skuadrës sime kanë kontakte të rregullta me KQZ-në dhe me partitë politike.


Çfarë duhet të presim nga raporti paraprak?


Deklarata e konstatimeve dhe konkluzioneve paraprake do të pasqyrojë faktet dhe përfundimet e konsoliduara të misionit tonë vëzhgues. Ne po veprojmë vetëm mbi bazën e metodologjisë së ODIHR-it, e cila është sprovuar shumë herë dhe pranohet gjerësisht: kjo do thotë se marrim angazhimet e OSBE-së dhe legjislacionin kombëtar dhe vlerësojmë se deri në ç'shkallë i arriti standardet procesi zgjedhor.


Më konkretisht, deklarata do të përmbajë një vlerësim për administratën zgjedhore, ku përfshihet puna e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe komisioneve të niveleve më të ulëta, regjistrimi dhe identifikimi i votuesve, procesi i regjistrimit të kandidatëve, fushata zgjedhore, pasqyrimi mediatik i zgjedhjeve dhe fushatës, pjesëmarrja e grave dhe minoriteteve kombëtare në procesin zgjedhor.


Dhe, sigurisht që do të përfshijë vëzhgimin tonë të ditës së zgjedhjeve, numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultateve.


Roli i partive në zgjedhje


Gjatë të dyja këtyre zgjedhjeve, OSBE/ODIHR-i kritikoi rolin e partive kryesore politike, pasi ato vunë interesat afatshkurtra partiake mbi stabilitetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor. Shpresoj që nuk do të ketë një përsëritje të këtij fenomeni në zgjedhjet e sivjetme, siç edhe shpresojmë që arritjet e deritanishme të konsolidohen më tej më 28 qershor


Procesi


Duhen bërë të gjitha përpjekjet që zgjedhësit me të drejtë vote, por pa dokumentet e duhura të identifikimit, të pajisen me karta identiteti, në mënyrë që të kenë mundësinë të votojnë më 28 qershor. Kjo është një përgjegjësi e qeverisë në mënyrë të veçantë, por, si me të gjitha politikat që kanë të bëjnë me qytetarët, procesi i aplikimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit duhet të ketë mbështetjen e qytetarëve dhe partive politike.


Glover dhe 1996-ta


Unë isha shefja e Misionit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 1996-ës. Për ne është e rëndësishme të mos mendojmë për të kaluarën. 1996-a ka 13 vjet që ka kaluar, por të shohim zgjedhjet e vitit 2009.


Çfarë përmban raporti


Më konkretisht, deklarata do të përmbajë një vlerësim për administratën zgjedhore, ku përfshihet puna e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe komisioneve të niveleve më të ulëta, regjistrimi dhe identifikimi i votuesve, procesi i regjistrimit të kandidatëve, fushata zgjedhore, pasqyrimi mediatik i zgjedhjeve dhe fushatës, pjesëmarrja e grave dhe minoriteteve kombëtare në procesin zgjedhor. Dhe, sigurisht që do të përfshijë vëzhgimin tonë të ditës së zgjedhjeve, numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultateve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›