Ndoka: Kallëzim penal Topallit dhe policisë
SHKODËR- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe policiashqiptare do të përballen me një hetim të prokurorisë në lidhje me akuzat e bëra pas vrasjes së kryetarit të PDK-së në Malësinë e Madhe, Aleks Keka. Një padi që do të bëhet ditën e hënë nga kreu demokristian, Nard Ndoka, do të vërë Topallin dhe policinë në rolin e të akuzuarve.
Topalli akuzohet se ka përbaltur Partinë Demokristiane, ka akuzuar anëtarët e saj si mafiozë, spiunë dhe kontrabandistë si dhe ka krijuar një klimë armiqësore për anëtarët e saj në zonën e Shkodrës. Vetëm një ditë më pas u vra në një atentat Aleks Keka. Policia e Shtetit akuzohet se nëpërmjet një deklarate për shtyp ka përbaltur figurën e të ndjerit dhe vënien në ngarkim të tij të precedentëve penalë vetëm pasi ai kishte vdekur. Ndoka e konsideroi si vrasje politike vdekjen e Kekës, duke deklaruar se pista e vetme që duhet hetuar nga ana e policisë dhe prokurorisë është ajo e vrasjes politike. Kreu i demokristianeve ka bërë të ditur se tashmë është përgatitur denoncimi në prokurori ndaj nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli, për akuzat që kjo e fundit ka bërë ndaj demokristianeve. "PDK-ja po përgatit padinë që do të dorëzohet në prokurori për shpifjet që ka bërë Jozefina Topalli disa ditë më parë në një takim elektoral në Postribë, ku i ka akuzuar demokristianët si mafiozë dhe spiunë.
PDK- ja po bën padi penale dhe për policinë e shtetit në lidhje me shpifjet që bëri ndaj figurës së Aleks Kekës, duke e klasifikuar atë si trafikant dhe person me precedentë penalë. Në lidhje me këtë jemi duke nxjerrë dhe dëshminë e penalitetit ku del qartë se
Aleks Keka nuk ka qenë asnjëherë i dënuar. Kryetari i PDK në Malësi të Madhe është vrarë dy herë, një herë nga politika që e ekzekutoi me shpërthim eksplozivi dhe
një herë tjetër nga policia që njollosi me pa të drejtë figurën e tij.
Policia duhet të merret me zbardhjen e ngjarjes dhe të zbulojë dhe arrestojë autorët, gjë që ende nuk e ka bërë, dhe jo të merret me të vdekurin duke shpifur dhe shkelur çdo kod moral dhe etik",- tha dje Ndoka. Ai sqaroi se Partia Demokristiane do të vihet
në dispozicion të prokurorisë për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë. Teksa bënte këtë deklaratë Ndoka, ishte i shoqëruar nga europarlamentari Luigi Baruffi, sekretar Rajonal për UDC-në , i cili ka shprehur shqetësimin e tij për ngjarjen e ndodhur në Malësi të
Madhe.
"Gjithçka që ka ndodhur ka nevojë për shpjegime. Këto ngjarje e largojnë Shqipërinë nga Bashkimi Evropian. Kush e ka bërë këtë krim, është një person
që nuk e do Shqipërinë, që kërkon kthim pas të saj. Ngjarje të tilla në vitin 2009 janë të papranueshme. Duhet të zbardhen", - tha Baruffi.