Var veten babai i këngëtarit
Xhetan Shira, babai i këngëtarit Altin Shira, u gjet i vetëvrarur në mesnatë në vendin e tij të punës
Policia nis hetimin për ngjarjen, ndërsa ende nuk ka një version zyrtar në lidhje me ngjarjen e mëngjesit të djeshëm
TIRANË- Vetëvaret në kryeqytet babai i këngëtarit të muzikës turbofolk, Altin Shira. Xhetan Shira, 62 vjeç, banues në lagjen e njohur si "Kodra e Priftit", i ka dhënë fund jetës së tij duke u vetëvarur rreth orës 00:30 minuta të mesnatës të së hënës, duke u gdhirë dita e djeshme.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një parking makinash në bulevardin "Gjergj Fishta", pranë ish- NPV-së ushtarake, ku i ndjeri punonte si roje aty gjatë turnit të natës. Dyshimet e policisë lidhen me një problem të tijin në familje, por që policia ka preferuar ta mbajë të papublikuar, për shkak se çështja është ende në hetim.
Viktima ka qenë i vetëm në momentet që ka vendosur t'i japë fund jetës, në kohën që kryente punën e rojes në një parking dhe njëkohësisht edhe lavazh automjetesh. Sipas burimeve zyrtare të policisë, 62 -vjeçari Shira e cili banonte në lagjen e njohur si "Kodra e Priftit" në kryeqytet, ka lajmëruar më parë familjen e tij, për shkak se nuk ndjehej mirë dhe se ishte sëmurë.
Por sipas burimeve të policisë që iu referohet dëshmitarëve në të vërtetë ai nuk ka qenë sëmurë, por nuk ndihej mirë, ndoshta edhe nga fakti se ai kishte vendosur t'i jepte fund jetës së tij.
Të afërmit, edhe pse nuk janë vonuar për të mbërritur në vendin ku punonte Shira për të parë se çfarë shqetësimi kishte njeriu i tyre, nuk kanë mundur ta gjejnë të gjallë. Sapo kanë hyrë në portën kryesore të parkingut, familjarët janë përballur me skemën që Xhetani kishte menduar për tu vetëvarur.
Ai është gjetur i varur me litar në një lartësi jo shumë të madhe pa asnjë shenjë jete. Të afërmit e Shirës kanë njoftuar Policinë e kryeqytetit për të kryer të gjitha veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, ku më pas është dërguar trupi për në morg për të kryer veprimet.
Pas autopsisë së kryer nga ekspertët mjeko- ligjorë është përcaktuar se shkaku i vdekjes së Xhetan Shirës ka qenë asfiksia mekanike e shkaktuar kjo nga akti i varjes në litar.
Të afërmit e babait të këngëtarit janë marrë në pyetje për veprimtarinë që ka patur viktima në punë dhe jashtë saj. Por sipas tyre ai nuk ka patur probleme si në të kaluarën edhe gjatë muajve të fundit.
Familja Shira banon në një shtëpi private në periferi të kryeqytetit. Në banesë të gjithë të afërmit e tij nuk dinë të gjejnë një motiv që mund të ketë shtyrë 62- vjeçarin të vetëvritet.
Në ato pak fjalë që thonë , shprehen se familjari i tyre nuk shfaqte asnjë shqetësim që mund të ketë ndikuar për t'u vetëvarur dhe shkonte në punë rregullisht. Për të gjithë miqtë dhe shokët e tij shkaqet e vetëvrasjes së Xhetan Shirës mbeten të panjohura, derisa Policia të ketë version zyrtar për ngjarjen.
Kolegët e viktimës janë të befasuar nga akti që ka marrë 62- vjeçari për t'i dhënë fund jetës. Njëri prej tyre që zëvendësonte viktimën në punë, një burrë rreth të 60-va që qëndronte në portën hyrëse të parkingut tregon se Xhetani nuk ka shfaqur asnjë shqetësim apo ndonjë shenjë depresioni në punë.
"Ai shpesh ishte i qeshur dhe tepër gazmor me të gjithë punonjësit e tjerë të parkingut dhe kurrë nuk mund ta besoj se mund ta ketë kryer vetëvarjen nga depresioni. Viktima punonte prej disa kohësh si roje gjatë natës në parkingun që ndodhet në Bulevardin "Gjergj Fishta", pranë vendit të quajtur ish- NPVj-ja.
Kolegët: nuk dinim të kishte probleme
Xhetan Shira, është njohur nga kolegët e tij si një njeri i qetë dhe pa probleme si në familje ashtu edhe në punë. Ata e kanë mësuar lajmin e vdekjes së kolegut të tyre sapo janë paraqitur në mëngjes në punë, ku janë njoftuar se 62- vjeçari nuk jeton më.
Parkingu, pjesë e të cilit ishte dhe lavazhi ku u vetëvar Xhetan Shira është shumë pranë Bulevardit "Gjergj Fishta". Në hyrje të tij qëndron roja i cili ka punuar për një kohë të gjatë me viktimën.
"Me Xhetanin punoja këtu tek parkingu duke zëvendësuar njëri tjetrin dhe në asnjë moment që kam qëndruar me të nuk shfaqte asnjë shqetësim dhe kurrë nuk më është shprehur për ndonjë problem të tij,- shprehet roja i parkingut një burrë rreth të 60- ve, ku u gjet i vdekur Xhetan Shira nga familjarët e tij.
Ai shprehet se shoku i tij i punës vinte në punë çdo ditë dhe shpesh tregohej shumë gazmor me të gjithë punëtorët e parkingut. Viktima punonte si roje gjatë natës në parkingun e një universiteti privat në Bulevardin "Gjergj Fishta", pranë bllokut "Vasil Shanto".