Ministria e Brendshme: Të hënën publikojmë listën e plotë
Për të dytën ditë radhazi Ministria e Brendshme është përpjekur që të qetësoi opinionin publik mbi transparencën e procesit të pajisjes me karta, por pa paraqitur ende të dhënat e kërkuara me ngulm nga opozita mbi numrin e shtetasve pa pasaportë që nuk kanë aplikuar për letërnjoftime elektronike. Vetëm ditën e hënë premton kjo ministri se do të vërë në dispozicion të të gjitha subjekteve të interesuara setin e plot të të dhënave mbi këtë proces, përfshi këtu dhe numrin e atyre që s'do mund të votojnë për shkak se nuk kanë një nga dy mjetet e duhura për të votuar pasaportë ose kartë identiteti.
"Për të realizuar një transparencë maksimale dhe besueshmëri të plotë në këtë proces, ditën e hënë, Ministria e Brendshme do të vërë në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe forcave politike: listën emërore të personave që kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik, listën emërore të personave që e kanë tërhequr letërnjoftimin elektronik, listën emërore të personave pa pasaportë që nuk u paraqitën për të aplikuar për letërnjoftimin elektronik", - tha zëdhënësi i kësaj ministrie, Fatmir Konja, në një reagim ndaj deklaratës së PS-së.
Kjo ministri ka gjetur rastin që t'i bëjë edhe një herë thirrje qytetarëve që kanë aplikuar, të shkojnë në zyrat përkatëse për të tërhequr letërnjoftime e tyre në mënyrë që në 28 qershor të kenë mundësi të votojnë. Gjithashtu, kjo ministri ka garantuar se së bashku me kompaninë koncensionare do të bëjë të mundur që deri më datë 28 qershor të mund të prodhojë 1.4 milionë karta identiteti, aq sa është edhe numri i aplikimeve.