E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: PD fshehu dosjet për nivelet e larta drejtuese

 

Ndoka deklaroi se drejtuesit e shtetit i kanë fotokopjuar dosjet, për t’i përdorur në formë presioni ndaj subjekteve të caktuara

TIRANË- Demokristianët, një prej partive përfaqësuese në qeveri, tregohen të  ashpër në qëndrimet e tyre, kur bëhet fjalë për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Duke iu rikthyer herë pas here kësaj çështjeje të rëndësishme për nga përmbajtja, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka deklaruar dje se gjatë viteve ‘95-’96 ish-drejtuesit e PD-së në atë kohë, informacionin që kishin për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit e përdoren për të pastruar partinë vetëm në nivele të dyta dhe të treta. Ndërsa për deputetët, anëtarët e Këshillit Kombëtar, por edhe për lidershipin e saj, sipas Ndokës, ato vetëm u fotokopjuan. “Degët e partive dërgonin emrat dhe ekzistonte një rrjet kontrolli, pra një grafi e tyre dhe çdo njeri vihej me shenjë, për t’u parë me konsideratë, për t’u spostuar nga organet drejtuese. Besoj se ishte gjëja më e mirë që Partia Demokratike bëri në atë kohë në radhët drejtuese. Kjo u shtri në nivelet e dyta dhe të treta, por nuk u pasua në lidershipin dhe në drejtuesit e Partisë Demokratike,  anëtarët e Këshillit Kombëtar, deputetët në atë kohë, dhe ky është problemi”,- tha Ndoka.

Në një deklarim për mediat, kryetari i PDK-së theksoi se drejtuesit e lartë i njohin bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. “Drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar, kanë informacion për dosjet e ish- bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Pra, i njohin ato bashkëpunëtorë, i njohin pseudonimet e tyre, i kanë fotokopjuar dosjet e tyre dhe në çdo moment i kanë si prova për të ushtruar presion, për t’i bërë ata që të binden”,- shtoi ai.

Madje kryetari i demokristianëve shprehet si ish-kryeministra, ministra të Brendshëm që kanë informacione mbi dosjet sekrete, i kanë ruajtur edhe në formën elektronike. “Këtë informacion e kanë shumë persona. Janë disa ish-ministria të Brendshëm, janë disa ish- kryeministra, janë disa ish-drejtues të Shërbimit Informativ Kombëtar. Pra, është një numër i konsiderueshëm njerëzish që kanë informacione për këto dosje. Një numër i konsiderueshëm personash, të cilët i kanë tashmë, edhe në formën elektronike, të ruajtura, pavarësisht se i kanë marrë në kundërshtim me rregullat dhe Arkivat e Shtetit, por kanë shfrytëzuar postin e tyre zyrtar”,- tha ai. Qëndrimi i kreut të PDK-së vjen në një kohë kur në Kryeministri, por edhe më gjerë, në selitë e partive aleate të mazhorancës po diskutohet jo pak mundësia e ndryshimeve në qeveri, për shkak të këmbënguljes së republikaneve, drejtues të së cilës kërkojnë përfaqësimin e tyre me një post qeveritar të rëndësishëm. Në këto negociata është përfshirë edhe dikasteri i Shëndetësisë i mbajtur nga Ndoka, porse burimet bëjnë të ditur se ky dikaster do të vazhdojë që t’i mbetet PDK-së, ndërkohë që janë në lojë ministri të tjera të rëndësishme, si ajo e Bujqësisë, Transporteve, madje edhe e Arsimit.

Drafti

Ndërkohë, në debatin që ka përfshire forcat politike shqiptare për hapjen e dosjeve, demokristianët do të mbështesin variantin e propozuar nga deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, përveç disa pikave, siç është edhe ajo për mënyrën e verifikimit të subjekteve. Pak kohë më parë, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka deklaroi se ky proces nuk duhet të kthehet në një gjueti shtrigash për interesa elektorale, por të jetë një proces serioz, ligjor, transparent dhe të sjellë pastrimin e ndërgjegjes shtetërore e politike. Ai ka theksuar se dënimi i krimeve të komunizmit dhe përjashtimi i bashkëpunëtorëve të Sigurimit nga jeta politike dhe postet e larta zyrtare, nuk ka përse të konsiderohet si shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut, për arsye se kemi të bëjmë me një kufizim që bëhet me qëllim mbrojtjen e interesave të publikut. Demokristianët kërkojnë që procesi i verifikimit të përfshijë të gjitha nivelet, duke filluar nga Presidenti i Republikës e duke përfunduar me diplomatët në përfaqësitë tona diplomatike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›